Engel: Bota sytë tek zgjedhjet, të mos kontestohen, kusht për BE-në
SHBA- Ligjvënësi në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel tha në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë se faktori ndërkombëtar do të vëzhgojë zgjedhjet e 23 qershorit me qëllim marrjen e një vendimi nëse Shqipëria është e gatshme të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Do të ketë ndikim shumë shumë të madh, e di që të gjithë i kanë sytë andej. Kishim një dëgjim javën e kaluar në Komitetin e Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri. Shpresoj që zgjedhjet të ecin mbarë dhe shpresoj që kushdo që fiton të jetë fitues dhe të mos ketë mashtrime. Shqipërinë, e cila sot është një anëtare krenare e NATO-s, isha shumë i lumtur ta shihja duke hyrë në NATO dhe do të doja ta shihja që të anëtarësohet edhe në BE. Bashkimi Evropian do ti vëzhgojë këto zgjedhje dhe do të vendos nëse Shqipëria është kandidate për anëtarësim në BE, bazuar në masë të madhe në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve,-tha Engel.
Gjatë intervistës Engel komentoi edhe situatën e krijuar në KQZ. Shpresoj që mosmarrëveshjet që ekzistojnë tani në Shqipëri në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet tjera do të adresohen. Shpresoj që kushdo që fiton, të ketë një fitore që do të respektohet nga të gjithë. Nuk mund ti kemi konfrontimet që patëm para disa vjetësh, nuk mund të kemi një situatë në të cilën një parti politike nuk merr pjesë në Kuvend, cilado parti politike qoftë ajo. Kushdo që zgjidhet duhet të marrë pjesë në Kuvend. Shqipëria duhet ta dëshmojë se e meriton ti bashkohet BE-së dhe zgjedhjet do të zënë një pjesë të madhe në gjykimin e BE-së për kandidaturën e Shqipërisë. Unë mendoj se Shqipëria duhet të jetë kandidate. Do të doja të shihja si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën, por për Shqipërinë këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe mbarë bota i ka sytë nga këto zgjedhje,-tha Engel.