Plazhi i Gjeneralit, në gjyq Vatnikaj dhe zyrtarët e AKKP-së
Të pandehurit akuzohen për tjetërsimin e një prone prej 48 hektarësh tokë në Gjirin e Gjeneralit. Dosja pritet së shpejti të depozitohet në sekretarinë gjyqësore të Gjykatës së Tiranës
Përfundojnë hetimet për tjetërsimin e 48 ha tokë në Plazhin e Gjeneralit, dosja pritet të mbërrijë së shpejti në gjykatë për t’iu nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat bëjnë të ditur se në gjykatë do të shkojnë si të pandehur pesë ish-zyrtarë dhe një biznesmen, të cilët tentuan të vidhnin dhe të tjetërsonin një pronë rreth 480 metra katrorë tokë. Njësia e Task-Forcës i ka dhënë fund dhe ka mbyllur hetimet disamujore, duke dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të gjashtë të pandehurve. Ata janë ish-kreu i Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, Fatos Gjuzi, me detyrë ish-kreu i Hipotekës Kavajë, Ali Aliaj punonjës i Agjencisë Kombëtare të Kthimit të Pronave, Petrit Kulloli punonjës në të njëjtën zyrë, avokati Gjergj Hyso, Alban Xhillari, biznesmen. Nga hetimet disamujore të kryera nga ana e organit të akuzës të pandehurit akuzohen për falsifikim, me kërkesën e kthimit të pronës të hartuar në emër të ish-pronarëve Nexhmi e Jonuz Shijaku. Po ashtu, sipas akuzës, të pandehurit kanë falsifikuar edhe dokumente të vjetra të pronësisë dhe plan-vendosjen e sipërfaqes së tokës. Gjithë përmbajtja e dosjes mësohet se ka qenë e falsifikuar, ndërsa mbi këtë dokumentacion, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) kishte miratuar procedurën dhe më pas kishte vendosur kthimin e pronës. Nga ana tjetër, hipoteka e ka regjistruar atë, ndërsa topografët kanë bërë verifikim të rremë në terren, duke zhvendosur tokën në dokumente, nga Mali i Robit tek Gjiri i Gjeneralit. Nga verifikimi i dokumenteve të bëra nga prokuroria është faktuar se në emër të ish-pronarëve të familjes Shijaku, është aplikuar duke falsifikuar firmat e anëtarëve të familjes. Të pandehurit akuzohen nga prokuroria për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare me qëllim tjetërsimin e pronës në bashkëpunim”. Në ditët në vazhdim pritet që kjo dosje të depozitohet në sekretarinë gjyqësore, të hidhet në shortin elektronik për t’iu caktuar një gjykatësi, i cili do të gjykojë çështjen në themel. Ish-kreu i AKKP-së u shkarkua nga detyra më datë 21 janar të këtij viti, me vendim të qeverisë, pa asnjë lloj argumenti për largimin nga detyra. Në vend të Vatnikaj si kryetar i AKKP-së, u emërua Elvis Cefa.
Akuza
Prokuroria kishte disa muaj që kishte nisur hetimet në lidhje me këtë çështje, ku ka rezultuar se të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke përfituar një familje në mënyrë të paligjshme rreth 450 dynymë tokë në zonën e Komunës Synej dhe konkretisht te “Plazhi i Gjeneralit” dhe “Kalaja e Turrës”. Prokuroria mori nën hetim rreth 10 persona pas zbulimit të skandalit të “Plazhit të Gjeneralit”. Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën, ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim, pasi kanë “mashtruar” me procedurat. Ata kanë hartuar planvendosjen dhe dokumente të tjera që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Sipas hetimeve të kryera, janë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me dosjen e aplikimit për kthimin e pronës. Tashmë, sipas burimeve nga akuza, hetuesit janë në përfundim të hetimeve dhe shumë shpejt dosja pritet të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Mësohet se vartësit e Vatnikajt kanë “fundosur” këtë të fundit me deklarimet e tyre, pasi ish-kreu i AKKP-së është munduar të fajësojë ata për miratimin e procedurës.