E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli liron një prej të akuzuarve të masakrës së Qafë-Gjashtës

06/10/2011  Vendimet e të tjerëve mbeten në fuqi. Në masakër u dogj një polic, tjetri u mbajt peng

TIRANE-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk gjen prova për dënimin e anëtarit të bandës së Qafë-Gjashtës dhe shpall të pafajshëm Eduart Çipën, ndërsa për 9 anëtarët e tjerë të këtij grupi i janë lënë dënimet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë. Çipa ishte dënuar nga kjo gjykatë me 20 vjet heqje lirie si një ndër autorët e vrasjes së policit Gjergj Mehmeti, por nga shqyrtimi i provave nga Apeli rezultoi se ai nuk ka qenë i implikuar në ngjarjen në fjalë. Ndërsa për sa i përket dënimit të 9 anëtarëve të tjerë të këtij grupi, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të gjitha dënimet. Nisur nga ky vendim gjykata ka lënë në fuqi dënimin me 18 vjet burg të Vladimir Sinanin, Nestor Sinani, 15 vjet burg, Alqi Paguni 15 vjet burg, Edmond Sejko 6 vjet burg, Mikel Kendezi, 15 vjet burg, Arben Kendezi 16 vjet burg, Agron Qurku 16 vjet burg, Aleksandër Bala 15 vjet burg. Ndërsa për të pandehurin tjetër Ristan Lapa, shkalla e parë ishte shprehur njëherë për pafajësinë e tij. Katër punonjës të policisë së Vlorës, Sokol Bizhga, Gjergji Mehmeti, Eduart Alia dhe Myzafer Blushi udhëtuan drejt Sarandës për të rimëkëmbur komisariatin e policisë, të dalë jashtë funksionit. Gjatë kthimit, ata ranë në një pritë të armatosur. Në ngjarje u vra polici Gjergj Mehmeti, të cilit iu dogj më pas kufoma. Ndërsa u mbajt peng e u torturua polici Eduart Alija. Dy policët e tjerë mundën të largoheshin. Masakra është cilësuar si një ndër më të tmerrshmet e kohës, ndërsa gjatë proceseve gjyqësore janë dëgjuar dëshmitë e të akuzuarve, si dhe personave të tjerë që kishin të bënin me këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›