Apeli liron pesë të fundit e kartave dixhitale
Avokatët kërkuan ndryshimin e masës për mungesë provash
Një javë më parë u liruan edhe 11 të akuzuarit e tjerë
Lirohen edhe pesë të fundit e mbetur në burg për kartat dixhitale. Gjykata e Apelit ka liruar dje pesë të arrestuarit për mashtrimet me kartat dixhitale. Dy javë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa dje kjo masë është lehtësuar në atë të “arrestit shtëpiak”. Pesë të pandehurit janë Saimir Kuniqi, 55 vjeç, Sokol Shalca, 48 vjeç, Spiro Zguri, 48 vjeç, Dhimitraq Papa, 55 vjeç dhe Marin Palushi, 36 vjeç. Gjatë revokimit të masës së sigurisë, avokatët mbrojtës kanë pretenduar se prokuroria nuk ka pasur prova për të vërtetuar akuzën e ngritur për mashtrim. Nga ana tjetër, mbrojtësit kanë pretenduar para gjykatës se nuk kemi vepër penale, pasi ligji për piraterinë ka hyrë në fuqi më 31 dhjetor të vitit 2008, kur hetimet kanë nisur në tetor të vitit 2008, duke theksuar se në këtë rast nuk kemi vepër penale. Për këtë fakt, ata i kërkuan gjykatës caktimin e një mase sigurie më të butë sesa ajo e vendosur nga Shkalla e Parë. Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë kryer zhbllokimin e kodeve të platformave të kanaleve televizive, të cilat më pas i kanë shitur kundrejt shumave 200-350 euro.
Hetimi
Hetimet ndaj 16 të pandehurve kanë nisur në tetor të vitit të kaluar pas një denoncimi të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të shqetësuar për zhbllokimin e kodeve të platformave të kanaleve televizive, ata kanë bërë denoncimin tek autoritetet shqiptare. Më pas, në Policinë e Tiranës janë marrë kallëzime se në disa pika të ndryshme në Tiranë tregtohen aparate dixhitale të riprogramuara dhe të klonuara. Fillimisht është mundësuar identifikimi i disa prej pikave që tregtonin këto aparate në kryeqytet dhe më pas në disa rrethe të vendit. Personat që ishin të implikuar në këtë aktivitet kriminal, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive. Sipas burimeve zyrtare nga policia, gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të shtetasve të lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 50 copë kompjuterë dhe serverë të markave të ndryshme, 20 “Laptop”, 1000 copë aparate “dixhitale” të tipave të ndryshme të markave “Dream Box”, “Echolink”, “Orbitum” dhe “Metabox”. Gjithashtu u kapën 500 copë karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit dhe 30 copë aparate telefoni celularë. Personat e arrestuar u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit kompjuterik” në bashkëpunim. Të akuzuarit tashmë me masa “arrest shtëpie” janë Eldi Vorpsi, 23 vjeç, Sokol Kadare, 38 vjeç, Saimir Likollari, 31 vjeç, Artan Priftuli, 44 vjeç, Edison Shema, 32 vjeç, Eduart Koka, 42 vjeç, Ilir Dylja, 38 vjeç, Fatmir Çupi, 32 vjeç, Alfred Kadiu, 30 vjeç, Xhaferr Gixhari, 23 vjeç
Ilir Nushi, 32 vjeç, Saimir Kuniqi, 55 vjeç, Sokol Shalca, 48 vjeç, Spiro Zguri, 48 vjeç, Dhimitraq Papa, 55 vjeç dhe Marin Palushi, 36 vjeç.