E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi në BE, Bregu: Shqyrtimi, brenda vjeshtës



Progres-raporti për vitin 2009 dhe pyetësori i KE-së për statusin e vendit kandidat që pritet të marrë Shqipëria brenda pak ditësh, nisi dje drejt Brukselit ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Axhenda e saj e ngjeshur e takimeve me përfaqësues të lartë të KE-së fillon paraditen e sotme me drejtorin për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierr Mirel, dhe drejtoreshën e Njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Marta Garcia Fidalgo. Në qendër të bisedimeve do të jetë diskutimi për materialin që Komisioni Evropian do të publikojë në mesin e muajit tetor për ecurinë e vendit tonë gjatë vitit 2009. Gjithashtu, një tjetër pikë e këtyre takimeve do të jetë pyetësori i statusit të vendit kandidat që pritet të marrë Shqipëria gjatë javëve të ardhshme. Por, para nisjes në Bruksel, ministrja jonë e Integrimit bëri të ditur se Komisioni Evropian do të shqyrtojë në vjeshtë aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Ministrja Majlinda Bregu pohon se sinjalet janë pozitive, pasi veç performancës së mirë në zgjedhje, asnjë vend i bllokut nuk ka tendencë për të bllokuar procesin. Ajo tregon hapat që do të ndiqen drejt procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. “Ky certifikim i rregullsisë së procesit zgjedhor nuk ka ndodhur asnjëherë në vitet e mëparshme dhe ky ishte një moment kyç edhe për Evropën për të kuptuar se sa seriozisht Shqipëria plotësonte angazhimet kryesore që vinin nga procesi i integrimit për në BE. Në këtë panoramë të përgjithshme, e vetmja gjë që mungonte, ishin zgjedhjet”, - shprehet ajo. Sipas znj. Bregu, në këtë proces të konsoliduar zgjedhor të certifikuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it, qeveria ka të gjitha shanset për të progresuar dukshëm, ndoshta edhe më shpejt nga sa ishin parashikimet në pranverën e këtij viti, në procesin e integrimit për në BE.

Por, ministrja e Integrimit vëren se progres-raporti nuk është i lidhur me datën. Ajo sqaron se kjo nuk do të thotë që progres-raporti është i lidhur domosdoshmërisht me kërkesën që Këshilli mund t’i kërkojë Komisionit Evropian për të përgatitur avinë (mendimin). “Pra, - shton Bregu, - jo domosdoshmërisht duhet të pritet dalja e progres-raportit në mënyrë që Këshilli t’i kërkojë KE-së që të përgatisë mendimin për Shqipërinë për t’ia dërguar pyetësorin. Ne, - vuri ajo në dukje, - presim që ky proces të shqyrtohet në vjeshtën e këtij viti”. “Kjo nuk është një sfidë ndaj datave dhe kohës, por jemi gati për të përballuar me çfarëdo presioni, detyrimet që na vijnë për të përshpejtuar integrimin në BE. Administrata shqiptare sot është në sfidën më të madhe. Plotësimi i detyrimeve i kërkuar gjatë këtyre viteve, shumëfishohet tani, sepse, në qoftë se volumi i punës ka qenë në konferenca takime etj., këtë radhë gjithçka përqendrohet tek puna e administratës shqiptare, kryesisht për të zbatuar detyrimet”, - deklaroi znj. Majlinda Bregu. Për sa u përket aludimeve në disa media se është Gjermania ajo që ka bllokuar procesin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, Bregu bën të qartë se asnjë vend i bllokut nuk ka shprehur as tendencën më të vogël për bllokimin e Shqipërisë. Ajo përmendi se në të gjitha deklaratat e përfaqësuesve të lartë të BE-së si dhe të Kancelares gjermane Merkel herë pas here, mbështetja ndaj Shqipërisë nuk ka munguar dhe nuk sheh asnjë pengesë jo vetëm nga Gjermania, por nga asnjë vend tjetër i BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›