Aplikimi në BE, Malaj: Qeveria e Kuvendi të mos krijojnë vonesa
Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka vlerësuar dje vendimin e Austrisë për të kushtëzuar pranimin e kërkesës së Islandës për në BE, me marrjen në shqyrtim edhe të kërkesës së Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë një deklarate për shtyp, anëtari i kryesisë së PS-së tha se “qëndrimi i qeverisë austriake për të përdorur sistemin e vetos ndaj kërkesës së Islandës për anëtarësim në BE, duke e kushtëzuar me shqyrtimin e kërkesës së vendit tonë dhe përshpejtimin e hapave integruese edhe për Kroacinë e Maqedoninë, meriton mirënjohje të veçantë nga i gjithë spektri i politikës shqiptare”. Sipas tij “ky qëndrim i qeverisë së Austrisë, mbështetja e vendeve tona edhe nga fqinjët Itali dhe Greqi, së bashku me mbështetjen konstante dhe të përsëritur që SHBA i japin integrimit të Ballkanit Perëndimor, si strategjia më e mirë për sfidat tona afatgjata, i ritheksuar dhe në takimin e fundit SHBA-BE, ka krijuar momentin më favorizues dhe mbështetës për vendin tonë dhe rajonin”. Malaj kërkoi nga qeveria dhe Kuvendi që të tregojnë vullnet në kryerjen e reformave, me qëllim që të mos krijohen vonesa. “Ne duhet të tregojmë vullnet maksimal dhe përgjegjshmëri maksimale për reformat konkrete. Qeveria dhe Parlamenti duhet të maksimizojnë efikasitetin ndaj plotësimit të të gjitha kushteve teknike dhe politike që vendi ynë të mos krijojë vonesa. Sot më shumë se kurrë integrimi i vendit në BE duket një mundësi konkrete dhe shumë afër për të qenë një ëndërr e realizueshme”, u shpreh dje Malaj. Dy ditë më parë, Ministri i Jashtëm austriak vendosi veton për pranimin e kërkesës së Islandës për t’u anëtarësuar në BE, duke kërkuar që paralelisht me të të shqyrtohet edhe kërkesa e Shqipërisë dhe Kroacisë.