Kreu i RENEA: Si e kapëm me kallash poshtë krevatit vrasësin e policëve
Trazhgim Sokolaj
Personi me precedentë penalë që ekzekutoi dy oficerët e Kukësit është përballur në rrethana krejt të tjera me forcat e policisë, kur nuk kishin kaluar më shumë se 24 orë nga krimi i rëndë. Megjithëse pak orë më parë kishte ekzekutuar me armë zjarri dy efektiva policie, Afrim Hasani nuk ka pasur asnjë shans të vepronte në përballjen e dytë, e cila u finalizua me prangosjen e tij. Dera e dhomës ku po flinte ka dalë me forcë nga vendi duke u përplasur rrufeshëm mbi të kërkuarin që ndodhej i shtrirë në shtratin që ndodhej përballë portës. Ai po flinte ende në orët e mesditës së djeshme, kur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit të Shkodrës, i kanë vënë prangat pa i dhënë asnjë mundësi kundërveprimi. Një natë e kaluar pa gjumë, siç duket me ngarkesën emocionale që i shkaktoi vrasja e dy policëve, me lodhjen fizike për t’u fshehur në një terren të vështirë malor, kanë qenë shkaku i zgjimit të vonë të Afrim Hasanit. Një rrëke gjaku binte nga hundët e tij në kohën kur efektivat e FNSH-së, reparti i Shkodrës, i kanë vënë prangat dhe kanë nisur rrugën e kthimit për në Kukës. Dera që kish dalë furishëm nga vendi i saj, pa dashjen e punonjësve të policisë, e kishte goditur të kërkuarin duke i shkaktuar rrjedhje gjaku nga hundët. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Komandanti i repartit të FNSH-së në Shkodër por edhe drejtues i skuadrës policore që arrestoi të shumëkërkuarin Afrim Hasani, tregoi detajet e operacionit të vështirë që shtrihej në një zonë të thellë malore, në një mot të vështirë me reshje të dendura dëbore, që sillnin probleme në lëvizjen e forcave dhe mjeteve.
A mund të na përshkruani si ndodhi arrestimi i të kërkuarit për vrasjen e dy efektivave të policisë së Kukësit?
Menjëherë sapo jemi lajmëruar për operacionin, por edhe gjatë kërkimit, ne e dinim se brenda 24 orëve nga ngjarja, autori nuk mund të largohej shumë nga zona e krimit. Për nisjen e kërkimeve morëm urdhër nga zv/drejtori i Përgjithshëm ndërsa me grupin tonë gjatë operacionit ndodheshin edhe dy agjentë të policisë kriminale të Kukësit. Operacioni kishte për qëllim kapjen e shpejtë të personit pa i dhënë mundësi të lëvizte dhe të largohej në tentativën për t’i ikur ndjekjes së policisë. Për këtë shkak filluam krehjen e zonave të afërta, duke u përqendruar më shumë te banesat e braktisura ku dyshonim se kishte më tepër mundësi strehimi për të kërkuarin. Gjatë kontrollit fizik të hollësishëm në një prej këtyre banesave, është kryer edhe arrestimi i personit të kërkuar.
A pati kundërshtime apo ndonjë tentativë reagimi prej tij?
Ashtu si në banesat tjera, ne po kryenim krehjen e banesës ku u gjet i kërkuari. Veprimet tona u kryen në çdo rast me kujdes dhe në zbatim të masave të sigurisë për sigurimin e jetës së punonjësve. Ai nuk pati asnjë mundësi reagimi për shkak se efektivat pjesëmarrës në aksion goditën derën e banesës, e cila doli nga vendi dhe shkoi në brendësi të dhomës. Ajo kishte goditur personin që në atë moment ra përtokë pasi kishte qenë shtrirë në shtrat, siç duket duke fjetur. Ndërhyrja ishte e shpejtë dhe e menjëhershme. Para se të ngrihej nga dyshemeja, personi është prangosur dhe më pas është bërë kontrolli dhe verifikimi i ambientit ku ai ndodhej.
