Ministria e Drejtësisë, nis hartimi i projektligjit të ri për ekstradimet
Mosekzekutimi në kohë të shkurtër i letërporosive nga autoritetet e huaja, ndërkohë që letërporositë e tyre ekzekutohen në kohë rekord prej 3 muajsh nga autoritetet shqiptare, ka detyruar Ministrinë e Drejtësisë t’u japë fund këtyre pengesave, duke hartuar një projektligj “Për bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në fushën penale”. Ky projektligj po hartohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili mban datën 13.02.2002, me nr. 1138/1. Hartimi i këtij projektligji përbën një nga masat legjislative më të rëndësishme të institucionit të lartë të drejtësisë, i ndërmarrë për shkak edhe të pengesave apo vonesave të hasura gjatë këtyre viteve nga shtete të ndryshme. Kjo nismë ligjore, sipas burimeve zyrtare nga kjo ministri, ndërmerret në kuadër të vazhdimësisë dhe intensifikimit të reformave në fushën e drejtësisë në përgjithësi dhe në atë të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe kriminalitetit në veçanti, me qëllim plotësimin e angazhimeve për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Gjithashtu, po sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, kjo nismë ligjore synon shmangien e problemeve të hasura gjatë zbatimit të ligjit procedural penal, pasi nga praktika e deritanishme e bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet penale janë identifikuar pengesa, paqartësi dhe mosparashikime të veçanta ligjore, të cilat do të gjejnë zgjidhje me këtë ligj. Ndërkohë që për masat procedurale të identifikuara tashmë, nga Ministria e Drejtësisë do të paraqiten për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave si pjesë e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, për sa i përket titullit X “Marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja”, me qëllim plotësimin e tyre. Hartimi i këtij ligji do të mbështetet jo vetëm në praktikën e rajonit, por edhe në praktikën evropiane, me qëllim që në të ardhmen të gjejë zbatim kur Shqipëria të jetë pjesë e BE-së dhe kur legjislacioni i kësaj të fundit të jetë i zbatueshëm plotësisht në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare nga institucioni i drejtësisë, një letërporosi e huaj mund të ekzekutohet në mënyrë të suksesshme nga autoritetet shqiptare të drejtësisë në një kohë mesatare prej 3 muajsh, kur ndërkohë që u rezulton se kërkesat e autoriteteve shqiptare për jashtë vendit ekzekutohen nga autoritetet e huaja nganjëherë edhe pas një viti ose disa vitesh.
Si kanë ecur ekzekutimet nga viti 2005-2008
Ekzekutimet e letërporosive gjatë këtyre katër viteve mund të konsiderohen në një nivel të kënaqshëm, ndërkohë që autoritetet shqiptare mendojnë se kanë mundësi për më shumë. Vetë ata kanë ekzekutuar në kohë të shkurtër letërporositë e shteteve të tjera, ndërkohë që impenjimi nga këto të fundit nuk ka qenë i njëjtë. Kështu, gjatë viteve 2005-2008 ka pasur 3649 kërkesa për ekzekutim letërporosie, ndërkohë që autoritetet e huaja kanë ekzekutuar vetëm 1841 kërkesa, gati 45.3% të tyre. Por, shifrat paraqiten më të kënaqshme sesa ato të viteve 2001-2004, ku nga 2230 kërkesa u ekzekutuan vetëm 813 ose 36.45% e tyre. Ndërkohë që edhe për ekstradimet nuk ka pasur një nivel shumë të mirë, por të kënaqshëm, referuar shumë viteve më parë. Kështu, gjatë viteve 2005-2008, janë ekstraduar 244 persona nga 598 kërkesa të dërguara, ndërkohë që, sipas burimeve zyrtare, gjatë viteve 2001-2004 janë ekstraduar 117 persona nga 380 kërkesa të paraqitura. Sipas burimeve, numri i ekzekutimeve të letërporosive apo dhe ekstradimeve nuk është i njëjtë si në përgjatë viteve 2005-2006 dhe këtyre dy viteve të fundit, 2007-2008, pasi ka ardhur në rritje. Nga përllogaritja statistikore për çdo vit, vërehet rritje mesatare prej 45% të kërkesave për ndihmë juridike, rritje mesatare prej 34-54% të miratimeve për çdo vit, si dhe për një total prej 50.4% të të gjitha kërkesave për ndihmë juridike. Gjithashtu, nga të dhënat e 4-vjeçarit të mëparshëm në krahasim me këtë 3-vjeçar rezulton një rritje prej 8.5% të ekzekutimit të kërkesave për ndihmë juridike. Rreth 70% e këtyre kërkesave u janë paraqitur shteteve si Italia, Greqia, Maqedonia, Mal i Zi dhe vendeve të tjera të rajonit. Pjesa tjetër u takon shteteve anëtare të BE-së. Megjithatë, duke parë që ka mundësi për një ekzekutim të të gjitha kërkesave për letërporosi apo dhe ekstradime, Ministria e Drejtësisë mendoi të ndërmerrte një nismë ligjorë, atë të hartimit të projektligjit “Për bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në fushën penale”.
Ekstradimet për vitin 2008
Numri i të arrestuarve me qëllim ekstradimin është 136;
Numri i personave të ekstraduar nga jashtë brenda 87;
Numri i personave të ekstraduar drejt vendeve të tjera është 3;
Numri i personave të transferuar drejt vendeve të tjera është 3;
Numri i të dënuarve (në Itali) për të cilët është njohur vendimi penal nga gjykatat shqiptare është 36;
Numri i personave për të cilët nuk kanë ardhur vendimet nga gjykatat është 22.
Refuzimet e ekstradimeve
Në lidhje me statistikat e refuzimit (për ekstradimin), për vitin 2008 numërohen rreth 7 refuzime. Për sa u përket refuzimeve mbështetja ligjore u referohet neneve të konventës së KE-së “Për Ekstradimin” dhe të dy protokolleve të saj shtesë. Konkretisht, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, refuzimi i ekstradimit është bazuar në nenin 3 të Protokollit II Shtesë të konventës “Për Ekstradimin”; bazuar në nenin 3 të konventës “Për ekstradimin”; bazuar në nenin 8 të konventës “Për ekstradimin”; bazuar në nenin 9 të konventës “Për ekstradimin”.
Ekstradimet për vitin 2009, 3-mujori i parë
Numri i personave të arrestuar me qëllim ekstradimi është 23;
Numri i personave të dorëzuar autoriteteve shqiptare në përmbushje të procedurave të ekstradimit është 13;
Numri i personave të ekstraduar nga brenda drejt autoriteteve të huaja është 2.
Detaj
2 janë kërkesat e refuzuara për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga jashtë shtetit (për të njëjtat arsye sikurse rezultojnë nga viti 2008)