E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit nuk i japin pasaportën për të dalë jashtë vendit, vajza tenton vetëflijimin

Pandora Gjika përfundon në spital pasi konsumoi një sasi ilaçesh
KOLONJË – Një adoleshente ka tentuar vetëvrasjen, kur familjarët e saj i kanë marrë pasaportën, duke mos e lejuar që të dalë nga Shqipëria. Në një gjendje të vështirë psikologjike, ajo ka konsumuar një sasi të konsiderueshme ilaçesh, duke përfunduar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Rajonal të Korçës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasja e vetëhelmuar është Pandora Gjika, lindur dhe banore në fshatin Shtikë të rrethit të Kolonjës. Sipas tyre, ngjarja ndodhi dy ditë më parë. Pandora është konfliktuar me pjesëtarët e familjes pasi dyshohet se ajo donte të largohej nga shtëpia në drejtim të Greqisë, gjë që nuk ka marrë pëlqimin e prindërve të saj. Kaq ka mjaftuar që vajza të tentonte vetëflijimin, duke konsumuar një sasi të madhe ilaçesh, por ndërhyrja e shpejtë mjekësore, ka bërë të mundur mbajtjen në jetë të saj.

Ngjarja
Policia e Korçës bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë kur Pandora Gjika, lindur dhe banuese në fshatin Shtike të Kolonjës, rreth orëve të vona të mbrëmjes, pas një konflikti me familjarët e vetë, ka konsumuar rreth 10 tableta ë një ilaçi. Prindërit e kanë dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas burimeve zyrtare, vajza po trajtohet në Spitalin Rajonal të Korçës dhe ndodhet në gjende të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana e saj, Policia e Korçës, ka nisur menjëherë hetimet lidhur me këtë ngjarje për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”. Grupi hetimor i ngritur, është duke marrë në pyetje të gjithë të afërmit e Gjikës, për të zbuluar nëse ajo është shtyrë nga dikush për të kryer një veprim të tillë. Edhe pse dyshimet janë të shumta, uniformat blu të qytetit jug-lindor ende nuk kanë asnjë të dhënë zyrtare për këtë ngjarje.

Dyshimi
Burimet zyrtare pohojnë se shkaku kryesor i tentativës së vetëflijimit ka qenë debati i ashpër që Pandora ka pasur me të afërmit e saj , të cilët nuk i jepnin pasaportën për të udhëtuar jashtë vendit. Nga burime jo-zyrtare pranë policisë, mësohet se Gjika ka tentuar të largohet nga Shqipëria, por ky vendim është kundërshtuar ashpër nga familjarët e saj, të cilët, për të evituar një veprim të tillë, i kanë marrë dokumentin e identifikimit, i vlefshëm për të dalë jashtë Shqipërisë. Pas disa debatesh dhe refuzimit të kërkesës nga familjarët, vajza 19-vjeçare ka gjetur si rrugëzgjidhje të vetme marrjen e një numër të madh medikamentesh. Gjatë viteve të fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e vetëvrasjeve, ku një ndër mënyrat më të përdorshme për vetëflijim është edhe konsumimi i substancave helmuese apo ilaçeve. Shkaqet kryesore janë varfëria ekstreme, depresioni i patrajtuar klinikisht, apo edhe konfliktet mes brezave në familje.

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›