E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori Rawat: Kështu do konkurojmë bankat e mëdha

 

Banka Ndërkombëtare Tregtare ka fituar çmimin “Banka e vitit 2008” nga revista “Bankers”. Në një intervistë për gazetën, kreu i bankës, Mahendra Singh Rawat, ka shpjeguar se ky çmim i jepej një banke duke u bazuar në parametra të ndryshëm të zgjedhur, përfshirë këtu madhësinë e bankës. Ndërkohë për sa i përket krizës globale që ka prekur shumë banka të mëdha në botë, kreu i  Bankës Ndërkombëtare Tregtare ka siguruar klientët e kësaj banke se nuk janë të prekur nga kjo krizë. “Banka jonë është mjaft e fuqishme dhe e pozicionuar mirë për të përballuar çdo sfidë të krizës financiare”, ka thënë Mahendra Singh Rawat.
Revista “Bankers” i ka dhënë Bankës Ndërkombëtare Tregtare çmimin “Banka e vitit 2008” në Shqipëri. Ky është trofeu i parë që merr banka juaj?
Jemi shumë të lumtur që kemi fituar këtë çmim. I gjithë stafi është i lumtur, sepse kjo është hera e parë në historinë 12-vjeçare që Banka Ndërkombëtare Tregtare fiton çmimin nga revista “Bankers”. Gjatë gjithë këtyre viteve ky çmim është fituar nga banka të mëdha si BKT (2006), Banka Amerikane (2007) etj. Kjo është hera e parë që një bankë e vogël në Shqipëri fiton këtë çmim, për këtë arsye ndihemi krenar që e kemi marrë këtë çmim. Gjithashtu, ne kemi marrë edhe një certifikatë nga “Finance and Central Europe”, një revistë tjetër e botuar në Londër, e cila na vlerësoi si banka me “Kthim më të lartë nga investimet” për vitin 2008 në Shqipëri. Para këtij vlerësimi, ne kemi marrë gjithashtu një trofe nga grupi ynë, i cili konsiston në 13 banka si “Banka me përmirësim më të mirë në vitin 2007” brenda grupit. Kështu kohët e fundit banka ka marrë vlerësime si brenda, ashtu edhe jashtë grupit dhe çmime nga institucione të ndryshme dhe kjo gjë ka ndikuar ndjeshëm në moralin e punonjësve të bankës.
Pak më parë ju u shprehët se një bankë e vogël ka fituar çmimin nga revista “Bankers”. Si është e mundur që këtë çmim nuk e fituan bankat e mëdha, të cilat zotërojnë një numër më të madh aktivesh dhe mbulojnë një fushë më të gjerë në Shqipëri krahasuar me bankën tuaj?
Çmimi nga revista “Bankers” i jepet një banke duke u bazuar në parametra të ndryshëm të zgjedhur, përfshirë këtu madhësinë e bankës. Këto parametra janë sasiore, ashtu si dhe cilësore. Parametrat sasiorë si Rritja vjetore e Biznesit (depozitat, kreditë, aktivet), niveli i zvogëlimit të Kredive me Probleme, Raporti kosto mbi të ardhurat, Kthimi i të ardhurave nga kapitali vetë dhe Kthimi i të ardhurave nga aktivet etj., shërbejnë për të matur efikasitetin e bankës gjatë një viti. Lidhur me parametrat cilësorë, revista “Bankers” vlerëson aspekte të tjera cilësore të bankës. Në vitin 2007 banka jonë pati përmirësime në të gjitha parametrat e përmendur më sipër, duke forcuar efikasitetin operacional në bankë. Ajo që i bëri më shumë përshtypje revistës “Bankers” ishte fakti se Banka Ndërkombëtare Tregtare (ICB) është themeluar në vitin 1997 në kohën e skemave piramidale, të cilat i shkaktuan krizë financiare vendit dhe aksionerit të bankës, i cili edhe pse banka pësoi humbje gjatë 5 viteve të para, ai vazhdoi të rriste fondet, pasi kishte besim tek ekonomia shqiptare dhe kështu banka vazhdoi të gëzonte besimin e shqiptarëve. Sot, ndërsa shumica e bankave të vogla  vazhdojnë të pësojnë humbje, Banka Ndërkombëtare Tregtare, e cila është një ndër bankat e vogla që operojnë në Shqipëri, vazhdon të ketë fitime.
Tashmë të gjitha bankat në botë po përballen me krizën financiare, e cila ka prekur edhe Shqipërinë. A është prekur banka juaj nga kjo krizë dhe si është e pozicionuar banka për të përballuar krizën në rast se thellohet më shumë në Shqipëri?
Sot e gjithë bota është e integruar dhe një problem që prek një vend ndikon në vendin tjetër direkt ose indirekt. Të gjithë jemi në dijeni se transfertat e brendshme të emigrantëve shqiptarë janë ulur si pasojë e krizës. Gjithashtu, eksportet shqiptare janë prekur nga kjo krizë. Si pasojë e uljes së normave të interesit nga Bankat Qendrore Europiane dhe nga shteti federal amerikan, bankat ndërkombëtare nuk po japin hua. Si pasojë, të gjitha ekonomitë në botë po përballen me pasojat e krizës. Por në Shqipëri bankat janë të kapitalizuara mirë dhe kthimet e të ardhurave nga kapitali vetë dhe kthimet e të ardhurave nga aktivet janë mjaft të larta. Përsa i përket bankës tonë, siç u theksua edhe më sipër, në vitin 1997 ajo u përball me një krizë më të thellë sesa kriza aktuale, në një periudhë kur ishte një bankë me kapital të vogël. Dhe ne e kaluam me sukses krizën. Sot kapitali është të paktën 5 herë më shumë krahasuar me vitin 1997. Sot ne i kemi eliminuar të gjitha humbjet e akumuluara dhe jemi një bankë me fitime dhe mbi të gjitha gëzojmë mbështetjen e kompanisë tonë – ICB Financial Group Holding Ag. Kjo kompani ka vënë në dispozicionin tonë një linjë kredie deri në 10 milionë USD, të cilën mund ta përdorim kur të duam. Pra, banka jonë është mjaft e fuqishme dhe e pozicionuar mirë për të përballuar çdo sfidë të krizës financiare.
