Pushtetarët dhe flluskat e sapunit
Bledar Kurti*
Ne jemi si ju. Ne mendojmë për ju. Ne punojmë për të ndryshuar vendin tonë të dashur dhe të ardhmen e fëmijëve tanë", shprehen dhe aktrojnë shumë prej pushtetarëve tanë. Por realiteti i një pushtetari apo politikani në butësinë e karriges prej lëkure dhe në ngrohtësinë e ambienteve luksoze që e rrethojnë dallon dukshëm dhe trishtueshëm nga realiteti i një qytetari apo fshatari të thjeshtë. Ky realitet dypolësh ngjason me "Fermën e kafshëve" të Orwell-it, ku kafshët punëtore dhe të dhunuara jetonin nën ligjin e hartuar prej derrave qeverisës, i cili thoshte se "Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta sesa të tjerat".Të izoluar në realitetin brenda flluskës së tyre, pushtetarët dhe politikanët tanë janë të shkëputur tërësisht prej realitetit shqiptar, madje kjo botë virtuale që përqendrohet rreth vetes u ka turbulluar logjikën dhe vizionin për të mirën e atyre jashtë flluskave, të cilët i paguajnë rrogat, lukset dhe komoditetet.
Ndërsa realiteti shqiptar i një njeriu të thjeshtë është një makth i vërtetë, pushtetarët jetojnë në një realitet virtual duke qenë, siç thotë edhe Orwell-i "më të barabartë sesa të tjerët", që do të thotë më të privilegjuar përpara ligjit, mirëqenies ekonomike, standardeve të jetesës, edukimit, kujdesit shëndetësor dhe kënaqësive që ofron turizmi apo lëvizja e lirë jashtë vendit.
Në realitetin tragjik shqiptar një qytetar apo fshatar zgjohet në mëngjes me ankthin dhe ligështinë se me çfarë do ushqehen fëmijët e tij, se a do ftohen në kopshtet apo shkollat pa ngrohje, se a do mundet t'i përballojë blerjen e librave apo artikujve shkollorë. Ai qan me turp përpara fëmijës së tij, sepse nuk mund t'ia bëjë të lumtur fëmijërinë. Ai i lutet Zotit që t'i japi forcë që të punojë dhe të mos sëmuret, që fëmijët e tij të mos sëmuren, sepse si mund t'i përballojë shpenzimet në spitale dhe ilaçe. Ai shkon në punë me frikën therëse në zemër se mund të pushohet pa të drejtë nga puna dhe se nuk ka ku të ankohet, nuk ka se kush ta mbrojë. Ai nuk mundet ta shohë të ardhmen sepse jeton vetëm për sot, ekziston vetëm për sot, dhe ëndrrat për një jetë të mirë janë një luks në netët e errëta pa drita.
Një minator puth fëmijët e tij kur niset për në punë me frikën se nuk ka për t'i parë më, ndërsa një prind derdh djersë dhe gjak për të paguar universitetin e fëmijës. Një pensionist racionon ushqimin dhe kursen ngrohjen, ndërsa një person me aftësi të kufizuara endet i vetëm në labirintet burokratike të zyrave shtetërore në kërkim të një asistence sociale për të mbajtur veten gjallë. Në periferitë e qyteteve, nga mungesa e rrugëve, njerëzit martohen dhe varrosen në mes të baltës apo pluhurit dhe muajt e mjaltit jashtë vendit u tingëllojnë si përralla të magjishme që gjenden nëpër libra.
Në kontinentin më të zhvilluar dhe të kulturuar në botë, Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në Evropë. Ky është fakt. Kushdo që mendon ndryshe duhet ta njohë më mirë vendin e tij, ose i përket atyre që jetojnë në flluskën e realitetit virtual të privilegjeve që siguron karrigia politike apo përfitimet e ndërsjella të saj.
Në realitetin brenda flluskës së tij, një pushtetar nuk mendon për bukën e përditshme, por për sigurinë e jetës së pasardhësve të tij të brezit të shtatë. Fëmijët e tij edukohen në kopshte dhe shkolla private tejet të shtrenjta apo universitete jashtë vendit. Atij nuk i ndyhen këpucët me baltë, nuk ndjen gropat e rrugëve, nuk përjeton torturën e udhëtimit me autobusët e mbingarkuar, sepse ai transportohet me automjet luksoz nga shtëpia gjer në zyrë dhe anasjelltas. Në rast sëmundjeje ai dhe familja e tij vizitohen dhe kurohen në Romë, Athinë, Vjenë apo përtej, dhe nuk vuajnë kalvarin e kushteve të spitaleve shqiptare.
Ky darvinizëm social që aplikohet në realitetin migjenian shqiptar ka ndodhur edhe në vendet më të zhvilluara të botës, por një apo më shumë shekuj më parë. Kjo varfëri, ndrydhje ëndrrash dhe shpresash, nuk duhet të ketë vend në Shqipërinë e shekullit të 21-të. Pasojat e kësaj filozofie social-darviniste, pra "më i forti dhe më i privilegjuari fiton", ngrys edhe më tepër jetën e njeriut të thjeshtë, përdhos dinjitetin e jetës së moshës së tretë, dhe vret ëndrrat e brezit të ri. Për më tepër ajo krijon elita të rreme të së ardhmes. Për shkak të privilegjeve politike, ekonomike dhe edukative të pushtetarëve të sotëm, nesër, bijtë dhe bijat e tyre do krijojnë elita të rreme regresiste që do e udhëheqin vendin ashtu siç po e udhëheqin edhe sot prindërit e tyre. Ky paradoks realitetesh i sotëm do vijojë edhe nesër dhe flluskat e brishta të realiteteve virtuale, me kalimin e kohës do shndërrohen të patejshpueshme.
Ka ardhur koha që mjeranët të mos mashtrohen më. Të privilegjuarit dhe më të barabartët duhet të dalin nga vetë-izolimi parajsor dhe të ndryshojnë këtë realitet të hidhur të shqiptarëve. Vizioni për të ardhmen e një kombi lind nga njerëz që duan të jenë dhe jo të kenë, nga njerëz që duan të bëjnë histori dhe jo të kyçen brenda realitetit të rremë virtual të pushtetit dhe vetë-kënaqësive. Do jetë vetë historia ajo që do i flaki tutje këto flluska sapuni, të cilat do jenë shuar dhe ikur me erën e kohës.
*Pedagog në Universitetin
e Nju Jorkut, Tiranë