Devoll, arrestohet doganieri për kafen kontrabandë
Kiriasko Feta ishte shpallur në kërkim dy muaj më parë pasi lejoi të kalonin 27 tonë kafe kontrabandë në Kapshticë
DEVOLL- Një doganier, i cili ishte shpallur në kërkim gati dy muaj më parë, është arrestuar dje nga policia e Devolllit. Kiriasko Feta, me detyrë doganier pranë Doganës së Kapshticës, akuzohej se kishte kaluar një maune me kafe pa e peshuar.
Por ai i kishte shpëtuar policisë duke u arratisur në Greqi. Kafeja kontrabandë që ka depërtuar në thellësi të doganës shqiptare në Kapshticë ka qenë ndër më të mëdhatë e sekuestruara të paktën në pesë vitet e fundit.
Sasia e konsiderueshme e kafes që ka hyrë në mënyrë klandestine, ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të një mauneje me rimorkio ndërsa policia gjatë asaj dite ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit, ndërkohë që është shpallur në kërkim pronari i firmës për llogari të të cilës ka hyrë kafeja kontrabandë si dhe doganieri që tanimë ka përfunduar në burg. Apostol Hali nga Korça është i vetmi i shpallur në kërkim ende i lirë i cili është njëherësh dhe pronar i firmës që ka futur kafenë kontrabandë.
Dyshohet që Hali i cili është rifutur në Greqi pas bllokimit të mjetit me sasinë e kafesë, bashkëpunonte edhe me persona të tjerë. Në datën 07.03.2009 policia e juglindjes ka prangosur Sokol Vukatana, 41 vjeç, banor i qytetit të Korçës i cili drejtonte maunen me targa "KO 7078 B" me rimorkio në të cilën janë gjetur plot 27 ton kafe kontrabandë.
Vukatana gjatë deponimeve të tij në polici ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për shtresën e dyfishtë të dyshemesë së mjetit dhe aq më tepër për ngarkesën e cila sipas policisë është sistemuar në portin grek të Selanikut.
Por gjatë asaj kohe ka mundur t'i shpëtojë arrestimit dhe doganieri Feta i cili gjatë ditës së ngjarjes kryente detyrën si doganier tek peshorja dhe nuk e ka peshuar mjetin. Pas sekuestrimit të kafes ai ka lënë detyrën duke u larguar për t'iu fshehur uniformave blu. Mbi Fetën rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës", teksa policia lokale bën të ditur se pritet dhe arrestimi i pronarit të mallit kontrabandë i cili gjithashtu ishte shpallur në kërkim në një ditë me doganierin.