E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë në fuqi heqjen e sekuestros

Pasuritë e Fazlliçit

Prokuroria pritet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për rrëzimin e vendimit që heq bllokimin ndaj pronave të serbo- boshnjakut

TIRANË- Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet dhënë paraditen e 31 dhjetorit të vitit 2008 nga gjyqtari Artan Broci, për lirimin e pasurisë së sekuestruar nga institucioni i akuzës ndaj mikut të kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakut Damir Fazliç, mori formën e prerë nga Gjykata e Apelit.

Treshja gjykuese e kësaj gjykate e kryesuar nga gjyqtari Alaudin Malaj dhe anëtarët Fatos Qato dhe Zeqine Sollaku (bashkëshortja e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku), e cilësuan vendimin e dhënë nga gjyqtari Broci, si të drejtë dhe të bazuar në ligj.

Ky vendim, rrëzoi edhe njëherë pretendimet e njësisë së task-forcës së Prokurorisë së Tiranës, e cila kishte urdhëruar sekuestrimin dhe bllokimin e të gjithë pasurisë që ndodhet e regjistruar në emër të serbo-boshnjakut Fazliç dhe kompanive që ai drejton në Shqipëri.

Sekuestrimi i kësaj pasurie ka ardhur, pasi shtetasi nën hetim, Damir Fazliç, nën emrin e kompanive të tij "Croën Acquisition" sh.p.k. të cilën ia shiti më pas kompanisë së tij me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited" dhe kompania "Alfa" sh.p.k ka blerë dy prona me rreth 16 hektarë tokë në fshatin "Rinia" të komunës së Porto Romanos në Durrës me një vlerë të deklaruar që kap shifrën e 1.7 milionë eurove, në kohën që kompanitë e tij nuk kishin asnjë aktivitet biznesi.

Por, vendimi i togave të zeza të Gjykatës së Apelit, ka bërë zyrtarët e Prokurorisë së Apelit, të shprehen se brenda javës do të dorëzohet në Gjykatën e Lartë rekursi, ku do të kërkohet pavlefshmëria dhe paligjshmëria e këtyre dy vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›