Përcillet për në banesën e fundit Fatmir Xhindi
Mijëra qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit deputetit Fatmir Xhindi. Familjarët, kolegët, miqtë dhe të afërmit, por edhe qytetarë të thjeshtë zhvilluan dje homazhe përpara trupit të pajetë të deputetit të vrarë dy ditë më parë në qytezën e Roskovecit, në oborrin e shtëpisë së tij. Në mjediset e Pallatit të Kulturës të Roskovecit, bashkëshortja dhe tre fëmijët e të ndjerit, mijëra qytetarë të Roskovecit, të cilët për 12 vjet i besuan votën përfaqësuesit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë, janë përkulur me nderim. Arkivoli i të ndjerit ishte mbushur me kurora. Mes mijëra qytetarëve, të pranishëm në homazhe ishin edhe krerët e shtetit, të cilët shprehën ngushëllimet e tyre për familjarët e afërt. Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, ministra, krerë institucionesh etj. zhvilluan homazhe në nderim të deputetit të vrarë.
Përpara mijëra pjesëmarrësve, kryetari i PS-së, Edi Rama, mbajti fjalën e lamtumirës. Rama vlerësoi lart kontributin e Fatmir Xhindit. “Fatmir i dashur! Kemi ardhur për të të përcjellë në banesën e fundit, pa e ditur arsyen e ikjes tënde nga kjo botë, ku së bashku kaluam plot vite, punuam, folëm e qeshëm, e ku për të gjithë ti ishe “xhindi zemërmirë e gojëmbël” që jetonte mes punëve të fshatit e Kuvendit të Shqipërisë, pa prishur kurrë qejf me askënd”, - tha ai.
Kreu i PS-së u shpreh se Xhindi u nda nga jeta në mënyrë jo të drejtë. “Ky është një moment kur edhe më mosbesuesi nga ata që të njohën do të donte me gjithë forcën e shpirtit që të kishte një Zot. Një Zot për ta ndihmuar drejtësinë për të bërë drejtësi me një fuqi të re. Një Zot për ta bërë dritë shpirtin tënd e për të të dhënë me pafundësinë e asaj bote atë që kjo bota jonë ta kurseu kaq padrejtësisht... Lamtumirë “xhindi ynë zemërmirë e gojëmbël...!”, - shtoi Rama.
Mbas përfundimit të homazheve, trupi i të ndjerit u transportua në varrezat e fshatit Kurjan, 7 km larg Roskovecit, ku u zhvillua dhe ceremonia mortore. Fshati Kurjan është fshati i lindjes i të ndjerit Xhindi. Mbrëmjen e së shtunës, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, u vra me armë zjarri rreth orës 21:15, pranë shtëpisë së tij në qytezën Roskovec, rreth 18 km larg qytetit të Fierit.
Jeta e Fatmir Xhindit
Fatmir Xhindi ishte një nga deputetët me jetëgjatë në Kuvend. Ai ishte deputet i Partisë Socialiste, i zgjedhur për të tretën herë në një nga zonat e qarkut të Fierit. Xhindi ka një kontribut të gjatë në PS, që nga themelimi i saj në vitin 1991. Ai ka lindur më 1 prill të vitit 1960. Xhindi ishte babai i tre fëmijëve.
Në vitet 1989-1991, Xhindi ka qenë kryetar i Këshillit të Bashkuar Kurjan, Fier, si dhe në vitet 1992-1996, kryetar i komunës Kurjan, Fier. Që prej vitit 1996 e në vazhdim, Xhindi ishte anëtar i Kryesisë së PS-së, Fier; anëtar i Këshillit Socialist të Qarkut Fier; anëtar i Komisionit për Pushtetin Vendor pranë Asamblesë së PS-së. Ai ka marrë pjesë në Komisionin e përhershëm parlamentar të Rendit Publik, të komisionit hetimor parlamentar “Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave”, si dhe në legjislaturën aktuale ishte anëtar i Komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Xhindi ka qenë i përhershëm në Kuvend, mungesat e tij në seanca plenare dhe punimet e komisioneve kanë qenë minimale.
