E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova kujton 10 vjet nga bombardimet e NATO

 

Kosova shënon sot dhjetë vjetorin e nisjes së fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave jugosllave, që i hapi rrugën udhëtimit të Kosovës drejt Pavarësisë. Tashmë Kosova është njohur nga 56 vende të botës. Bombardimet e NATO-s janë vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Bombat e para kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë ranë më 24 mars të vitit 1999 dhe fushata përfundoi më 10 qershor të po të njëjtit vit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Rreth 1 milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe pothuajse po aq edhe u kthyen pas përfundimit të luftës. Fundi i luftës, Kosovën e gjen me më shumë se 10 000 të vrarë dhe 5 000 të zhdukur. Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton, tha në atë kohë se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”. Ndërsa Lordi George Robertson, pas vizitës që i bëri Kosovës në vitin 2000, tha se “lufta në Kosovë ka qenë dhe ende është në interes të komunitetit ndërkombëtar”. “Kosova është një vend i vogël, por gjendet në një pikë jashtëzakonisht strategjike; midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, në pjesën ku takohen Islami dhe Krishterizmi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›