E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, shembjet e dheut rrezikojnë rrugët

Rruga nacionale Korçë-Liqenas, por edhe disa të tjera, rrezikon të bllokohet për shkak të disa shembjeve të pjesshme të dheut. Një segment rrugor në Qafën e Zvezdës në këtë rrugë kombëtare është dëmtuar rëndë dhe rrezikon shembjen me kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Asfalti, që ka pësuar çarje, sipas drejtorit të rrugëve kombëtare, Kreshnik Zgjani, nuk ka bazament të qëndrueshëm dhe përbën rrezik për aksidente. Kjo ka bërë që të vihen tabela për kufizimin e lëvizjes së mjeteve në këtë segment, edhe pse në të qarkullojnë më shumë kamionë dhe maune, për shkak se rruga të lidh me Doganën e Goricës, në kufi me shtetin maqedonas. Shkak për dëmtimet dhe rrëshqitjen e masiveve të dheut në anë të rrugës, sipas Zgjanit, janë shpërthimet në një gurore që ndodhet poshtë këtij segmenti. Shpërthimet me lëndë plasëse kanë bërë që asfalti të pësojë çarje të thella, ndërkohë që me reshjet e fundit situata është përkeqësuar nga masivet e dheut që mund të rrëshqasin mbi rrugë. Në vendin e dëmtuar kanë shkuar edhe inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve për të ndjekur nga afër situatën. Segmenti është bllokuar për një ditë, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve. Drejtori Zgjani tha se në një segment prej 60 metrash rreziku është edhe më i madh. Pas alarmit të dhënë nga Drejtoria e Rrugëve për shembjen e këtij segmenti rrugor, janë ndërprerë edhe punimet te gurorja. "Është një segment i dëmtuar me çarje të asfaltit, në një gjatësi prej 60 metrash, por për shkak se këtu kalojnë mjete të tonazhit të rëndë, ekziston rreziku i shembjes së pjesës respektive në zonën e Qafës së Zvezdës. Kemi konstatuar se dëmtimet dhe çarjet kanë ardhur si pasojë e shpërthimeve të vazhdueshme me lëndë plasëse e që kanë prekur këmbët e rrugës. Nuk ka as bazament të qëndrueshëm. Kemi dërguar shkresa zyrtare pranë institucioneve për të ndaluar shpërthimet. Nga ana tjetër, kemi vendosur përgjatë rrugës tabela për mjetet e tonazhit të rëndë dhe do nisim punimet menjëherë në pjesët e dëmtuara", tha Zgjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›