Reagimet, KE: Fajtorët, sa më parë para drejtësisë
Komisioni Evropian ka dënuar ashpër vrasjen e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindit. Në një komunikim për mediat, komisioneri i Zgjerimit Olli Rehn, deklaroi se përgjegjësit e kësaj ngjarjeje duhet të shkojnë sa më parë para drejtësisë. “Dënoj me vendosmëri vrasjen e Fatmir Xhindit dhe u kërkoj autoriteteve kryerjen e hetimeve të hollësishme si edhe dërgimin e fajtorëve përpara drejtësisë”, - deklaroi Rehn. Ai tha më tej në deklaratën e tij se KE-ja kërkon hetime të hollësishme në lidhje me ngjarjen. Krahas reagimit të KE-së, të tilla kanë ardhur edhe nga organizata të tjera. Avokati i Popullit, Dobjani, kërkoi që përgjegjësit të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë. Njëkohësisht edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuar zbardhjen sa më parë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve të krimit, si dhe dënoi ashpër këtë krim.
Topi: Një akt kriminal i pashembullt
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ngushëlloi dje familjarët për humbjen e njeriut të tyre të dashur, deputetit Fatmir Xhindi. Topi tha se kjo ngjarje ishte një akt kriminal i pashembullt që duhet të zbardhet sa më parë. “Kjo ngjarje jashtëzakonisht e rëndë është një akt kriminal i pashembullt që duhet zbardhur pa humbur kohë, duke u dhënë autorëve përgjigjen e merituar. Në këto momente të rënda, dëshiroj të ndaj me ju, por edhe me kolegët e deputetit Xhindi, dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të babait të tre fëmijëve, birit, bashkëshortit e vëllait, që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve për korrektësinë, seriozitetin dhe kontributin profesional e njerëzor”, - tha Topi.
Berisha: Çdo gjë për të gjetur dorën e zezë të krimit
Kryeministri Sali Berisha shkoi dje në banesën e të ndjerit Fatmir Xhindi, ku ngushëlloi të afërmit dhe familjarët për humbjen e tyre. Berisha tha se qeveria do të bëjë çdo gjë që të zbulohen autorët. “Unë erdha për t’i shprehur ngushëllimet familjes si dhe për të siguruar se kjo qeveri do të bëjë çdo gjë për të gjetur dorën e zezë të krimit, autorin apo autorët, të cilët qëlluan prapa shpine dhe ekzekutuan deputetin Fatmir Xhindi, në pragun e derës së shtëpisë së tij. Ne nuk do të lëmë pistë hetimi, do të mobilizojmë të gjitha llojet e mjeteve në mënyrë që të kapim sa më shpejt autorin apo autorët e këtij krimi të shëmtuar. Edhe një herë, jam këtu për t’u shprehur ngushëllimet qytetarëve të Roskovecit, familjes dhe miqve, të afërmve të deputetit Xhindi”, - tha Berisha.
Topalli: Krimi ngriti dorën mbi Parlamentin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje homazhe pranë trupit të të ndjerit Fatmir Xhindi si dhe ngushëlloi familjarët për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Topalli deklaroi se të gjithë së bashku duhet të ndihmojnë institucionet, pasi sipas saj, kjo ngjarje nuk goditi vetëm Fatmirin, por Parlamentin. “Unë edhe një herë gjej rastin të përsëris ngushëllimet më të sinqerta familjes, qytetit, kolegëve, të afërmve të dashur, në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. E përsëris edhe një herë, kërkesën që të gjithë të mbështesim policinë dhe institucionet e specializuara. Unë jam e sigurt që ata që kanë guxuar të ngrenë dorën jo thjesht kundër Fatmirit, po kundra Parlamentit, do të marrin ndëshkimin më të egër që është marrë ndonjëherë, dënimin më të egër që parashikon ligji”, - tha Topalli.