Babai i Emmy-t: Vajza ime u vra në makinën e biznesmenit
Tiranë Ali Idershai, babai i këngëtares Emmy, ka deklaruar dje se vajza e tij nuk është aksidentuar nga makina e biznesmenit kosovar, Aziz Kelmendi, por është vrarë brenda saj. Dyshimet e babait të këngëtares mbështeten nga ekspertiza mjeko-ligjore, që i është bërë trupit të Emmy-t, nga e cila nuk rezulton të ketë plagë në duar, por pas koke dhe në njërën këmbë. “Dua të zbardhet e vërteta. E vërteta ime është se vajzën e kanë vrarë brenda në makinë” – ka deklaruar Ali Idershai, në një emision televiziv. Këtë pretendim të tijin, ai e ka përforcuar edhe duke vënë në dukje faktin se Emmy nuk kishte shenja në duar. “Në duart e vajzës time nuk është gjetur asnjë shenjë. Vajza ka pasur goditje prapa kokës dhe në këmbë. Vetëm aty janë gjetur shenja. Nuk mund të ndodhë që një njeri që të varet në makinë, të bjerë dhe të vdesë”, - shtoi ai. Ali Idershai është shprehur dje se ndryshe nga sa është raportuar së fundmi, prokuroria nuk ka ndryshuar akuzën ndaj biznesmenit Aziz Kelmendi. I pyetur nga “MAPO” për ecurinë e hetimeve, pas vdekjes së vajzës së tij, Ali Idershai pohoi se: “Unë jam interesuar personalisht në prokurori, pas disa pretendimeve në media se, prokuroria kishte ndryshuar akuzën nga vrasje me dashje, në vrasje aksidentale. Mund t’u them se kam konfirmuar plotësisht faktin se akuza vazhdon të jetë për vrasje dhe ky është një fakt, që më ka qetësuar shumë shpirtërisht. Megjithatë, unë kam pretendimet e mia lidhur me mënyrën se si ka ndodhur, pasi vajza ka qenë brenda në makinë. Vajzës ende nuk i janë gjetur çanta dhe telefoni dhe askush deri më sot nuk ka një përgjigje se ku ndodhen këto sende aktualisht, apo kush i ka marrë ato. Unë dua të mbështes prokurorinë në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe nuk kam më elementë të tjerë për të shtuar”. Këngëtarja Elsina Idershai, e njohur si “Emmy”, në datën 26 shkurt ishte në shoqërinë e një mikeje të saj, gjithashtu këngëtare, në klubin “Venue”. Rreth mesnatës, ajo u gjet e shtrirë përtokë 100 metra larg klubit, me një plagë të rëndë në kokë dhe disa shenja gërvishtjeje në këmbën e majtë. Policia arrestoi për këtë ngjarje biznesmenin Aziz Kelmendi, ndërsa ky i fundit pretendoi se e kishte aksidentuar pa dashje, ndërsa, sipas tij, këngëtarja i ishte avitur te dera e automjetit. Por prokuroria zyrtarisht rezervon një tjetër version për ngjarjen dhe pretendon se Aziz Kelmendi ka aksidentuar qëllimisht këngëtaren, duke i shkaktuar vdekjen. Edhe më i skajshëm është pretendimi i familjarëve të këngëtares së vrarë, të cilët shprehen se e afërmja e tyre ka qenë brenda në automjet dhe është flakur nga automjeti me forcë. I vetmi person që ka shoqëruar natën tragjike këngëtaren Emmy, kosovarja Valza Bajrami, ka deklaruar në polici se atë natë, i dyshuari për vrasjen e saj, Aziz Kelmendi, ka qenë në klubin “Venue” së bashku me të dashurën e tij. Mësohet se Bajrami është shprehur se ka marrë vesh për prezencën e Aziz Kelmendit në “Venue”, nga fakti se kishte parë “Emmy”-n që kishte shkëmbyer disa mesazhe telefonike me autorin e dyshuar, ku nëpërmjet këtyre mesazheve ata i kishin bërë të ditur njëri-tjetrit se ndodheshin në të njëjtin ambient. Për shkak të mbipopullimit të klubit, ata nuk janë parë dhe ishin larg njëri-tjetrit, sipas dëshmitares. Megjithatë, Bajrami është shprehur për hetuesit se pas shkëmbimit të sms-ve, Emmy ka dalë jashtë për ta takuar Aziz Kelmendin, ndërsa ky i fundit po largohej nga klubi me të dashurën e tij të dytë. Ky është momenti i fundit që ajo e ka parë të gjallë.
Këngëtarja: Takimi me Kelmendin pas ngjarjes
Valza Bajrami, këngëtarja kosovare, dëshmitare në vrasjen e Emmy-t, është shprehur në polici se për rreth 20 minuta apo gjysmë ore, Emmy nuk është kthyer në lokal dhe ajo më pas e ka telefonuar, ndërsa numri dilte i zënë. Sipas dëshmitares Bajrami, Emmy ka dalë nga klubi dhe ka marrë me vete çantën dhe telefonin e saj. Nga ana tjetër, mësohet se Aziz Kelmendi, pasi ka shkaktuar vdekjen e Emmy-t, ka shoqëruar të dashurën e tij, është rikthyer në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur dhe miken e saj, Valza Bajrami. Madje, i ka kërkuar asaj që të shkojë në spital dhe të shohë sesi ishte Emmy. Këngëtarja kosovare ka zbardhur rrethanat para ngjarjes për policinë, ndërsa sa i përket momentin e aksidentimit, ajo nuk ka qenë dëshmitare okulare.