E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimi në BE, Rehn: Duhen reforma bindëse

 

Aristir Lumezi

Komisioneri për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Olli Rehn i ka  bërë thirrje Shqipërisë të marrë seriozisht çështjen e zgjedhjeve dhe plotësimin e kushteve të tjera para aplikimit për statusin kandidat. Një ditë më parë, Olli Rehn vuri në dukje se “rekomandimi ynë është gjithnjë që në fillim Shqipëria të garantojë gjurmë provash të dukshme dhe të forta të zbatimit të MSA-së”. “Garantoni se keni bërë reforma bindëse që lidhen me integrimin evropian. Dhe sigurisht, garantoni që keni stabilitetin politik të nevojshëm dhe pjekurinë demokratike, në mënyrë që të mund të lëvizni drejt hapit tjetër”, tha Rehn. Ai theksoi se BE mbetet e angazhuar që vendet e Ballkanit të kenë perspektivën evropiane me qëllimin final të anëtarësimit, pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet. “Pra për secilin prej vendeve ka ende detyra shtëpie për t’u bërë. Dhe këshilla ime është, ju lutem merrni këto kushte me seriozitet, në mënyrë që aplikimi juaj për kandidaturën të mos ju qëllojë mbrapsht, por që të shtrojë rrugën për hapin tjetër, atë të marrjes së këtij statusi”, vijoi Rehn.
Çekia
Ndërkaq dje është rrëzuar qeveria e vendit që mban presidencën e Bashkimit Evropian, Çekisë, pas një mocioni mosbesimi ndaj saj në parlamentin çek. Mirak Topolanek, nuk do të jetë më në krye të qeverisë çeke, duke përbërë dhe precedentin e parë të rrëzimit të qeverisë së një vendi që mban presidencën e BE-së. Kjo mund të zgjasë në kohë dhe të vështirësojë paraqitjen e kërkesave për aplikim si kandidate për në BE nga vendet që aspirojnë të aderojnë në familjen e bashkuar evropiane. Mocioni i mosbesimit u paraqit nga opozita socialdemokrate dhe u votua me 101 vota pro nga 200 deputetë që ka parlamenti. Qeveria kishte vetëm 96 vota në favor të saj. Ndërkohë ende nuk është e qartë se çfarë do të bëhet më tej, nëse qeveria e Topolanek do të qëndrojë ende në pushtet deri sa politikanët të bien dakord për hapat e mëtejshëm. Bisedime të tilla mund të zgjasin me javë ose me muaj dhe mund të ndodhë që Topolanek të vazhdojë të drejtojë presidencën e Bashkimit Evropian. Ndërkohë komisioneri për zgjerimin Olli Rehn ka kërkuar nga vendet aspirante të garantojnë dhe bindin partnerët evropianë se “keni bërë reforma bindëse që lidhen me integrimin evropian dhe stabilitetin politik të nevojshëm dhe pjekurinë demokratike”.
Deklarata e Rehn erdhi fill pas disa lajmërimeve, si nga Çekia që ka drejtimin e radhës edhe nga përfaqësues të tjerë nga Bashkimi Evropian, se një hap i tillë duhet të merret në një kohë sa më të përshtatshme, por kreu i qeverisë jo më larg se sa kjo e shtunë deklaroi sërish se qeveria e tij shumë shpejt do të aplikojë për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian, duke injoruar kështu sinjalet e forta të ndërkombëtarëve. Një sugjerim i njëjtë për mosaplikim para zgjedhjeve ka bërë edhe eurodeputetja Doris Pack. Eurodeputetja i bën thirrje qeverisë shqiptare që të mos aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian brenda presidencës çeke. “Mendoj se fillimisht duhet të them se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe për këtë duhet ta vlerësoj. Por nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. Sepse nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim, do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, do të kemi një Komision të ri. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje” ka thënë Pack në një intervistë televizive, duke e lidhur këtë së pari me vetë zhvillimet e pritshme brenda BE.

Pozitë-opozitë për aplikimin

Zogaj: Nuk na duhet kërkesë për në sirtar
Një ditë pas apelit që Brukseli i bëri Shqipërisë për të mos aplikuar për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian, pozita dhe opozita bashkohen me të njëjtin qëndrim, duke i çuar qeverisë shqiptare të njëjtin mesazh. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj dhe njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, duke nënkuptuar se nxitimi për këtë aplikim do të ishte në dëm të vendit tonë tha dje se: “Një hap i tillë duhet të merret pa dyshim, duke qenë në kontakt me autoritetet ndërkombëtare”. “Një kërkesë për ta futur në sirtarë, një aplikim për ta futur në frigorifer dhe aq me keq një kërkesë prej së cilës mund të mbahet një qëndrim tjetër neve nuk na intereson. Në këtë kuptim unë mendoj se çështja e datës nuk duhet të shndërrohet në një obsesion politik, o tani, o më vonë, para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve, kjo është një gjë që ne jemi gati ta bëjmë, kemi vetëdijen se ka ardhur momenti për ta bërë, ndërkohë që data do të vendoset në konsultim me partnerët”- u shpreh dje deputeti Zogaj. Pak ditë më parë gjatë një interviste për një media të huaj, kryeministri Berisha është shprehur i vendosur për të bërë kërkesën e aplikimit brenda presidencës çeke të BE-së. “Shqipëria mori dritën jeshile në parim, nga Presidenca çeke e Bashkimit Evropian për gjashtëmujorin e parë të vitit, për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit. Ne ramë dakord për të paraqitur kërkesën”, deklaroi kryeministri Berisha gjatë intervistës, në lidhje me të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sipas kryeministrit shqiptar, edhe pse e kishte të qartë që kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit te Traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për zgjerimin e BE-së, kjo nuk do të ndikonte në kërkesën që pret të bëjë Shqipëria.

Dade: Qeveria të tregohet e mençur
Partia Socialiste ndan një qëndrim ndryshe nga ai i kryetarit të Komisionit të Jashtëm parlamentar Zogaj. Nënkryetarja e këtij komisioni, Arta Dade, tha dje se para se të bëjë deklarata të nxituara dhe kokëforte, kreu i qeverisë duhet të angazhohet seriozisht për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke nisur me procesin e pajisjes së votuesve me karta identiteti. “Kjo maxhorancë është thelluar në gabimet që ka bërë, sikurse është rasti i sulmeve ndaj institucioneve të pavarura apo ligji i Lustracionit dhe një sërë ecurish të tjera, për të cilat kritikat nga Bashkimi Evropian nuk kanë munguar. Për këtë arsye unë do ta quaja mençuri nga ana e maxhorancës, që qeveris vendin tashmë që të konsultohet me autoritet e Komisionit Evropian, sikurse shprehet edhe rezoluta që ne kemi kaluar në Parlamentin e Shqipërisë”, tha Dade. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste i kërkoi qeverisë të fokusohet për momentin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe në plotësimin e infrastrukturës zgjedhore. Ndër të tjera Dade shtoi se “ajo çka i ka mbetur kësaj maxhorance është vetëm përgatitja për zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nuk kemi pse të bëhemi këmbëngulës apo kapriçozë”, përfundoi Dade. Socialistët i kanë konsideruar zgjedhjet e 28 qershorit si guri i provës për proceset e mëtejshme integruese të vendit. Pak kohë më parë Dade duke komentuar takimet e ministrit të jashtëm me Trojkën Evropiane u shpreh se: “Konkluzionet e tyre vërtetuan rishtazi, që Shqipëria nuk është në gjendje edhe mbas katër vjetësh të qeverisjes së Sali Berishës të përmbushë standardet për të bërë aplikimin si vend kandidat”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›