Prençi falënderon homologët për gomonen
Kreu i policisë shqiptare falënderon homologët e tij, që ndihmuan dhe mundësuan gjetjen e gomones me të cilën udhëtonin tre shtetas shqiptarë. Ahmet Prençi ka falënderuar ditën e djeshme drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane, prefektin Antonio Manganelli, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi, Veselin Veljovic, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Kroacisë, Vladimir Faber, për ndihmën e dhënë në operacionin e kërkim-shpëtimit në rastin e gomones së gjetur në brigjet kroate. "Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Organizatës së Policisë së Shtetit Shqiptar, t‘ju uroj dhe në të njëjtën kohë t‘ju falënderoj për ndihmën e madhe të dhënë në operacionin e kërkim-shpëtimit të disa shtetasve shqiptarë në ujërat e detit Adriatik dhe hetimit të këtij rasti", thuhet në letrën e falënderimit. Më tej, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Prençi, thekson se "ky operacion kërkim-shpëtimi tregoi edhe një herë bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston midis policive. Gatishmëria e treguar nga Ju, duke reaguar në një kohë reale, duke vënë në dispozicion mjetet detare dhe ajrore, dhe mbi të gjitha angazhimin maksimal të strukturave që Ju drejtoni, tregon shembullin më të mirë të një bashkëpunimi konkret dhe real. Duke përfunduar letrën e falënderimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, thekson se Policia e Shtetit është e angazhuar për të bashkëpunuar me policitë homologe dhe për të luftuar në krah të tyre ndaj fenomeneve kriminale.