Nëntë në burg, të tjerët në shtëpi
Piratët e Internetit
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, gjatë ditës së djeshme shqyrtoi për katër orë rresht kërkesën e institucionit të akuzës për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë për 16 të arrestuarit e dyshuar për "mashtrimet nëpërmjet internetit".
Sipas vendimit të togave të zeza të kryesuar nga gjyqtari i masave Martin Deda, mësohet se nga 16 të arrestuarit vetëm pesë prej tyre kanë mbetur në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg", ndërkaq, nëntë prej tyre janë izoluar në banesë me masën e sigurisë "arrest shtëpie" dhe dy të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje".
Sipas akuzës, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe role të ndryshme dyshohet se kanë klonuar dhe shitur te qytetarë të ndryshëm karta të televizioneve digjitale kombëtare dhe ndërkombëtare.
Duke dekodifikuar sinjalin dhe më pas shitjen e tyre në mënyrë pirate nga 200 deri në 350 euro për çdo program të këtyre paketave digjitale në vend, sidomos të kanaleve sportive.
Mësohet gjithashtu, se për zbardhjen e këtij rrjeti efektivët e policisë kishin infiltruar agjentët e tyre të ndryshëm, duke zbardhur dhe dokumentuar të gjithë "biznesin" e tyre të paligjshëm.
"Të arrestuarit, e përfshirë në këtë grup kriminal, pasi kryenin riprogramimin e aparateve digjitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive, si "Tring", "DigitAlb", "Premier Leauge", "Sky", "Nova" e kanale të tjera sportive.