Çfarë u gjet aty, a kishte grumbulluar armatim i kërkuari?
Në pjesën e poshtme te krevatit është gjetur një armë automatike tip “Kallashnikov” e mbushur me fishek në gojë dhe me dy karrikatorë. Kërkuam për celularin sepse kishte të dhëna se i kërkuari ka përdorur celularin gjatë qëndrimit në arrati, por aparati nuk u gjet.
Çfarë reagimi shfaqi Afrim Hasani në momentin kur po e arrestonit, a foli apo shprehu ndonjë gjë më pas?
Personi nuk bëri reagim. Siç duket i vënë në befasi nga ndërhyrja e policisë, ai që nga momenti kur u prangos, rrugës për në Kukës dhe derisa e dorëzuam aty, nuk ka folur asnjë fjalë.
Si vazhdoi operacioni më pas?
Operacioni vazhdoi me kthimin në Kukës dhe dorëzimin e të kërkuarit për procedurat e mëtejshme të hetimit. Zona ku u arrestua personi ishte e pa mbuluar nga valët e celularëve dhe pasi kemi ecur për pak minuta, kur arritëm të flasim, lajmëruam zv/ministrin e Brendshëm Gent Strazimiri. Konfirmuam se autori i kërkuar i vrasjes së dy efektivave të policisë në Kukës, është arrestuar. Morëm përgëzimet dhe mbështetjen e zv/ministrit ndërsa më pas vazhduam kthimin për në Kukës.
Sa efektiva ndodheshin në grupin që realizoi arrestimin?
Ne ishim ndarë në tri grupe, grupi i parë me tetë efektiva, që të hënën u ngarkua me krehjen e zonës së Mirditës për të bllokuar lëvizjen e të kërkuarit. Grupi i dytë me nëntë persona u ngarkua me krehjen e zonës së Pukës, rrugës së Qafë-Malit. Grupi me 12 efektiva të FNSH-së Shkodër, realizoi ndërhyrjen në banesë dhe kapjen e personit për shkak se ne na u ngarkua ajo zonë për të kryer krehjen e saj.
A mund të përcaktoni largësinë e vendit ku ishte strehuar i kërkuari, me vendin ku ai qëlloi mbi dy oficerët e policisë?
Banesa e braktisur, ku u bë arrestimi personi, ndodhet në fshatin e të arrestuarit. Kjo zonë ndodhet rreth 7 apo tetë kilometra nga vendi ku është kryer vrasja e dy efektivave të policisë.
shifrat e aksionit
50 mijë euro
ishte shuma që vendosi dje policia në formë shpërblimi për personat që jepnin informacion për vendndodhjen e të kërkuarit
16 orë
ka vazhduar operacioni i kërkimit për autorin e vrasjes së dy oficerëve të policisë së Kukësit, i cili ra në pranga dje në mesditë
1 armë automatike
të mbushur dhe dy krehra të mbushur me fishekë janë gjetur poshtë krevatit ku ishte shtrirë Afrim Hasani në banesën e braktisur
3 struktura
të policisë kanë marrë pjesë në kërkimet për kapjen e të akuzuarit për vrasje. Në aksion u angazhua reparti RENE-a nga Tirana, FNSH-të e Shkodrës dhe policia e Kukësit
Frika nga gjurmimi, Hasani në zonën pa valë celulari
KUKES – Zona e Shëmrisë, në fshatrat e të cilës ka qëndruar i fshehur Afrim Hasani, mësohet se ishte e pa mbuluar mirë me valë celulari. Aparatet telefonike lidheshin me vështirësi në rrjet, ndërsa veç aftësisë gjeografike, duket se ku fakt ka qenë vendimtar në strehimin e të kërkuarit. Ai duket se ka qenë i informuar për mundësinë e gjurmimit përmes celularit dhe ka tentuar të qëndrojë në një zonë të pa mbuluar me sinjal për t’ia hequr këtë mundësi policisë. Madje edhe efektivat që morën pjesë në aksion kanë pasur vështirësi në komunikimin me celularë, për shkak të mungesës së valëve të rrjetit telefonik celular në zonën ku është kryer operacioni për kapjen e të kërkuarit. Sipas burimeve të policisë, mësohet se 34-vjeçari duke njohur mirë zonën ishte vendosur në një banesë të braktisur në fshatin e tij të origjinës. Aty duket se ai ka pritur që prej mbrëmjes së hënë, zbardhjen e ditës së djeshme me qëllim që të largohej më pas. Por tentativa për arrati e të kërkuarit ka marrë fund dje rreth orës 12:00, kur ai ka rënë në pranga ndërsa numërimi mbrapsht i historisë duket se tashmë ka filluar. Dosja penale e kësaj ngjarje, po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Kundërveprimi
