Kartat, administrata në rresht për t‘u listuar
Institucionet buxhetore dhe ato të njësive vendore kanë nisur prej ditësh listimin e stafit punonjës për marrjen e kuponëve për pajisje me karta identiteti. Sipas prefektit të Qarkut Fier, Shahin Bejdaj, ky veprim do të kryhet përmes bankave, pas urdhrit të Ministrisë së Brendshme, me qëllim shmangien e radhëve në momentin e fillimit të këtij procesi në këtë qark, si dhe lehtësimin e këtij procesi në përgjithësi. "Në bazë të udhëzimeve nga Ministria e Brendshme janë dërguar disa pajisje. Paraprakisht do të përcaktohet numri i këtyre punonjësve dhe pastaj do të bëhet lista e kalimit të shumave të paguara për kartat e identitetit, në llogaritë bankave përkatëse", ka sqaruar prefekti. Ai nuk ka dhënë ende një datë të saktë për fillimin e këtij procesi, përderisa nuk ka ardhur konfirmim nga ministria përkatëse. Për prefektin Bejdaj, të gjitha njësitë vendore janë gati për pajisjen e shtetasve me karta identiteti.