E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amfiteatri i Durrësit pret yjet e baletit botëror

“Mbrëmja magjike e baletit” në amfiteatrin e Durrësit rikthen në skenat tona dy balerinët me famë botërore Leonard Xhokaxhi (Ajkun) dhe Astrit Zejnati. 

Oerd Ulqini

Në kohërat moderne është bërë traditë që vendin e gladiatorëve gjakatarë, ta zenë në arenën e amfiteatrit artistët e brishtë. Kështu ka ndodhur mbrëmjen e shkuar në amfiteatrin romak të Durrësit ku publiku shijoi momente vërtet mbresëlënëse. Jeta e pasur kulturore dhe transmetimi i shijeve estetike, për njohjen dhe promovimin e vlerave historike, kulturore e turistike shqiptare, është një nga qëllimet që kanë shtyrë organizatorët t’i drejtohen amfiteatrit. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, u shfaq spektakli  “Mbrëmje magjike e baletit”,  e cila ishte organizimi i radhës nën mbështetjen e bashkisë së Durrësit. Ardian Gurra, drejtor i Departamentit të Kultures në bashki u shpreh se “Amfiteatri i Durrësit do të rifitojë vlerat e tij në kohërat moderne përmes artit të mirëfilltë”. Ky aktivitet i pari në llojin e tij bëri, që brishtësia dhe eleganca e baletit të prezantohet me shumë sukses edhe në skenat e përgjakura të antikitetit. Aktiviteti ishte një rikthim në triumf i Leonard Xhokaxhi, i cili kishte ftuar në magjinë e baletit artistët më të mirë të skenës shqiptare, por dhe emra të talentuar që kanë një karrierë të pasur artistike në skenat botërore, si Astrit Zejnati etj. I larguar prej vitesh në Amerikë balerini Astrit Zejnati shprehet se “ndjehet i vlerësuar dhe i kënaqur, që iu dha mundësia të interpretojë në skenën shqiptare pas shumë vitesh”. Zejnati ka vlerësuar maksimalisht baletin shqiptar duke e quajtur atë si “një shkollë më vetë në Botë”. Në “Mbrëmjen magjike të baletit” ai ka  interpretuar dy numra, një neoklasik dhe një kontemporan. Të udhëhequr nga Leonard Xhokaxhi (Ajkun), në shfaqjen “Mbrëmja magjike e baletit” morën pjesë balerinë të trupës së baletit të TKOB, si dhe balerinë nga kompania e baletit “Ajkun”. Në këtë shfaqje u interpretuan pjesë baleti si: “Valpurga”, “Ujëra pranverorë”, “Melankolik”, “Paquita”, “Romeo e Juliet” etj.

Leonard Xhokaxhi
Leonard Ajkun (Xhokaxhi)  është rritur në Tiranë, ku edhe në ditët e sotme mbahet mend ende si kërcimtari më i rrallë në të gjithë historinë e baletit në Shqipëri. Pas disa koncertesh me trupën e baletit ne Tiranë, gati në moshën 18 vjeçare, i jepet automatikisht e drejta si kërcimtar solo, duke u bërë kështu balerini kryesor i Teatrit të Operas dhe Baletit Shqiptar, në shfaqje të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit si: Paris, Milano, Sanremo, Stamboll, Ankara, Athinë, Selanik. Në SHBA ai filloi të shkëlqejë në trupat e “Los Angeles etj. Aktualisht ai  jeton në New York ku dhe punon së bashku me gruan e tij në shkollën e tyre të kërcimit) “Ajkun Ballet Theatre”.

Astrit Zejnati
Ka ndriçuar në skenat amerikane, ndonëse në Shqipëri emri i tij është i vagët. Balerini shqiptar me origjinë nga Delvina, tashmë ka pushtuar teatrot e baletit në SHBA. Ka më se dhjetë vjet që eshte larguar nga Shqipëria. Për kritikët e huaj, Astrit Zejnati është cilësuar si një thesar i ardhur nga Shqipëria këto dhjetë vitet e fundit. Në baletin “Arizona” cilësitë e  tij në skenë e kanë bërë spektatorin për vete, duke shijuar çdo lëvizje. Spektatori amerikan e vlerëson më shumë se balerinët e “Royal Ballet” në Angli. “Ai ka një stil evropian, elegancë dhe përkulshmëri”, shprehet George Balanchine. Ndërsa vetë Zejnati tregon se është një “motoçiklist i krisur” si në balet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›