BE, 269.4 milionë euro ndihmë për Shqipërinë
Komisioni Evropian miratoi dje drejtimin strategjik të ndihmës financiare të BE-së për Shqipërinë. Dokumenti i Planifikimit Indikativ Shumëvjeçar për periudhën 2009-2010 konfirmon përparësitë e ndihmës financiare për Shqipërinë në tri fusha kryesoreAto janë: reforma politike dhe ndërtimi i institucioneve demokratike; reforma ekonomike; dhe aftësia për të përballuar përgjegjësitë e anëtarësisë. Një përbërës i veçantë i dokumentit strategjik ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar. Ndihma financiare jepet në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-anëtarësimit në fusha të caktuara ndërhyrjeje dhe synon të mbështesë Shqipërinë për t’u përgatitur për anëtarësim në BE. Për periudhën 2009-2011, shuma e përgjithshme indikative e ndihmës së BE-së për Shqipërinë, në formë grantesh nga buxheti i BE-së, është 269.4 milionë euro. Pjesa më e madhe e buxhetit përcaktohet drejt mbështetjes së aktiviteteve të përbërësit të parë të IPA-s, i cili është Ndihmë për Tranzicionin dhe Ngritjen e Institucioneve (237.9 milionë euro). Një pjesë më e vogël do t’i shkojë përbërësit të dytë të IPA-s, i cili është Bashkëpunimi Ndërkufitar (31.5 milionë euro). Më specifikisht, fushat kryesore të ndërhyrjes në kuadër të kërkesave politike do të përfshijnë reformën e administratës publike dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve kyçe, me qëllim zhvillimin e qeverisjes së mirë. Një tjetër përparësi e IPA-s është të mbështesë reformën e gjyqësorit dhe të policisë, të mbështesë masa që ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe që forcojnë sistemin politik. Gjithashtu, janë parashikuar fonde të IPA-a për zhvillimin e medias, inkurajimin e përfshirjes shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve në nevojë, si edhe dialogun me shoqërinë civile. Në kuadër të kërkesave ekonomik-shoqërore, IPA do të ndihmojë autoritetet shqiptare të përmirësojnë financat publike, të zbatojnë reformat strukturore dhe të zhvillojnë funksionimin e tregut të punës, duke rritur fleksibilitetin dhe duke e përputhur sistemin arsimor më mirë me të. IPA synon të ndihmojë në përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve thelbësore dhe tregjeve ekonomike si edhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Nën-përbërësi i cili merret me përgjegjësitë e anëtarësisë synon ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë standardet e BE-së në fushat e tregut të brendshëm, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bujqësisë dhe zhvillimit rural, zhvillimit rajonal, mjedisit, mbrojtjes së konsumatorit, transportit dhe energjisë.