Më sipër ju përmendët diçka lidhur me kompaninë tuaj. A mund të na tregoni më shumë rreth saj?
Ne jemi pjesë e ICB Financial Group Holding ag, (ICB FGH) e regjistruar në Zvicër dhe gjithashtu e regjistruar në AIM, në Bursën e Londrës (London Stock Exchange). Ai është aksioneri ynë i vetëm 100%. Aktualisht kjo kompani zotëron 13 banka, të cilat ndodhen në Europë, Afrikë dhe Azi. Bankat operojnë në Shqipëri, Gana, Tanzani, Mozambik, Xhibuti, Malavi, Sierra Leone, Senegal, Guinea, Gambia, Bangladesh, Indonezi, Laos, e cila mbulon totalin e aktiveve prej 1.5 miliardë USD. Grupi menaxhohet në mënyrë profesionale. Ajo që e dallon grupin është se një nga bankat e saj – ICB Guinea, ka fituar çmimin nga revista “Bankers” për 5 vitet e fundit në vazhdim (që nga viti 2003). Bankat e tjera e kanë fituar çmimin nga revista “Bankers” në grup, përveç ICB Shqipëri, ICB Gana (2006) dhe ICB Xhibuti (2008).
Banka Ndërkombëtare Tregtare operon në Shqipëri për 12 vjet me radhë dhe nuk është zhvilluar njësoj si bankat e tjera. A mund të na tregoni arsyen pse?
Ka shumë arsye pse banka nuk është zhvilluar njësoj si bankat e tjera. Së pari, siç e përmenda dhe më parë, sapo banka filloi të operojë në treg u përball me krizën piramidale, e cila ndikoi në nivelin e ulët të operacioneve dhe në humbjet që banka pësoi për 5 vitet e para. Së dyti, filozofia e bankës është që të zgjerohet në mënyrë të kujdesshme, që do të thotë se në fillim fitoi përvojën, pastaj u zhvillua dhe nuk i zgjeroi më operacionet jashtë Tiranës deri vitin e kaluar. Për më tepër, banka e ka gjetur veten lojtar në një fushë jo të niveluar. Bizneset greke i drejtohen bankave greke, bizneset italiane i drejtohen bankave italiane, bizneset amerikane i drejtohen bankave amerikane dhe mbi të gjitha për arsye historike edhe qeveria mbështet më tepër bankat e mëdha siç janë: Raiffeisen dhe BKT dhe jo bankat e vogla si kjo e jona. Por ne gëzojmë mbështetjen e njerëzve të thjeshtë shqiptarë. Banka jonë mbijetoi në periudhën e thellë të krizës falë besimit që njerëzit e thjeshtë shqiptarë kishin tek ne.
Cila është strategjia për të ardhmen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare në Shqipëri?
Me pak fjalë mund të them se në vitin 2009, Banka Ndërkombëtare Tregtare, e cila ka 5 degë në Tiranë dhe një degë në Fier, do të hapë dy degë të tjera jashtë Tiranës. Ajo aktualisht është duke përmirësuar sistemin e saj kryesor bankar dhe gjithashtu është duke instaluar bankomate në të gjitha degët e saj. Kështu ajo do të zgjerojë rrjetin e saj dhe do të përmirësojë teknologjinë, në mënyrë që t’i ofrojë klientëve të saj shërbime më të mira. Ashtu siç u theksua edhe më parë, banka beson në një progres gradual të saj dhe më vonë ajo do të përfshijë gjithashtu kartat e kreditit dhe internet bankar në shërbimet e saj. Deri tani banka e ka përqendruar portofolin e kredisë në Sektorin e Pasurive të Patundshme. Por tani ajo do fillojë të miratojë politika sektoriale në financime. Ndërsa ekspozimi ndaj pasurive të patundshme do të zvogëlohet, do të rritet interesi ndaj sektorëve të tillë si: infrastrukturë, turizëm, shëndetësi, arsim dhe bujqësi. 
Çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni publikut shqiptar lidhur me bankën dhe aktivitetet e saj?
Ne ndihemi krenarë që kemi fituar çmimin nga revista “Bankers”, çmim të cilin e kemi fituar falë besimit që klientët tanë kanë pasur tek ne. Për këtë arsye dëshiroj të falënderoj të gjithë klientët e bankës, të cilët kanë besuar tek ne për 12 vitet e fundit. Ne jemi e vetmja bankë e cila ofron skema të veçanta depozitash për qytetarë mbi moshën 55 vjeç, ashtu si edhe për fëmijë të vegjël. Ne vazhdojmë të operojmë në Shqipëri falë klientëve tanë, të cilëve u kërkoj mbështetje të mëtejshme, në mënyrë që t’i ofrojmë shërbime sa më të mira për ata në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›