E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë e bijë vdesin në tryezën e bukës

 

Etleva Delia

Nënë e bijë u gjetën dje të vdekura në tryezën e bukës nga disa fqinjë të tyre në fshatin Shën-Mëri të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë e shtunë, por policia është njoftuar vetëm mesditën e djeshme, kur një banor i komunës së Shëngjergjit ka telefonuar në sallën operative. Dyshimet e grupit hetimor lidhen me një helmim që mund të ketë ardhur nga pakujdesia, duke qenë se ato kishin hedhur në shtëpi bar miu dhe shpërbërja e ilaçit të fortë mund të ketë sjellë helmimin. Burime nga policia thanë se vdekja e dy grave ka ardhur për arsye se ato kanë qëndruar gjatë në ambientin e mbyllur, të tejmbushur me fostoksinë, pa e kuptuar se nga çfarë u vinin shqetësimet, që më pas janë shoqëruar me të vjella dhe shkumë nga goja. Këtë fakt e shpjegojnë paraprakisht edhe mjekët ligjorë që kryen dje autopsinë e dy grave, Xhile Sina, 78 vjeçe dhe vajzës së saj 57-vjeçare, Burbuqe Pepa. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë mësohet se në organizmin e tyre janë gjetur gjurmë fostoksine, por jo në doza të mëdha që ishte e përzier me ushqimin. Por gjithashtu është parë që dy gratë kishin nxjerrë shkumë nga goja, gjë që në shumicën e rasteve vjen vetëm nga helmi i minjve.
HELMIMI
Vdekja e nënë e bijë është mësuar me vonesë, për shkak se ato ndodheshin vetëm në shtëpi, si dhe për shkak të terrenit të thyer dhe largësisë mbi 50 kilometra nga Tirana. Rreth orës 14:00, policia e Komisariatit nr.4 të Tiranës është njoftuar se në fshatin Shën-Mëri të komunës Shëngjergj, janë gjetur të vdekura nënë e bijë nga shkaqe të paqarta në banesën e tyre. Ngjarja është denoncuar nga disa fqinjë të familjes Sina, të cilët kishin shkuar për vizitë dhe kishin parë të shtrira në tokë dhe pa shenja jete 78-vjeçaren Xhile Sina dhe vajzën e saj 57-vjeçare, Burbuqe Pepa, e cila kishte shkuar për vizitë te nëna. Mësohet se asnjë nga familjarët e tjerë nuk kishte qenë në shtëpi gjatë 24 orëve të fundit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur një grup oficerësh nga Komisariati nr.4 dhe nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar paraprakisht se në trupin e tyre janë gjetur shenja të helmit të minjve, por që sipas ekspertëve kjo lëndë nuk është konsumuar dhe mund të jetë marrë me anë të frymëmarrjes. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe disa ushqime që janë gjetur në tryezën ku ato kanë qenë duke ngrënë darkë, të cilat do të analizohen për t'u vërtetuar nëse kanë qenë të prishura apo të skaduara. Burimet shpjeguan se ngjarja është duke u hetuar si helmim aksidental, por nuk përjashtohet vetëhelmimi. Policia ka marrë në pyetje për disa orë rresht familjarët e dy viktimave, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi gjatë të shtunës, por edhe deri mesditën e së dielës. Nga deklarimet e tyre ka rezultuar se as nëna e as vajza e saj nuk kanë pasur probleme që mund t'i çonin ato në vetëhelmim. Edhe ata mendojnë se ngjarja mund të jetë aksidentale, por gjithashtu dyshojnë se të shtunën në mbrëmje Xhile Sina mund të ketë hedhur në shtëpi ilaç për minjtë. Kjo deklaratë përputhet me hetimet paraprake të policisë, por edhe me konkluzionet e mjekëve ligjorë, të cilët kanë deklaruar se kryerja e autopsisë ka zbuluar gjurmë fostoksine.

Autopsia zbulon fostoksinën në gjak
Vdekja e dy grave, Xhile Sinës dhe vajzës së saj Burbuqe Pepa, në fshatin Shën-Mëri të Tiranës, fillimisht u dyshua si helmim nga ushqimi. Kjo, pasi ato janë gjetur pa jetë pranë tryezës së bukës, ku kishin ngrënë darkë mbrëmjen e së shtunës. Në momentin që policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe pa trupat e pajetë të grave, pa që veç të vjellave ato kishin nxjerrë edhe shkumë nga goja. Kjo ishte një karakteristikë e helmimit me bar miu, por që oficerët e policisë nuk mund të jepnin konkluzione para ekspertëve mjeko-ligjorë që do të kryenin autopsinë e tyre. Vetëm disa orë pasi viktimat janë dërguar në morg, mjekët kanë shpjeguar për oficerët e policisë, që gjatë autopsisë së tyre kanë gjetur shenja fostoksine, por në sasi mjaft të vogël, që ata dyshojnë se mund të mos jetë konsumuar, por është marrë në rrugët e frymëmarrjes. Sipas ekspertëve, helmi mund të jetë hedhur në shtëpi dhe është shpërbërë, duke sjellë helmimin e grave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›