E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli përgjysmon dënimin për Ilir Pajën, mjeshtrin e arratisjeve nga burgu

TIRANë- Ilir Paja, beratasi që mundi të arratisej dy herë nga burgjet italiane është dënuar vetëm me 6 vjet e tetë muaj nga Gjykata e Apelit për krime të rënda në Tiranë. Pesëshja gjykuese ka vendosur ti përgjysmojë dënimin të pandehurit Paja, duke e cilësuar fajtor për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.

Ilir Paja, ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie nga gjykata e Krimeve të Rënda. Ngjarja për të cilën dënohet Ilir Paja ka ndodhur me 6 mars 2008 pranë farmacisë numër 10. Tentativa për t'i shpëtuar sërish prangave të policisë, ka detyruar të shumë kërkuarin të përplasë me automjet një agjent policie që i kishte "zënë" rrugën, por kolegët e tij e kanë qëlluar me pistoletë duke e lënë edhe atë të plagosur.

Në operacion mbeti i plagosur agjenti Bledi Haxhimali. Ilir Paja u bë i njohur për arratisjet e tij nga burgjet e Italisë. Arratisja e parë e shqiptarit u krye në qershor të vitit 2006 kur ai kishte rreth gjashtë muaj që ishte izoluar në burgun e Perugias. Me çarçafët e dhomës ai krijoi një litar rreth dhjetë metra të gjatë dhe më 11 qershor të vitit 2006 kur ai bashkë me të burgosurit e tjerë kishin dalë në oborrin e burgut gjatë orës së ajrimit, u arratis. Më shumë se tre muaj zgjati liria e Pajës në arrati, pasi policët e arrestuan sërish në një nga provincat e Milanos. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe Paja do të arratisej sërish.Teksa po transferohej me një ambulancë nga njëri burg tek tjetri ai ka përfituar nga një ndalesë në autostradë për t'iu shmangur rojeve të policisë dhe të arratisej. Në Itali Ilir Paja akuzohej për vrasje, trafik droge, vjedhje të vilave, rrëmbim personi, dhunë seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni. Arrestimi i tij në Itali u bë me kërkesë nga policia gjermane për një vrasje në Duisburg të Gjermanisë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›