E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jacques Barrot, Alibeajt: Sukseset tuaja do i raportoj në Bruksel



Zv.presidenti i KE-së vlerëson arritjet dhe disa strategji të zbatuara në drejtësi

Numri dy i Komisionit Evropian jep vlerësimet maksimale për zhvillimet në drejtësinë shqiptare dhe përgëzon kreun e institucionit të drejtësisë për strategjitë e përdorura. Madje, duke shkuar më tej, z. Jacques Barrot ka deklaruar se sukseset e arritura do t’i raportonte edhe në Bruksel. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u takua dje me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Jacques Barrot, nga i cili mori përgëzime të veçanta për zbatimin e strategjisë së ndjekur në reformën në drejtësi. “Ju keni arritur suksese në zbatimin e disa strategjive në drejtësi. Tani duhet të krijoni strategji afatgjata që sigurojnë transparencë dhe eficencë. Reformat në drejtësi duan maturi dhe kujdes, sepse rrethi i gjyqtarëve kudo është i ndjeshëm”, - tha z. Barrot në fjalën e tij. Takimi u shoqërua nga diskutime të zgjeruara mbi të gjitha problemet që janë hasur gjatë kryerjes së reformave në drejtësi, si dhe të dyja palët u shprehën për rëndësinë absolute që ka kjo reformë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministri Alibeaj falënderoi zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar financiare, teknike dhe të gjithanshme që Komisioni Evropian i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë në fushën e hartimit të ligjeve, si dhe në ngritjen e infrastrukturës me ndërtimin e gjykatave dhe institucioneve të vuajtjes së dënimit. Zëvendëspresidenti Barrot, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurisë, të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe të sistemit të drejtësisë në Komisionin Evropian, u njoh me reformën në fushën e drejtësisë, me hartimin dhe miratimin e ligjeve të reja, si ai prokurorisë, ai i organizimit të pushtetit gjyqësor, ligjit për ngritjen e gjykatave administrative, luftës ndaj korrupsionit etj. “Për të realizuar reformën në drejtësi, jemi përpjekur që të realizojmë ndërhyrjet e domosdoshme ligjore, por edhe të ruajmë konceptin e pavarësisë së sistemit”, - tha ministri Alibeaj në fjalën e tij. Më pas ministri e njohu z. Barrot me hapat e mëtejshëm të reformës në drejtësi, e cila synon të krijojë një sistem drejtësie lehtësisht të administrueshëm dhe në të cilin besimi i publikut do të rritet. Më tej, ai e njohu bashkëbiseduesin e tij me ligjin e dosjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit. Në përfundim të takimit, z. Barrot premtoi se Shqipërisë nuk do t’i mungojë ndihma e Komisionit Evropian. “Po iki nga Shqipëria me mendimin se këtu ka ndodhur një evolucion pozitiv dhe sigurisht këto arritje tuajat do t’i raportoj në Bruksel”, - përfundoi z. Barrot.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›