E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet procesi për Ruzhdien, komisionerët kërkojnë mbrojtës

MANIPULIMI/ Ish-komisionerët e PD-së kanë kërkuar dy javë kohë për të gjetur avokatët e tyre për çështjen


FIER - Procesi gjyqësor për shkeljet e kryera gjatë votimeve në komunën e Ruzhdies është shtyrë sërish ditën e djeshme. Që në fillim të seancës dy nga komisionerët e Partisë Demokratike kanë kërkuar kohë për të siguruar mbrojtësin e tyre ligjor dhe për këtë është vendosur edhe shtyrja e gjyqit për në datën 26 prill.


Të pranishëm në këtë seancë gjyqësore ishin Bujar Kararaj, Shezai Kararaj, Veledin Myftari, Robert Myftari dhe Pëllumb Myrtaj, komisionerë të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Ata kërkuan një afat kohor prej dy javësh në mënyrë që të përzgjidhnin avokatët që do t'i mbronin.


Ndërkohë Pëllumb Ferzaj dhe Qazim, komisionerë të PS-së në zgjedhje, ishin të pranishëm në sallën e gjyqit bashkë me avokatët e tyre. Në sallë mungon ish-komisioneri Ervin Myftari, nga i cili është pretenduar se nuk kishte marrë njoftim për seancën gjyqësore.


I pandehur në këtë çështje gjyqësore është edhe shtetasi Elmaz Banaj, i cili akuzohet nga prokuroria se ka votuar më shumë se një herë. Banaj nuk u paraqit dje në sallën e gjyqit, ndërkohë që nga gjyqtari i çështjes, Roland Jaupaj u vendos shtyrja e procesit gjyqësor për në datën 26 të muajit prill.


Akuzat e ngritura ndaj komisionerëve të komunës së Ruzhdies janë shpërdorim detyre, si dhe falsifikim i rezultateve të zgjedhjeve. Komisionerët e Partisë Demokratike u denoncuan nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste çka bëri që ndaj tyre të fillonin hetimet.


Një gjë e tillë bëri që të zbardhej edhe fakti se shumë prej personave të cilët rezultonin se kishin votuar më datën 28 qershor, në të vërtetë ndodheshin jashtë shtetit. Gjithashtu probleme rezultuan edhe me numrat e pasaportave, si dhe të kartave të identitetit, të cilat nuk përputheshin me ato realitet.


Shumë prej fletëve të votimit ishin edhe me vetëm një vulë. Nga ana e prokurorisë është deklaruar se është arritur të vërtetohet se ka pasur edhe persona që kanë votuar më shumë se një herë në komunën e Ruzhdies.


Një gjë e tillë ka bërë që komisionerët demokratë të vihen përpara përgjegjësisë. Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 në komunën e Ruzhdies pati konflikt mes komisionerëve të majtë dhe të djathtë, ku të parët deklaruan se ishin kërcënuar.


Një gjë e tillë bëri që ata të largoheshin nga qendra e votimit, por procesi vijoi vetëm me komisionerët e djathtë. Denoncimi i kryer kundër tyre çoi edhe në zbardhjen e një prej mashtrimeve më të mëdha të kryera gjatë këtyre zgjedhjeve dhe që është kthyer edhe në kryefjalën e politikës shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›