E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, urdhër ministrave: Publikoni në web telefonat celularë



Telefonat celularë nuk janë shenjë e fuqisë, por në rastin e ministrave të qeverisë “Berisha” mund të bëhen të tillë për nga rëndësia e pushtetit. Me urdhër të Kryeministrit Sali Berisha, i gjithë stafi prej 15 ministrash janë të detyruar të publikojnë në web-et e dikastereve që mbulojnë, numrat celularë. Të sapo tëmandatarit janë në shërbim të qytetarëve dhe numrat e secilit prej ministrave duhet të jenë në çdo kohë të hapur për shqetësimet e shqiptarëve. Burimet sqarojnë se ky urdhër i brendshëm i z. Berisha ndryshe nga dy vjet më parë i cili u neglizhua nga pjesa dërrmuese e ministrave të mëparshëm, këtë herë do të gjejë zbatim të shpejtë. Një pjesë e ministrive kanë në rikonstruksion web-et e tyre, për shkak edhe të ndërrimit të titullarëve, por asnjëri prej 15 ministrave, pa përjashtim, nuk do të mund të shmangë publikimin e numrit personal dhe kthimin e përgjigjeve në rastet kur problemet e qytetarëve qëndrojnë dhe kërkojnë zgjidhje konkrete. Numri i celularit do të afishohet bashkë me adresat e email-eve në rubrikën e të dhënave për ministrat, CV-të. Shembullin e parë e ka dhënë vetë Kryeministri Sali Berisha. Para afro një viti z. Berisha në një spot televiziv u drejtohej qytetarëve se numri i tij i telefonit ishte në dispozicion të tyre për të shprehur hallet dhe shqetësimet e tyre dhe për të denoncuar aktet korruptive të zyrtarëve të shtetit. Në spotin e tij, Berisha deklaronte se qeveria e drejtuar prej tij ka bërë shumë në luftën kundër këtyre fenomeneve, por me ndihmën e qytetarëve mund të bëhet edhe më shumë për t‘i eliminuar ato. Sipas Berishës, qytetarët me kurajo dhe besim duhet të denoncojnë pranë autoriteteve çdo rast kërkese për ryshfet nga ana e punonjësve shtetërorë, pasi heshtja së pari u bën dëm atyre dhe shoqërisë. Kreu i qeverisë theksoi se në këto raste kemi të bëjmë me një krim, i cili duhet të ndëshkohet. Të gjitha mesazhet telefonike që mbërrijnë në numrin personal të Kryeministrit Sali Berisha dhe në të cilat denoncohen aktet korruptive, shqyrtohen deri në fund. Ato janë shtuar së tepërmi që në momentin e publikimit të numrit celular gjatë spotit televiziv. Por, në telefonin e Kryeministrit çdo ditë vijnë edhe sms për probleme të tjera shqetësuese, për jetën e shqiptarëve, si çështjet e pronësisë, konflikte gjyqësore, probleme shëndetësore, legalizim të banesave etj. Në rastet më të shumta ata marrin përgjigje përmes vetë z. Berisha ose stafit të tij këshillues. Pikërisht të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe vartësit ministra, të cilëve u duhet të komunikojnë përmes sms-ve me elektoratin, ku janë zgjedhur për problematikën që ata shfaqur ose edhe qytetarë të ndryshëm që nuk janë votues të ministrave. Ashtu si shefi i ekzekutivit, edhe 14 anëtarët e kabinetit duhet të jenë të vëmendshëm, ndaj pretendimeve të qytetarëve dhe ta ndjekin situatën aty ku është vërtet shqetësuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›