E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 4 vitet që vijnë, Shqipëria vend lider në rajon në fushën dixhitale

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në përurimin e shërbimit të dytë për qytetarët “e-Patenta” në portalin unik qeveritar www.e-Albania.al, si shërbim i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Projekti i interoperabilitetit shënon vlerën e 2.6 milionë euro me financim të komunititet europian dhe DPSHTRR me një investim prej 15 milionë lekësh realizoi bllok-skemën llogjike të shërbimit e-Patenta që është zbatuar nga kompania shqiptare Advanced Business Solutions (ABS).

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryeministri vlerësoi se projekti do të kursejë shpenzimet e pamerituara si dhe do të rrisë transparencën ndaj qytetarëve.

“Shërbimet në këtë formë janë më të shkëlqyera. Ky proces është vendimtar për reformën e thellë në administratë. Kjo kërkon nga punonjësit e administratës një vetëdije për rëndësinë jetike që ka, njohja e doktrinës informatike, i kompjuterit”, theksoi Berisha.

Kryeministri tha se 4-vjeçarin që vjen qeveria synon që të kthejë Shqipërinë në vend lider në rajon në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve, teksa i kërkoi qeverisë vendore që të bëjë gjithçka për lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Ky është një hap, po ju bëj thirrje të gjitha agjencive, të lëvizin dhe të bëjnë gjithçka për të vendosur procedurat on-line. Taksën sot e paguajmë nga celulari, këto ditë doganat do fillojnë me pagesë elektronike, kështu me radhë qeveritë qendrore dhe vendore duhet të bëjnë çdo investim që qytetarët tanë të shpenzojnë sa më pak para për të marrë shërbimet më të lira dhe të shkëlqyera. 4- vjeçari që vjen do jetë 4- vjeçari i dimensionimit të madh të dixhitalizimit. “Në krye të 4 viteve administrata e tërë do të jetë dixhitale, në kuptimin që do të jetë një administratë pa letër që do të funksionojë tërësisht mbi teknologinë dixhitale. Ne synojnë që Shqipëria të jetë vend lider në rajon në këtë fushë”, premtoi Berisha.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›