Fatos Lubonja, histori Spaçi përmes objektesh

Fatos Lubonja gjatë mbledhjes së objekteve në Spaç
Ndonjëherë fjala duhet të heshtë përpara së dukshmes. Objektet flasin vetë. Ato janë copëza jetësh të mbetura pezull mes të shkuarës-zhgjëndërr dhe së tashmes. Të ndryshkura, të shformuara, të shkërmoqura, ashtu si jetët e atyre njerëzve që i kanë përdorur. Vetëm ato e dinë çkanë parë në ditët e tmerrit dhe sot, në mungesë të të zotëve, flasin vetë. Nesër në ambientet e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian hapet një ekspozitë e pazakontë nën kujdesin e ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi. Nuk bëhet fjalë për një ekspozitë tablosh pikture apo fotografish, por objektesh të denja për një muze. Jo fort i zakontë në ambientet performuese, është edhe autori. Bëhet fjalë për ekspozitën Objekte-Subjekte të publicistit Fatos Lubonja, kuruar me shumë kujdes nga artisti Ardian Isufi dhe me ndihmën e fotografes Barbara Hausmmann. U bë kohë tashmë që Lubonja përgatit si në ethe këtë ekspozitë, e cila për të, si dhe për shumë të tjerë, është e dhimbshme, por shumë e rëndësishme. Është një kthim pas në kohë, në vitet e errëta të diktaturës, të telave me gjemba, të galerive të errëta, nga të cilat nuk dihej nëse dilje i gjallë.
Objektet
Pas pjesëmarrjes në ekspozitën e përbashkët Fjala, ku ekspozoi fletët e librit të tij Ploja e mbrame, shkruar në letra cigareje, tek Subjekte-objekte, Lubonja na e plotëson pamjen përmes objekteve. Lubonja udhëton në rrugën e Duchamp apo të Beuys, duke kërkuar dhe analizuar estetikën e mendimit ku rrëfimi i tij shoqëron objektet, duke transformuar kuptimin tonë të këtyre imazheve, në dukje të thjeshtë, por që fshehin në vetvete ngjarje, histori dhe përpjekje njerëzore. Në fakt, marrëdhënia ndërmjet objektit dhe subjektit është e papërcaktuar, nuk ka një përgjigje përfundimtare çdo gjë është në proces, dhe për këtë është e rëndësishme të kesh një hartë, e cila të udhëheq në historinë që do të përshkruash. Harta e Fatos Lubonjës na dërgon në burgun politik dhe në minierën e tij famëkeqe, ku e gjithë drama zhvillohet në hapësirën gjeografike me emrin Spaç, thotë në konceptin e tij kuratorial artisti Ardian Isufi. Në vështrimin e parë ato objekte nuk kanë asnjë domethënie, por për autorin, çdo njëra prej tyre fsheh një histori. Janë kryesisht objekte të hekurta, që në të vërtetë as objekte të plota nuk janë. Ato janë mbetje nga ai vend i frikshëm, i cili tashmë duket si një humbëtirë, ku vërtitet veç era dhe fantazmat. Janë mbetje vagonësh, lopatash, gozhdë, rrathë kushinetash, copa litarësh, pse jo dhe pak dhe të ngecur tek ato si hiri i një të vdekuri, siç thotë Lubonja.
Historitë
Çdo objekti ai i vesh një histori, emra, që në kujtesën e tij janë fytyra, njerëz realë, dikur prej mishi dhe gjaku. Pak rëndësi ka nëse ato objekte janë të tyret vërtet. Të rëndësishme janë historitë pas tyre. Dhe teksa ngre nga toka një lopatë të ndryshkur, në mendje i vjen Xhelal beu, pastaj Zefi, Nushi, Xhaviti, Mirashi, Sherifi, Zeneli, Ahmeti, Luigji… I kujton duke gërmuar pirgje me mineral, duke shtyrë vagonët, duke mbërthyer shina… Objektet e tij të gjetura sot, simbole të një historie të shkuar (dhe të afërt), rrëfejnë personazhe dhe ndodhi në formë artifaktesh. Qasja artistike dokumentare/muzeale e këtij instalacioni përshkruan heshturazi, por me forcë dhe energji të brendshme, histori të vërteta personazhesh emblematikë, që u është dhunuar jeta nën diktaturë. Ato e ftojnë spektatorin të hyjë e të njihet me përjetimet e qenies njerëzore të kapur në çark-un e diktaturës e të dalë prej andej me një reflektim edhe për jetën e tij, thotë Isufi.
ALMA MILE
Spaçi në dy kohë
Fatos Lubonja
Ideja e këtij instalacioni më lindi gjatë vizitës në Spaç me fotografen Barbara Hausammann këtë vit. Duke bredhur nëpër shtigjet e terrenit malor të minierës së Spaçit që të çojnë në hyrjet e galerive të minierës, vuaja ballafaqimin e dy pamjeve që nuk përputheshin dot me njëra-tjetrën: pamjes së Spaçit që kisha në kujtesë me atë që po më shihnin sytë. Ndërsa në kujtesë ruaja pamjen e Spaçit, kur ishte kamp vuajtjeje dënimi, me minierën si qendrën e këtij ferri, në pamjen që më shihnin sytë mungonte shumëçka. Mungonin mbi të gjitha mijëra të burgosurit që e popullonin asohere, mungonin telat me gjemba që e rrethonin atë mal, karrakollet me ushtarët që e ruanin. Edhe galeritë ishin të mbyllura: nuk mund të hyje brenda të vizitoje atë qytet të nëndheshëm me galeri pa numër të kryqëzuara me kate, nënkate,
furnele, shembje brenda të cilit qindra të burgosur të pajisur me nga një kandil në dorë, me kapelën në kokë e me lopata, kazma, martele, sëpata, sqepar, vagonë në duar bubërronin me tri turne për të nxjerrë jashtë mineralin e bakrit dhe piritit në kushtet më primitive. Më mungonin edhe policët e shumtë. Ishte një rrënojë e asaj që ruaj në kujtesë të pashlyeshme. E në mes të kësaj rrënoje, syri ndalonte mbi objekte që, duke krijuar asociacione me të kaluarën, sikur e ripopullonin atë me njerëz, me historira, me jetën e asaj kohe. Fillova të mbledh ato objekte që më flisnin më shumë e që mund t’i fusja në çantën e shpinës apo t’i mbaja nëpër duar. Së bashku me kujtimet për miq e bashkëvuajtës të gjallë e të vdekur, ndjeva të më gjallërohet dashuria e mbledhësit të antikave brenda meje. Fiksimi, ruajtja e objekteve që na kujtojnë të kaluarën që s’kthehet dot më, ndoshta thellë-thellë buron nga ankthi që na krijon asgjësimi pa gjurmë i historisë që kemi jetuar. A ka gjë më absurde sesa asgjësimi i mrekullisë së jetës, i asaj tonës dhe e të tjerëve? Këto objekte, në dukje banale, i kam ruajtur dhe vlerësuar pikërisht në tentativën për të ndaluar asgjësimin, harresën. Dhe jo thjesht me idenë e kujtesës së vuajtjes të dënimit të padrejtë që s’duhet harruar për të mos u përsëritur, por edhe me idenë e kujtesës së vuajtjes si pjesë e jetës, si emocion, si një shfaqje e dashurisë për jetën dhe njerëzit. Sepse dashurinë për jetën dhe për njerëzit më shumë se kudo, e kam jetuar në ato kushte njerëzore që në dukje s’kishin asnjë arsye për t’u jetuar.
Nëntor 2011



