Integrimi, Fule: Shqipërisë i duhet qeverisje dhe sundim i ligjit
Danimarkë- Nga Danimarka ku ka qenë i pranishëm në konferencën 20 vite që ndryshuan Evropën, Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, ripërsëriti tre kriteret e Kopenhagenit që vendet si Shqipëria duhet të përmbushin për përmbushjen e aspiratës së tyre evropiane.
Kushtëzimi, ndikimi dhe rëndësia e vazhdueshme e kriterit politik, ekonomik dhe atij të përshtatjes me legjislacionin europian, janë tre kushtet kyçe që Fule nënvizoi gjatë fjalës së tij.
Sot, megjithëse kushtet për zgjerim mbeten të njëjtat, mënyra sesi ne i zbatojmë ato është zhvilluar bazuar në mësimet e nxjerra nga zgjerimet e mëparshme. Kemi rritur fokusin ndaj mënyrës së qeverisjes dhe sundimit të ligjit, reformës në administratën publike dhe ndaj luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, nënvizoi Fule.
Ndërsa teksa renditi ato vende që ditën të përfitojnë në pak kohë nga procesi i zgjerimit, Shqipëria, Maqedonia dhe Islanda nuk ishin në këtë listë.
Dallga e tanishme e zgjerimit jep dëshmi madhështore për fuqinë shndërruese të kushtëzimit, ndërthurur me perspektivën e qartë europiane. Kroacia, e trazuar nga konflikti i pak kohëve më parë, do ti bashkangjitet Bashkimit Europian më 1 korrik. Bisedimet për anëtarësim kanë nisur me Malin e Zi. Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje historike që iu shtron rrugën për të përparuar vendosmërisht drejt perspektivave të tyre europiane. Ndërsa në Turqi, BE mbetet një spirancë kyçe për risitë demokratike”, tha Fule.