Apeli rikonfirmon burgun përjetë për Kastriot Jaupin

VENDIMI/ Vrasësi i oficerit vlonjat, Ilir Ngresi, nuk ka mundur t'i shpëtojë burgimit të përjetshëm
VLORË - Gjykata e Apelit në Vlorë rikonfirmon dënimin me burgim të përjetshëm për Kastriot Jaupajn, njeriu që akuzohet për vrasjen e ish-shefit të krimeve të Beratit, oficerin vlonjat të policisë Ilir Ngresin. Çështja ka kaluar për rishqyrtim me kërkesën e të pandehurit, ndërkohë që është gjykuar nga një treshe gjyqtarësh nga Korça.
Gjykimi i tillë është vendosur, pasi vëllai i Ilir Ngresit, për vrasjen e të cilit u dënua Jaupaj, është gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Ky ka qenë dhe shkaku që së bashku me kërkesën e rishqyrtimit të vendimit për burgim të përjetshëm, përfaqësuesi ligjor i të akuzuarit ka pretenduar për transferimin e çështjes nga Gjykata e Apelit të Vlorës, në një institucion tjetër homolog.
Në seancën e djeshme janë dëgjuar edhe njëherë palët, ku ajo e përfaqësuar nga avokati i Jaupajt ka pretenduar për një proces jo të rregullt dhe jo ligjor, nisur nga mosnjoftimi i të akuzuarit në shkallë të parë, kur ai ishte i arrestuar në Spanjë. Në fund të seancës, treshja e gjyqtarëve nga Korça, Kasuli, Orham e Mullaj, nën drejtimin e Anesti Kasuli, ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, burgim përjetë për Kastriot Jaupaj.
Në vendimin e saj të datës 4 korrik 2003, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë kishte vendosur deklarimin fajtor të Kastriot Jaupit për kryerjen e veprës penale të "vrasjes" me paramendim në bashkëpunim dhe me përdorim të armës së zjarrit të ushtarakut Ilir Ngresi dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm; deklarimin fajtor për kryerjen e veprës penale të "vrasjes" me paramendim në bashkëpunim të mbetur në fazën e tentativës të ushtarakut Ilir Ngresi më dt.07.09.2000 dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim; deklarimin fajtor për kryerjen e veprës penalë të "vrasjes" me paramendim në bashkëpunim të mbetur në fazën e tentativës të policit Artimond Jaupi me dt.07.09.2000 dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim; deklarimin fajtor për kryerjen e veprës penale të "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim.
Në bashkim të veprave penale e të dënimeve, i cili përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar përfundimisht i pandehuri Kastriot Jaupi u dënua me një dënim të vetëm: burgim të përjetshëm.
Kastriot Jaupi, 33 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e majorit të policisë, Ilir Ngresi, erdhi në Shqipëri i ekstraduar ne tetorin e vitit 2008 ku tashmë vuan dënimin burg përjete.
U deshën plot 7 vite që Spanja të jepte miratimin për ekstradimin në vendlindje të Kastriot Jaupit, i dënuar përjetë për vrasjen e Ngresit dhe për një mori akuzash të tjera. Jaupi ka disa akuza për vrasje e plagosje, por më e rënda është ajo e ekzekutimit në Vlorë të ish-shefit të Krimeve të Beratit, Ilir Ngresi, në dhjetor të vitit 2000. Shkaku ishte rihapja e hetimeve për ngjarjet e vitit 1997 nga Ngresi, por mbartte edhe motive hakmarrjeje.
Ngresi kishte marrë pjesë në një operacion pranë Urës Vajgurore në vitin '97 kur u vra Ilir Jaupi, vëllai i Kastriotit. Ngresi ishte personi i drejtpërdrejtë që u akuzua nga Jaupajt për vrasjen e Ilirit. Në fakt, përfshirja e Kastriot Jaupit në botën e krimit është më e hershme, kur së bashku me të vëllanë bënte pjesë në bandën e Altin Dardhës.
Pazaret sollën hasmëri edhe brenda vetë bandës dhe Kastrioti me të vëllanë u përfshinë në fraksionin kundërshtar të Altin Dardhës. Kastriot Jaupi rezulton i tërhequr nga banda pas vitit '97, por rihapja e një dosjeje ku ai akuzohej për vrasje e riaktivizoi. Dosja ishte mbyllur në vitet 1998-1999 dhe u rihap në vitin 2000, pas ardhjes së Ngresit si shef krimesh në Berat.
Rreth tre muaj para vrasjes, Kastriot Jaupi me persona të tjerë kishte organizuar pritën ndaj Ngresit dhe shoferit të tij Artimond Jaupi, por edhe pse qëlluan me breshëri vetëm një nga plumbat mundën ta kapnin oficerin Ilir Ngresi, por pa rrezik për jetën e tij. Pas kësaj ngjarjeje Artimond Jaupi u largua nga Shqipëria, pasi rrezikohej seriozisht jeta e tij nga hakmarrja e Kastriot Jaupit.
Ky i fundit nuk është ndalur këtu. Ai, pas më shumë se tre muajsh ka shkuar në Vlorë së bashku me Dritan Zhukën, i njohur ndryshe si "Shuaipi" dhe pasi kishin siguruar makinën me targa të Vlorës, e cila ishte në pronësi të Renato Beqirajt, ata gjetën vendndodhjen e Ngresit te bar "Shelgu", i cili kishte ardhur pranë familjes ndërsa kryente detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë së Delvinës.
Për realizimin e krimit të dy autorët largohen nga rruga kryesore dhe futen në rrugën para shkollës "Ismail Qemali" dhe në afërsi të kryqëzimit parkojnë veturën. Të dy, më këmbë, pasi përshkojnë rrugën që të çon direkt te vendi i ngjarjes, i afrohen viktimës pas shpine.
Ndërkohë, viktima qëndronte i ulur në tavolinën e cepit të verandës së lokalit, së bashku me shokun e tij, Besnik Tare, duke pirë kafe.
Si ekzekutor i drejtpërdrejtë është akuzuar edhe Dritan Zhuka, i thirrur me nofkën "Shuaipi", i cili u vra gjatë një rrethimi të forcave speciale në shtator të vitit 2001. Jaupi, me dokumente false, largohet në Maqedoni dhe prej këndej në Itali dhe Spanjë.