Rama: Deklarata e BE ishte shansi i fundit për Berishën
Shqipëria nuk bëhet dot Evropë dhe as nuk hyn dot në Bashkimin Evropian, nëse politika e saj nuk flet gjuhën e këtij bashkimi dhe nuk respekton vlerat e parimet e këtij bashkimi. Kështu e përktheu dje lideri i opozitës, Edi Rama, deklaratën e Bashkimit Evropian sa i takon ligjit të "Dosjeve". Sipas Ramës, ky është shansi i fundit që Evropa i jep Sali Berishës e kësaj mazhorance të papërgjegjshme, përpara sesa faturën e sjelljes antidemokratike e të marrëzive antikushtetuese të Kryeministrit e të oborrit të tij, ta paguajë Shqipëria me shtyrjen pa afat të kërkesës për të marrë statusin e vendit kandidat e me të gjitha pasojat që ka për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi një vonesë e re në rrugën e integrimit evropian. "Miratimi i një ligji dosjesh, me verbërinë e një shumice të thjeshtë, jashtë frymës evropiane, jashtë kornizës së vlerave e parimeve të Bashkimit Evropian, jashtë kufijve kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe me arrogancën provinciale që Sali Berisha tregoi pa kursim ndaj kritikave që erdhën nga të gjitha anët e tjera, brenda e jashtë vendit, ka bërë që sot 27 vendet e Bashkimit Evropian të lëshojnë sinjalin më shqetësues të mundshëm", u shpreh Rama. Përkthimi im për Kryeministrin që nuk e kupton gjuhën e Evropës, vijoi Rama, është që ta marrë këtë sinjal me seriozitetin më të madh dhe të kuptojë se kur kanë mbetur edhe 151 ditë nga mandati që ka marrë për të afruar Shqipërinë me Evropën, Sali Berisha s‘mund ta zvarrisë edhe më shumë nga sa e ka zvarritur rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, duke përdorur krimet e një regjimi të cilit për 25 vjet i shërbeu me devotshmëri, për të mbuluar mëkatet e qeverisë që qysh prej 3 korrikut 2005 drejton me papërgjegjshmëri. "Për t‘u hequr një orë e më parë shqiptarëve e shqiptareve kufijtë ndarës me Bashkimin Evropian dhe për ta futur sa më shpejt Shqipërinë në programet e mëdha të zhvillimit evropian, nuk na duhet një ligj që hap dosjet e komunizmit barbar për të mbyllur dosjet e kapitalizmit klanor, duke na ndarë më shumë me Evropën", nënvizoi Rama. Sipas tij, kërkohet një ligj lustracioni, që flet gjuhën e Evropës dhe respekton vlerat e parimet e Bashkimit Evropian. "Nuk na duhet një drejtësi nën presion dhe pa efektshmëri që mbyll sytë përpara malit të korrupsionit qeveritar apo që s‘e pyet as Policia e Shtetit kur me urdhër të qeverisë duhet të dhunojë një gazetar, po një shtet i së drejtës ku pushteti gjyqësor garanton barazinë e shtetasve përpara ligjit", theksoi ai. Rama shprehu bindjen se ndarja kushtetuese e pushteteve, së bashku me liritë e të drejtat kushtetuese të njerëzve, nuk mund as të diskutohet e jo më të cenohet nga mazhoranca qeverisëse e nga Kryeministri i radhës. "Kështu përkthehet shqetësimi i shprehur në deklaratën e sotme të 27 vendeve të këtij bashkimi të madh dhe me këtë shqetësim ne do t‘i drejtohemi menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra pasnesër, Gjykatës Kushtetuese, ku do të provojmë antikushtetutshmërinë flagrante të këtij ligji famëkeq", premtoi Rama.
Reagimi
Opozita dërgon nesër "dosjet" në Gjykatën Kushtetuese
Opozita pritet të depozitojë të premten në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për "Ligjin për pastërtinë e figurave dhe zyrtarëve të lartë". Në mbështetje të ligjit, duhet që Gjykata Kushtetuese të vihet në lëvizje me kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ligji i "Dosjeve" hyri në fuqi para disa ditësh, pasi kreu i shtetit "abstenoi". Bamir Topi konsumoi të gjithë afatin e përcaktuar ligjor dhe nuk preferoi të vendoste një firmë, miratuese apo kundërshtuese të ligjit në fjalë. Kreu i shtetit zgjodhi në këtë mënyrë një prej tre mënyrave që ia lejon Kushtetuta, çka paralelisht mund të cilësohet si një mosmiratim. Kohët e fundit, ky ligj u shndërrua në objekt përplasesh mes funksionarëve të mazhorancës dhe kreut të shtetit. Shumica zgjodhi t‘i bënte presion ish-kreut të grupit parlamentar demokrat, që të firmoste dekretin për këtë ligj. Nga ana tjetër, ekzistonte edhe presioni i partive të opozitës, të cilat njëzëri nuk preferuan ta votojnë ligjin dhe u deklaruan kundër që në seancë. Element tjetër jo pak i rëndësishëm ishte kontestimi i bërë publikisht nga faktori ndërkombëtar i akredituar në Tiranë, por dhe jashtë vendit.