E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ministri në hetim për fondet

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-ministri i Punëve Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, merret në hetim nga Prokuroria e Beratit lidhur me fondet e akorduara për OJF-të e fëmijëve të ngujuar në Poliçan. Objekt i hetimeve është vjedhja dhe shpërdorimi i mundshëm i fondeve të dhëna nga ministria për shoqatat e strehimit të fëmijëve të ngujuar. Lajmi është konfirmuar dje nga burime zyrtare të Prokurorisë, sipas të cilave, dosja penale e abuzimit me fondet për shoqatat e fëmijëve të ngujuar është tërhequr në organin e akuzës në Berat pak ditë më parë, pas mbajtjes për disa muaj në Prokurorinë e Përgjithshme. Rikthimi i dosjes në Prokurorinë e Beratit është bërë pas largimit nga detyra të ministrit Kosta Barka. Në kohën kur ky i fundit mbante funksionin e Ministrit të Punës, Prokuroria e Beratit filloi hetimet dhe konstatoi se duhej verifikuar edhe pozicioni i ish-kreut të dikasterit, Kosta Barka. Mirëpo ai gëzonte imunitet për shkak të pozicionit që mbante si ministër ndërsa procedura kërkonte që dosja të merrej nga Prokuroria e Përgjithshme dhe kjo e fundit t’i drejtohej Gjykatës së Lartë për autorizim. Pasi Kosta Barka është larguar nga detyra e ministrit, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të rikthejë dosjen në Prokurorinë e Beratit, për shkak se kjo e fundit tanimë nuk ka pengesa proceduriale për hetimin e çështjes. Burime zyrtare nga Prokuroria, thanë se është marrë në hetim ish-ministri Kosta Barka si dhe disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Punës. Bashkë me ta, Prokuroria e Beratit e cila rimori dosjen në dorëzim është duke hetuar edhe personat e punësuar në qendrën e fëmijëve të ngujuar, si dhe disa pushtetarë lokalë që kanë pasur të bëjnë me fondet e akorduara për të miturit dhe adoleshentët në nevojë.            
Skandali me fondet
Abuzimet e mundshme me fondet në qendrën e strehimit të fëmijëve të ngujuar u bënë objekt i hetimeve të prokurorisë më shumë se gjashtë muaj më parë. Bashkia e Poliçanit dhe drejtuesit e qendrës depozituan padi penale, për shkak se me kërkesë të pushtetit lokal fondet që jepeshin për shoqatën që kishte strehuar fëmijët, fillimisht u ndërprenë e më pas i kaluan një organizmi tjetër. Pasi mori kallëzimet penale nga palët dhe u njoh me pretendimet për vjedhje, falsifikime dhe shpërdorime, Prokuroria e Beratit vendosi të fillojë hetimet. Gjatë verifikimeve, organi i akuzës arriti në përfundimin se fondet e dhëna nga buxheti i shtetit nuk ishin vënë në përdorim për trajtimin e fëmijëve por ishin keqpërdorur. Ky u konsiderua një dëm i shkaktuar shtetit ndërsa organi i akuzës pohon se Ministria e Çështjeve Sociale nuk e mbajti gjendjen në kontroll për të parë zbatueshmërinë e fondeve që akordoheshin për qendrën si dhe kushtet në të cilat mbaheshin fëmijët. Si pasojë e abuzimeve dhe skandalit që u bë publik në media, qendra u mbyll dhe fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja iu rikthyen jetës së vështirë dhe të izoluar pranë familjeve të tyre. Në fund të muajit janar, Ministria e Punës vendosi ta rihapë qendrën dhe ta marrë atë në administrim ndërsa Prokuroria është duke hetuar zyrtarët më të lartë të këtij dikasteri për shpërdorim detyre dhe shkaktim dëmi në arkën e shtetit. Hetimi në Prokurorinë e Beratit po ndiqet nga afër prej kryeprokurorit të rrethit Xhemal Saliasi.         

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›