Stërvitje me amerikanët për sigurinë detare
VLORE - Stërvitje e përbashkët shqiptaro-amerikane për sigurinë në hapësirën detare. Mjete dhe efektiva të tre dikastereve dhe 5 strukturave ndërvepruese shqiptare dhe specialistë të forcave ushtarake të SHBA-së, morën pjesë dje në stërvitjen "JECT 2009", që u zhvillua në gjirin e Vlorës. Kjo stërvitje, e cila kishte edhe një demonstrim praktik, kishte si synim rritjen e shkallës së sigurisë në hapësirën detare të Shqipërisë. Një anije liberiane e dyshimtë, ku mendohet se ndodhen elementë kriminalë dhe transportohen lëndë narkotike, hyn në hapësirën detare shqiptare. Strukturat tona, që e kanë marrë këtë informacion përmes Interpolit, përgatiten për ta vënë atë nën kontroll. Operacioni parashikon mbajtjen nën vëzhgim të këtij mjeti, angazhimin e 2 motovedetave të Rojes Bregdetare dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura, të cilat afrohen pranë mjetit lundrues të dyshimtë. Efektivat e Repartit RENEA dhe të Batalionit Special të Ministrisë së Mbrojtjes, përmes një prej motovedetave, afrohen pranë anijes liberiane dhe, imbarkohen në bordin e saj, duke neutralizuar gradualisht të gjithë elementët që ndodhen në të, përmes veprimeve të një shkalle të lartë vështirësie, të mbështetur edhe nga specialistë amerikanë, pjesëmarrës në këtë demonstrim praktik. Në këtë operacion, morën pjesë 70 efektiva dhe u ndoq nga afër nga Zëvendësministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, si dhe Atasheu Ushtarak në Ambasadën e SHBA, në Tiranë, Jerry Cornett. q.b