Aplikacioni “Udhë”, risi për transportin, Veliaj: Mbështesim nismat inovatore që vijnë nga të rinjtë dhe i shërbejnë qytetit

Një nga aplikacionet më të suksesshme në Kosovë, i quajtur “Udhë”, platforma që ofron risi për transportin, duke ulur kostot përmes ndarjes së automjetit me pasagjerë të tjerë do të funksionojë së shpejti edhe në Tiranë.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti drejtorin ekzekutiv të “Innovation Centre Kosovo” Uranik Begu, dhe Eroll Gorçin, drejtuesin e platformës “Udhë”.
Veliaj u shpreh se aplikacioni “Udhë”, i krijuar nga të rinj të talentuar, është një mënyrë shumë e mirë për të kursyer.
“Ne harxhojmë shumë kohë duke promovuar idetë dhe projektet e huaja, por harrojmë idetë e shkëlqyera që i kemi këtu ngjitur, në shtëpinë tonë. Kemi nevojë për aplikacione si ky i juaji, por edhe mënyra të tjera për të kursyer në një moment kur çmimi i naftës dhe i benzinës është rritur. Kjo do të thotë se përpara një sfide kemi gjithmonë dy opsione: E para është të dorëzohesh, si zgjedhja më e thjeshtë dhe e mërzitshme; e dyta është të krijosh inovacion, të përshtatesh. Unë besoj te kjo e dyta. Ne u përshtatëm gjatë pandemisë, gjatë tërmetit, e kështu duhet të përshtatemi tani”, theksoi Veliaj.
Aplikacioni “Udhë” ul jo vetëm koston e transportit për qytetarët, por në të njëjtën kohë shërben edhe për uljen e trafikut.
Veliaj shprehu mbështetjen për nisma të tilla, që janë në pararojë të zhvillimit teknologjik dhe që u shërbejnë qytetarëve.