Forcat e policisë që morën pjesë në aksionin për kapjen e të kërkuarit Afrim Hasani kanë qenë të përgatitura mirë për çdo situatë. Mësohet se duke zbatuar gjithë masat e nevojshme të sigurisë për efektivat pjesëmarrëse në aksion, policia kishte të dhëna se personi që kërkohej mund të kundërpërgjigjej dhunshëm dhe në mënyrë të rrezikshme ndërsa ishte i pajisur edhe me armën e zjarrit që kishte përdorur për ekzekutimin e dy oficerëve të policisë së Kukësit në ngjarjen që ndodhi të hënën në mbrëmje.
Strategjia
Duke qenë të informuar se i kërkuari nuk kishte sasi të mëdha ushqimi me vete, efektivat e policisë kanë vepruar sa më shpejt ka qenë e mundur me qëllim lokalizimin dhe kapjen e Afrim Hasanit. Forcat e policisë dyshonin se dje me të zbardhur dita ai mund të tentonte largimin nga zona e parë që kishte zgjedhur për të kaluar natën, pasi ekzekutoi me armë zjarri dy oficerët e policisë së Kukësit.
Vrasësi, i ati e denoncoi për dhunë
Shumë banorë të komunës Malzi në Kukës çuan nëpër mend emrin e Afrim Hasanit sapo mësuan tragjedinë e vrasjes së dy efektivëve të policisë, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi. Kjo për shkak se Hasani ishte kthyer në tmerrin e zonës për shkak të bëmave të tij. Burime të policisë së Kukësit bënë të ditur se emri i tij ishte i skeduar në dosjet kriminale dhe pak muaj më parë ai ishte liruar nga burgu. Mësohet se në vitin 2004, Afrim Hasani ishte arrestuar nga policia e Kukësit, pasi e denoncuan familjarët e tij. Për motive të dobëta, 34-vjeçari kishte dhunuar të atin. Por duket se dhuna karshi familjarëve të tij ishte një episod aq i përsëritur, sa këta të fundit iu drejtuan policisë për ndihmë. Blutë e Kukësit asokohe i shkuan atij në banesë dhe pas një kontrolli të ushtruar i gjetën edhe armë. Hasani u arrestua për armëmbajtje dhe plagosjen me anë të dhunës së babait të tij. Pasi mbaroi dënimin e dhënë nga Gjykata e Kukësit, Afrim Hasani gjeti mundësinë që të largohej nga Shqipëria. Ai kaloi kufirin në rrugë klandestine, me dokumente të falsifikuara. Nuk dihen shtetet e përshkuara prej tij në të njëjtën formë, por sipas burimeve destinacioni i 34-vjeçarit kishte qenë Danimarka. Dyshohet se në këtë shtet i riu të ketë kryer një sërë veprash penale, ndonëse të paprovuara. Pas deportimit të tij, në vitin 2008, ai u procedua penalisht me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Gjykata e Kukësit e dënoi sërish atë me këtë akuzë me katër muaj burg. Rreth 6 muaj më parë, Hasani mbaroi dënimin e dytë. Ndonëse i sapodalë nga qelia, agresiviteti i tij, sidomos ndaj uniformave blu ishte evident. Ndërsa banorët e zonës i ruheshin, pasi ishin në dijeni të shkallës së rrezikshmërisë që ai paraqiste. Askush nuk guxonte t’i afrohej, pasi në të shumtën e kohës 34-vjeçari ishte i alkoolizuar. Pasi konsumonte doza të tepërta alkooli, përgjegjshmëria e tij për veprimet e kryera ishte minimale. Këtë fakt e pohuan mbrëmë edhe burime zyrtare të policisë së Kukësit. Sipas këtyre burimeve, personi i arrestuar për vrasjen e dyfishtë njihej si mjaft i çekuilibruar. Ai ishte i papunë, i martuar dhe kishte dy fëmijë. Jetonte në fshatin Petkal, fshat i cili ashtu si Shëmria ishin pjesë e komunës Malzi.
