Apeli rrëzon dosjen ndaj Lulzim Bashës
Fatos Mahmutaj
Gjykata e Apelit e kryeqytetit i dha dje formë të prerë vendimit të Faktit që shpalli të pavlefshëm çdo veprim hetimor të kryer me dosjen “Durrës-Kukës” pas datës 6 nëntor 2008, duke i hequr Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha statusin e të pandehurit. Në një seancë që zgjati rreth 30 minuta me dyer të mbyllura, trupi gjykues, relator i të cilit ishte gjykatësi Pajtim Hoxha, dëgjoi pretendimet e avokatit të Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha dhe prokurorisë, nga të cilët, i pari kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Faktit ndërsa akuza rrëzimin e këtij vendimi. Gjatë gjithë kohës, procesi u monitorua nga përfaqësuesi i misionit Euralius, Erion Fejzulla. Seanca e djeshme e shtyrë nga data 27 janar ishte caktuar të fillonte në orën 09:00 të mëngjesit të djeshëm, por shqyrtimi i dorëheqjes së dy gjykatësve, Tom Ndreca dhe Dalip Bushi, u bë shkak për një vonesë rreth 20 minuta. Pas kësaj, gjykatësi i mbetur në këtë dosje, Pajtim Hoxha, priti derisa shorti elektronik i hedhur në këtë institucion përcaktoi dy kolegët e tij Artur Kalaja dhe Flutura Skënderi, të cilët u bënë pjesë e kolegjit penal.
Vendimi në Apel
Pas prezantimit të trupit gjykues dhe rënies dakord të palëve me togat e zeza, prokurori i çështjes parashtroi në proces arsyet pse kërkonte prishjen e vendimit të faktit. Sipas prokurorit, Gjykata e Shkallës së Parë kishte vepruar në kundërshtim me ligjin kur kishte vendosur pranimin e kërkesës së Bashës, që shpallte të paligjshme veprimet procedurale të kryera pas datës 6 nëntor 2008. Sipas tij, fletëthirrja e dërguar ministrit Basha për t’u paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme ishte e vlefshme, po kështu edhe akti i dërgimit me postë të akt-akuzës në ngarkim të tij. Ndërkohë, avokati i Bashës kundërshtoi pretendimet e paraqitura nga përfaqësuesi akuzës, duke kërkuar rrëzimin e tyre dhe lënien në fuqi të vendimit të Faktit.
Procedurat
Pas kësaj gjykata u tërhoq për vendim dhe pak minuta më vonë shpalli se linte në fuqi vendimin penal të Gjykatës së Faktit, shpallur më 15 dhjetor 2008 nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili akuzohet të ketë abuzuar me detyrën gjatë kohës që ka drejtuar Ministrinë e Transporteve, kërkoi në Gjykatën e Tiranës shpalljen të pavlefshme të dy akteve procedurale të Prokurorisë së Përgjithshme, që kishin të bënin me njoftimin e akuzës dhe thirrjen e tij në prokurori për t’u njohur me dosjen në ngarkim të tij. Kjo kërkesë e ministrit, e paraqitur në gjykatë nga avokati i tij, u pranua nga gjykata, e cila shpalli të pavlefshëm çdo veprim procedural të kryer pas datës 6 nëntor 2008, si pasojë e skadimit të afateve ligjore hetimore. Ky vendim u apelua nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentimin se është Gjykata e Lartë kompetente për të shqyrtuar kërkesat penale të bëra nga personat që gëzojnë imunitet, sikurse parashikohet në nenin 141 të Kushtetutës. Ndërkohë pas vendimit të djeshëm, prokurorisë i duhet t’i dërgojë sërish fletëthirrje Bashës, ndërsa dosja ndodhet në Gjykatën e Lartë.
Vendimi i Gjykatës së Lartë kundër nenit 342
Prokuroria e Përgjithshme tha dje se vendimi i Gjykatës së Lartë për të shtyrë gjyqin ndaj Lulzim Bashës më 27 shkurt 2009, është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. “Gjykata e Lartë ka marrë dosjen për ta shqyrtuar atë në themel dhe me këtë gjykim, shtyrja e gjyqit nuk mund të ishte më shumë se 14 ditë nga një seancë në tjetrën. Një procedurë e tillë ligjore vendoset nga neni 342 i Kodit të Procedurës Penale me titull: Gjykimi i pandërprerë dhe me pikat e mëposhtme: 1. Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë të vetme, gjykata vendos që të vazhdojë ditën e mëpasshme të punës. 2. Gjykata mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, vetëm për arsye të veçanta, deri në pesëmbëdhjetë ditë”, tha Prokuroria.
