Apeli rrëzon riekspertimin e plumbit që vrau Ziver Veizin
Tiranë Agim Llupo, oficeri i Gardës së Republikës, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve të nisura nga Prokuroria, për ngjarjet e 21 janarit. Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit në Tiranë, e cila ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, të caktuar nga shkalla e parë, për akuzën e vrasjes në rrethanë cilësuese dhe shpërdorim detyre. Pretendimet e avokatit mbrojtës të Llupos, për riekspertim të predhës, që është gjendur në trupin e të ndjerit Ziver Veizi, si dhe faktin që predha ka një dëmtim në pjesën fundore të saj, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të nxjerrë nga qelia Llupon. Të gjitha këto rrethana, sipas trupit gjykues, nuk ndikojnë në masën e sigurisë ndaj zv.komandantit të njësisë Speciale, pasi pretendimet e ngritura nga avokati janë pjesë e hetimeve të mëtejshme të Prokurorisë. Njësoj si gjatë masës në shkallën e parë, avokati Genc Gjokutaj tha para Gjykatës së Apelit, se predha e gjetur në trupin e Ziver Veizit, sipas akt-ekspertimit ka një dëmtim në formë elipsi në pjesën fundore të saj. “Ky element, tregon se Agim Llupo nuk ka qëlluar drejt Ziver Veizit, por predha ka goditur viktimën si pasojë e rikoshetës” -ka pretenduar avokati Gjokutaj. Gjithashtu, avokati argumentoi se klienti i tij ka qëlluar në ajër, duke zbatuar rregulloren e Gardës së Republikës, veprim ky që ka ardhur pas rreth 5 orësh, nën presion të vazhdueshëm nga demonstruesit, që qëllonin me gurë e sende të forta. Pretendimet e avokatit, i cili ankimoi vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit, janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i akuzës, i cili solli në vëmendje të gjykatës hetimet e deritanishme për ngjarjet e 21 janarit. Prokurori argumentoi se Agim Llupo, me detyrë zv.shef i shtabit në Gardën e Republikës rezulton të jetë personi që ka përdorur armën me të cilën është qëlluar Ziver Veizi. Sipas hetimit të prokurorisë rezulton se “gjatë këqyrjes së kufomës së shtetasit Ziver Veizi, në shpinë, në nivelin e vertebrës “12” nga e majta dhe 117 cm nga thembra e këmbës, gjatë prerjes së lëkurës është nxjerrë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një predhë metalike me ngjyrë bronxi, e deformuar në pjesën fundore në formë elipsi”. Kjo predhë, së bashku me armët e sekuestruara u është nënshtruar ekspertimeve tekniko-balistike, për të përcaktuar se cili prej automatikëve të Gardës kishte qitur predhën që i mori jetën Ziver Veizit. “Sipas aktit të ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me nr.975, datë 07.02.2011, është arritur në konkluzionin se: “predha e gjetur te viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul “244” dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike “244”. Veprimet hetimore të mëtejshme kanë vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim Agim Llupo, me detyrë shef i shtabit (zv/komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës” - thuhet në dosjen e Prokurorisë. Sipas akuzës, këto prova janë të mjaftueshme për të kërkuar dhe caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj oficerit të Gardës, si i dyshuar për vrasje në rrethana cilësuese, në bashkëpunim. Kjo kërkesë është cilësuar e ligjshme edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ka riktheksuar se deformimi i predhës, apo dhe pretendimet e tjera të mbrojtjes do të verifikohen gjatë hetimeve të mëtejshme, ku nuk përjashtohet as kryerja e eksperimentit hetimor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë demonstratës së 21 Janarit u vranë katër persona dhe u plagosën 6 të tjerë. Për këto ngjarje, Prokuroria akuzoi krerët e Gardës së Republikës, ndaj të cilëve u lëshuan 6 urdhër ndalime, ndërsa vetëm 15 ditë, u bë i mundur ekzekutimi i vetëm njërit prej tyre.
Ekspertiza e armëve dhe misteri i vrasjeve
Asnjë prej armëve të Gardës së Republikës, që i është nënshtruar ekspertimit tekniko-balistik nuk rezulton të ketë qitur predhën që qëlloi Faik Myrtajn. Fillimisht, Prokuroria sekuestroi 51 automatikë model “MP5”, nga të cilët rezultoi se më 21 janar kishin qëlluar gjashtë armë të Gardës, por vetëm arma e major Agim Llupos kishte qitur predhën që i mori jetën Ziver Veizit. Predha e gjetur në trupin e Faik Myrtajt deri tani nuk korrenspondon me asnjë prej armëve të sekuestruara. Organi i akuzës tha se armët e sekuestruara dy ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, nuk janë të vetmet që janë përdorur ditën e ngjarjes. Për këtë arsye, u kërkuan edhe 25 automatikë të tjerë model “MP5”, një pjesë e të cilëve rezulton t’i jetë nënshtruar ekspertizës tekniko-balistike pranë Institutit të Policisë Shkencore. Edhe pse nuk dihet numri i saktë i armëve të ekspertuara, rezulton se deri tani, nuk është bërë e mundur të përcaktohet arma me të cilën është qëlluar Faik Myrtaj.