Dy policët e vrarë mësohet se e kishin denoncuar zyrtarisht Afrim Hasanin më 17 mars. Kjo për faktin se një ditë më parë, ai kishte dëmtuar një lokal, ndërsa pas ngjarjes ai kishte kundërshtuar me dhunë efektivët Dobrusha dhe Hila. Sipas policisë, Ramadan Hila ishte një ndër efektivët më të vjetër në policinë e Kukësit. Prej 12 vjetësh, ai i kishte shërbyer policisë në struktura të ndryshme, aty ku edhe i ishte caktuar detyra. Ndërsa viktima tjetër, Shkëlzen Dobrusha kishte 3 vite që i ishte bashkuar radhëve të policisë së shtetit. Mësohet se pas arrestimit, për efekt të cilësimit të akuzave mjaft të rënda, dosja i ka kaluar prokurorisë së krimeve të rënda. Për këtë arsye, edhe i arrestuari është nisur në Tiranë i shoqëruar me autokolonën e policisë e të forcave speciale të cilët morën pjesë në operacionin për arrestimin e tij. Burime nga policia e Kukësit bënë të ditur se në momentin e arrestimit, Hasani ka pasur me vete armën me të cilën kishte kryer vrasjen e dyfishtë. “Dukej i tronditur. Gjendja e tij emocionale ishte mjaft e rëndë. Pasi u kap në kushtet e flagrancës, ai nuk ka komentuar asgjë”, bënë të ditur burimet e policisë së Kukësit, të cilët pohuan se ai do të japë shpjegimet përkatëse për këtë ngjarje te krimet e rënda. Mësohet se policia e Kukësit do t’i bëjë kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme që familjet e dy viktimave të ndihmohen duke iu dhënë 5 paga njëherazi të të dashurve të tyre, të cilët tashmë nuk janë më në jetë. Kjo për të ndihmuar sadopak këto familje të varfra, në mënyrë që të paktën t’i ndihmojë në shpenzimet e varrimit të tyre.
Flet autori pas arrestimit: Policët më nxinë jetën
Pak fjalë ka mundur të përmendë Afrim Hasani, pas shoqërimit të tij nga policia e Kukësit për në atë të Tiranës. “Policët ma nxinë jetën. Më ndalonin gjithmonë, edhe pse e dinin që i kisha të gjitha dokumentet e makinës”, mësohet të jetë shprehur Hasani pasditen e djeshme. Inatet e tij ndaj policëve Dobrushi dhe Hila kishin marrë shkas nga këto kontrolle, ndërsa ai udhëtonte në komunën Malzi, për t’u shtuar me momentin kur e denoncuan për kundërshtim me dhunë. Nga burime të grupit hetimor mësohet se prej ditës së regjistrimit të kallëzimit në prokurori të akuzës ndaj Afrim Hasanit, ky i fundit kishte shfrytëzuar persona të tjerë për të ndërhyrë te punonjësit e policisë. Në formë presioni ata u kishin bërë të ditur dy inspektorëve se duhej të tërhiqnin denoncimin, pasi “Hasani ishte tip i rrezikshëm në komunë dhe prej tij mund të prisnin çdo gjë”. Por, këto kërcënime në distancë nuk i kanë trembur dy punonjësit e policisë, të cilët në krye të detyrës u ekzekutuan nga 34-vjeçari. Nuk dihet nëse do të kërkohet ndjekje penale dhe për personat që ndërhynë për të vendosur “paqe” mes policëve dhe Hasanit. Kjo pritet të zbardhet në ditët e ardhshme, pas marrjes së dëshmive të plota për ekzekutimin e dyfishtë mbrëmjen e së hënës.
