E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Koalicion, nëse LSI kërkon falje

Numri dy i PS-së komenton koalicionet para dhe paszgjedhore, marrëdhëniet me LSI-në dhe situatën e Fatos Nanos


Gramoz Ruçi, numri dy i Partisë Socialiste ka komentuar dje situatën e koalicioneve para dhe paszgjedhore të partisë së tij, marrëdhëniet me LSI-në dhe situatën e ish-Kryetarit Fatos Nano. Në një intervistë për gazetarin Franko Egro, në "TV Koha", Ruçi ka pohuar se PS-ja do të bëjë koalicion me LSI-në vetëm nëse kjo e fundit kërkon falje për përbaltjen që i ka bërë deri më tani lidershipit socialist.


Në lidhje me koalicionet dhe mënyrën se si ka qeverisur deri më tani PD-ja, Ruçi është shprehur: "Sistemi politik ka ndryshuar shumë dhe kjo është detyruar nga shumë arsye. Kryesorja ishte fenomeni i Dushkut.

Ai nisi në një komunë dhe më pas u shndërrua në një Mega-Dushk dhe shqiptarët po qeverisen nga vota të darovitura. Është për të ardhur keq që darovitja e qeverisjes ka bërë që nga 14 kabinete të qeverisë aktuale, u darovitën pesë kabinete jetikë, që nga Mbrojtja, Arsimi, Shëndetësia, Punët dhe Çështjet Sociale dhe Mjedisi".

Ndërkohë, Ruçi shpjegoi dje se koalicioni parazgjedhor është i nevojshëm për partitë e vogla, pasi dy formulat që aplikohen për rezultatin përfundimtar i detyron ato që të marrin rreth 10 mijë vota. Nëse janë në koalicion përfitojnë nga ndarja brenda koalicionit. Pra, formula e koalicionit pothuajse përgjysmon votat që i duhen një partie të vogël.


Një temë e nxehtë e politikës brenda së majtës janë marrëdhëniet PS-LSI dhe, në këtë pikë, numri dy i socialistëve është shprehur tepër i prerë, duke kërkuar që LSI-ja ta nisë kërkesën për koalicion me një falje publike.

"Në lidhje me LSI-në nuk ka pasur debat, pasi në debat duhen dy palë. Asnjë përfaqësues i PS-së nuk ka sulmuar LSI-në. Ne jemi sulmuar shumë nga LSI-ja, e cila ka kaluar të gjitha parametrat, duke baltosur PS-në dhe lidershipin e saj.

Por, papritur, një ditë të mirë ajo ndërron kurs 180 gradë dhe kërkon koalicion pas zgjedhjeve. Nga ana jonë kjo mbetet për t'u verifikuar, në radhë të parë nga verdikti i zgjedhjeve.

Objektivi ynë është që të marrim mbi 70 vende në Kuvend dhe kemi besim se elektorati do të na japë aq vota sa të mos kemi nevojë për mandate të tjera. Nëse nuk kemi 71 numra, nuk do të pranoj dhe përjashtoj apriori asnjë forcë politike.

Nëse LSI-ja do një koalicion paszgjedhor është e natyrshme që, LSI-ja, përpara se të bëjë këtë deklaratë, minimumi të bëjë një falje publike për baltosjet që i ka bërë PS-së dhe lidershipit të saj.

LSI-ja do të paraqitet në koalicionin e saj dhe përgjigjja përfundimtare do të jetë pas zgjedhjeve",- tha dje numri dy i PS-së, Gramoz Ruçi.
Ai ka komentuar edhe statusin e ish-Kryetarit, Fatos Nano, duke i kërkuar këtij të fundit që të jetë kontribuues për të mirën e socialistëve.

"Fatos Nano e përcakton vetë fatin e tij. Unë nuk kam në dorë fatin politik të askujt dhe sigurisht objektivat dhe ambiciet politike i përcakton vetë.

Unë kam qenë një bashkëpunëtori i tij për shumë vite, ashtu siç kam mbështetur qëndrimet e tij kur iku nga kreu i PS-së, edhe sot do të kërkoj që, si politikan dhe ish-kreu i PS-së, të ishte kontribuues në familjen e tij politike.

Që do të thotë, të ndihmonte dhe format ai i gjen vetë. Mënyrën se si ai e bën politikën është e drejtë ekskluzive e tij, por do të shpresoja që marrëdhëniet e tij me familjen e tij politike të mos shkëputen, por të jenë kontribuuese që kjo familje të fitojë në zgjedhjet e datës 28 qershor",- tha Gramoz Ruçi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›