E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, autori kapet në Shijak

Ka zgjatur vetëm 12 orë arratia e vrasësit të 18-vjeçarit Renato Koçiu. Fatjon Shehu, 22 vjeç nga Dibra është ekzekutori i të riut nga “lagjja Çame” e Plazhit. 

DURRES/ OERD ULQINI

Identifikimi i autorit të vrasjes është kryer në mesnatë dhe në orët e para të agimit, atij i janë vënë prangat në Shijak. Fatjon Shehu, i lindur në Peshkopi, banonte prej 12 vjetësh në Plazhin e Durrësit, ku ishte shpërngulur së bashku me familjen. Pavarësisht se ka kryer një krim të rëndë, i klasifikuar si “vrasje me paramendim”, Shehu nuk kishte pasur në të shkuarën asnjë precedent penal. Drejt aktit gjakatar dibranin e ka shtyrë një sherr i pak ditëve më parë i bërë me viktimën. Sipas policisë dhe disa dëshmitarëve ka qenë një grindje për motive të dobëta, nga ato që ndodhin rëndom mes të rinjve gjaknxehtë. “Kush je ti more, a më njeh mua apo jo?”. Kështu ka nisur debati afro një javë më parë, i cili ka vijuar më tej me fjalë fyese të shkëmbyera reciprokisht. Por kur sherri dukej se po mbyllej pas ndërhyrjes së banorëve të tjerë, nuk ka qenë i këtij mendimi Shehu. Mbrëmjen e shkuar, ai i ka zënë pritë Koçiut, i cili krejt i vetëm po kalonte në rrugicë. Një goditje fatale me biçak në gjoks, mjet i cili i plotësonte kushtet e armës së ftohtë, i ka marrë jetën Renatos. Pasi ka goditur të riun Shehu është larguar në drejtim të Shijakut, ku kishte disa njohje të vjetra familjare. Por inspektorëve të policisë nuk u ka shpëtuar pa rënë në sy sherri i një jave më parë mes të rinjve. Pavarësisht se bëhej fjalë për motive banale, policia nuk e ka neglizhuar ngjarjen duke kërkuar shpjegime nga i riu tjetër i lagjes. Mirëpo ai ishte zhdukur. Ky fakt e bëri Shehun të dyshuarin kryesor për vrasjen. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet e fshehur në trup edhe arma e krimit, një biçak i mprehtë. Aktualisht i arrestuari ndodhet në dhomat e paraburgimit në Durrës në pritje të masës së sigurisë. Para hetuesve ai është dukur i stresuar, por ende nuk ka hapur gojë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Fatjon Shehu e ka pranuar krimin përpara hetuesve, madje edhe duke u shprehur se “e kishte ndarë mendjen për një veprim të tillë, herët a vonë”. Mes palëve ka pasur kundërpërgjigje të vazhdueshme. Sherri i një jave më parë ka nisur me fjalë dhe fyerje të rënda. Dy-tre ditë më parë dy të rinjtë janë zënë me grushte, por vetëm kaq. Mbrëmjen e datës 22 korrik, në orën 20:00, Shehu vendosi me gjakftohtësi të ekzekutonte rivalin e tij në lagje Renato Koçiun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›