Aplikimi në BE. PS: Qeveria të hartojë një program me afate konkrete
Projektrezoluta për aplikimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është diskutuar dje në Komisionin e Integrimit. Parimisht anëtarët e këtij komisioni kanë vlerësuar draftin e hartuar nga Komisioni i Jashtëm, të cilit i kanë bërë vetëm disa ndryshime. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin e Integrimit, Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi, kanë propozuar disa ndryshime në projekt-rezolutën për nxitjen e qeverisë për paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, kërkoi që qeveria të hartojë një plan përpara kërkesës për anëtarësim, ku të përfshijë angazhime konkrete për zgjedhjet. PS i kërkon qeverisë që, përpara se të paraqesë aplikimin për të kaluar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të hartojë dhe t‘i paraqesë Kuvendit një Program Pune me afate konkrete dhe rezultate të matshme, në të cilin duhet të adresohen të gjitha çështjet që lidhen me infrastrukturën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 28 qershor 2009; forcimin e kapaciteteve administrative për implementimin e MSA-së dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Integrim; intensifikimin e luftës kundër korrupsionit; krimit të organizuar dhe pastrimit të parave; adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE; respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, së drejtës së pronës dhe lirisë së mediave. Kryetari i këtij komisioni, Ilir Meta, duke vlerësuar propozimet, theksoi se ndryshimet e bëjnë rezolutën më angazhuese. Ai ka ftuar Kryetaren e Kuvendit, që të mbledhë para ditës së hënë kryetarët e grupeve parlamentare që të unifikojnë në një rezolutë të vetme të gjitha propozimet e bëra. Po kështu, propozimet e opozitës janë vlerësuar edhe nga deputeti i PD-së, Genc Juka, i cili është shprehur se ndryshimet e propozuara nga deputetët e opozitës pasurojnë rezolutën për aplikim në Bashkimin Evropian me terma teknike. Sipas tij, qeveria është e angazhuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.