E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Sllovenia na premtoi votën për në NATO

 

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli garanton se Sllovenia do të ratifikojë brenda një kohe të shkurtër protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. E pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun suedez Per Westerberg, Topalli tha se ka biseduar me kryeparlamentarin e Sllovenisë, i cili është shprehur se nuk ka asnjë shqetësim për këtë çështje. "Unë sapo fola në një bisedë telefonike me Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Pavel Ganda, i cili më tha që s'ka asnjë arsye për të pasur shqetësim. Nuk ekziston asnjë problem, pasi tri ditë përpara të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare e kanë  mbështetur votimin e Protokollit të NATO-s mes Shqipërisë dhe kësaj Aleance; dhe unë besoj se të hënën në një votim të shkurtër, që kërkon dy të tretat e votës së deputetëve të këtij Parlamenti, do të votohet Protokolli", theksoi Topalli. Sllovenia shtyu pak ditë më parë votimin në Parlament të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, për shkak të një problemi kufitar që kanë Lubjana dhe Zagrebi. Përveç Sllovenisë kanë ngelur edhe Islanda, Portugalia, Greqia dhe Franca, të cilat nuk e kanë ratifikuar ende protokollin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›