Prokuroria: Apeli kundërshtoi vetveten, do të bëjmë rekurs
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme, e cila hetoi dosjen “Durrës-Kukës” dhe dërgoi në gjykatë si të pandehur ministrin Basha dhe ish-vartësin e tij Andi Toma, e konsideroi dje të parregullt vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit. Sipas organit qendror të akuzës, vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Apelit është në kundërshtim me një tjetër vendim të dhënë më parë nga e njëjta gjykatë. Në dhjetor 2008, Gjykata e Apelit, me kërkesë të Andi Tomës dhe Armand Telitit, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, të cilat njihnin si kompetente Gjykatën e Lartë për shqyrtimin e dosjes “Durrës-Kukës”. Një vendim i tillë u arsyetua atëherë me faktin se i pandehuri kryesor i dosjes ishte Lulzim Basha, person me imunitet dhe për këtë shkak, çështja duhej shqyrtuar në Gjykatën e Lartë, e cila ka kompetencën e gjykimit për personalitete të tilla që gëzojnë mbrojtje parlamentare. Pas kërkesës së bërë fillimisht në Shkallën e Parë, Gjykata e Apelit vlerësoi se kompetente për çështjen ishte Gjykata e Lartë. “Megjithatë vetëm një muaj më pas, për të njëjtën çështje, Gjykata e Apelit duket se mban qëndrim të ndryshëm, duke gjetur veten kompetente dhe duke dhënë një vendim të dytë që kundërshton të parin”, tha Prokuroria e Përgjithshme. Sipas saj, vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit për konsiderimin si të pavlefshme të aktakuzës ndaj Lulzim Bashës, do të trajtohet me rekurs në Gjykatën e Lartë. Prokuroria tha se në seancën e djeshme nuk është bërë paraqitje para palëve as për procesverbalin e shortit, me anë të të cilit u zgjodhën dy gjyqtarët pas tërheqjes së togave të zeza javën e shkuar. Prokuroria konfirmoi se për shkaqet ligjore të përmendura më lart, vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit do të ankimohet në Gjykatën e Lartë, ku do të bëhet rekurs konform procedurave dhe afateve ligjore. tr.so
“Basha”, zëvendësohen gjyqtarët e dorëhequr
TIRANE – Seancën e datës 27 janar, në Apelin e kryeqytetit, kur ishte caktuar për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme kundër vendimit të Faktit, dy prej gjykatësve përbërës të kolegjit penal dhanë dorëheqjen. Dalip Bushi dhe Tom Ndreca pohuan se hiqnin dorë nga gjykimi i kësaj kërkese, pasi më parë kishin marrë pjesë në gjykimin e një kërkese të bërë nga Armando Teliti dhe Andi Toma, të bashkëhetuar me Lulzim Bashën. Pas paraqitjes së dorëheqjes, gjykatësi relator i çështjes Pajtim Hoxha urdhëroi që seanca e radhës do të zhvillohej në orën 09:00 të mëngjesit të djeshëm. Dje, kreu i Gjykatës së Apelit të kryeqytetit shqyrtoi dorëheqjen e dy gjykatësve Ndreca dhe Bushi dhe pasi i pranoi ato urdhëroi hedhjen e shortit elektronik, për të përcaktuar dy toga të zeza të tjera, për të marrë pjesë në gjykim. Pas shortit u përcaktuan emrat e gjykatësve Artur Kalaja dhe Flutura Skënderi. Në momentin e prezantimit të trupit gjykues, asnjë prej palëve nuk shprehu rezerva për ta, duke pranuar përzgjedhjen e bërë në mënyrë elektronike. I gjithë procesi u monitorua nga përfaqësuesi i Euralius, ndërsa trupi gjykues pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi të linte në fuqi vendimin e dhënë në Gjykatën Penale të Tiranës, mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar. fa.ma.