E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i Cërrikut debat prokurori-avokat

Me një debat mes prokurorit dhe avokatit ka nisur gjyqi i Bandës së Cërrikut në Gjykatën për Krime të Rënda. Avokati i të pandehurve, Sajmir Visha ka hedhur akuza ndaj prokurorit duke pohuar se ndaj avokatëve është ushtruar presion me anë të SHIK. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i prokurorit Anton Martini i cili ka pohur se thenia e avokatit Visha është një shpifje dhe se do të të mbajë qendrimin e duhur ligjor për këtë. Ndërkohë një tjetër debat mes juristëve ka qenë edhe peticioni i ministrit Bujar Nishani dërguar Dhomës së Avokatisë për marrjen e masave ndaj avokatëve që bëhën pengesë për shtyrjen e seancave gjyqësore në Gjykatë. Por pas përfundimit të këtij debati ka nisur dëshmia në gjyqin e Cërrikut të një ish gardisti. Një dëshmi e Shpend Haklajt që tregon orët e tmerrit në Masakrën e Cerrikut të marsit 1997 ku mbetën të vrarë 6 gardistë. Haklaj ka risjellë edhe njëherë marsin e 1997 kur ai me detyre gardist së bashku me kolegët është nisur në Cërrik për të vendosur normalitet në qytetin e trazuar nga ngjarjet e asaj kohe. Haklaj tha se ishin katër blinda dhe dy transportues që u nisen drejt Cërrikut. "Sa iu afruan qendrës së qytetit, jemi ballafaquar me shkëmbim të fortë zjarri, por ne nuk jemi kundërpërgjigjur pasi ishim pajisur vetëm me pistoleta" pohoi ish gardisti duke treguar më pas edhe vrasjen e kolegëve të tij dhe marrjen e trupave. Gjyqi ndaj bandës së Cërrikut ka në cilësinë e të pandehurit shtetasit Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Ata akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje kjo e ndodhur më 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosën 9 punonjës të Policise së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›