Fullani bankierëve grekë: Sistemi bankar i shëndetshëm
Pavarësisht krizës globale financiare, sistemi bankar shqiptar është i shëndetshëm ose i thënë ndryshe bankat që operojnë në Shqipëri nuk janë infektuar nga kjo krizë botërore. Kështu është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi me homologët e tij grekë. Gjatë kësaj vizite në Greqi, Guvernatori Fullani zhvilloi takimin me Guvernatorin e Bankës së Greqisë, George A. Provopoulos. Njëkohësisht takime janë zhvilluar edhe me zëvendësguvernatorët e Bankës së Greqisë, Panayotis Thomopoulos dhe Helen Dendrinou-Louri si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të kësaj banke. Gjatë këtyre takimeve u konkludua se perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare janë pozitive, në kontekstin e zhvillimeve të ekonomisë globale dhe të shumë vendeve të rajonit. Gjithashtu, sistemi bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm në drejtim të treguesve të likuiditetit, të performancës financiare dhe të kapitalizimit. Sistemi bankar shqiptar gëzon të gjitha potencialet për të financuar rritjen e mëtejshme ekonomike të vendit. Stabiliteti makroekonomik i vendit dhe lehtësimi i kushteve monetare nga Banka e Shqipërisë, janë një shtysë e mëtejshme në këtë drejtim. Ky konkluzion u mbështet edhe nga përfaqësuesit e sistemit bankar grek, të cilët operojnë në Shqipëri. Ata konfirmuan interesin e tyre për zhvillimin afatgjatë të vendit, duke theksuar se kjo është në interes të përbashkët të të dy palëve.