Telefonata me motrën pas vrasjes së policëve: Nuk do të dorëzohem
TIRANE – Vrasësi i dy oficerëve të policisë rrugore të Kukësit, edhe pse ka tentuar t’i shmanget gjurmimit, gjithsesi është zbuluar nga valët e telefonit të tij celular. Sinjali i fundit që ai ka lënë në bërthamat elektronike të antenave më të afërta me zonën, ka qenë një telefonatë e kryer nga i kërkuari me motrën e tij. Telefonata mësohet se është realizuar në ora 22:30 të mbrëmjes së hënë, kur i shumëkërkuari ka lajmëruar motrën e tij për ngjarjen, duke i treguar se kishte vrarë me armë dy oficerët e policisë. Gjatë telefonatës mësohet se i kërkuari ka treguar zonën ku ndodhej në atë moment dhe më pas është shprehur se pasi kishte vrarë oficerët, po largohej nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar policisë. Sipas të dhënave nga hetimi, mësohet se Afrim Hasani i ka pohuar motrës së tij se nuk do të dorëzohej në polici. Një përmbajtje e tillë e bisedës duket se ka qenë paralajmërim serioz për forcat e rendit, që mund të përballeshin me reagime të dhunshme nga i kërkuari gjatë kapjes së tij. Përdorimi i celularit është bërë shkak për lokalizimin e të kërkuarit me anë të distancës së sinjalit me antenën më të afërt të valëve. Gjithsesi Afrim Hasani ka rënë në pranga pa bërë rezistencë dje rreth mesditës, pasi u zbulua se ndodhej në një banesë të braktisur, në një fshat pranë zonës së Shënmrisë në Kukës. tr.so
Atentatori, pritë policëve në derën e lokalit të fshatit
KUKES / JONUZ HALLAÇI
Për disa orë i ka zënë pritë dy policëve në prag të derës së lokalit. Ka ndjekur çdo lëvizje të tyre, pasi ishte betuar që do t’u merrte hakun për denoncimin e bërë më 17 mars në prokurori ndaj tij. Afrim Hasani ka qëlluar ndaj inspektorëve Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila vetëm kur ka parë që brenda lokalit në fshatin Shëmri të Kukësit, nuk ndodhej njeri.
Burime të policisë pohojnë se ka qenë ora 21:00 e së hënës, kur dy inspektorët e policisë që ishin më shërbim në zonën e Shëmrisë, në pritje të ndërrimit të shërbimit, janë afruar në një lokal, i cili është afër postbllokut të policisë në atë zonë për të pirë kafe. Pak minuta pasi janë ulur në tavolinën afër derës, 34-vjeçari Afrim Hasanaj me automatik në dorë është futur në mënyrë të rrufeshme në lokal duke qëlluar në drejtim të Ramadan Hilës dhe Shkëlzen Dobrushit. Hila, 44 vjeç ka marrë një plumb në kokë, ndërsa 29-vjeçari Dobrushi një plumb në kokë e katër në trup. Asnjë prej tyre nuk ka mundur të reagojë, pasi vdekja ka qenë e menjëhershme. Në lokal nuk ka pasur njeri tjetër të pranishëm, ndërsa i zoti i lokalit ishte përkohësisht në shtëpi për të pushuar, duke e lënë lokalin nën kujdesin e efektivave blu. Pak metra më tej ndodhej vetëm roja e një pike karburanti, që është larguar menjëherë kur ka dëgjuar krismat e automatikut. Akoma nuk është dhënë versioni zyrtar mbi shkaqet dhe motivet e kësaj ngjarjeje, por mësohet se një javë më parë, më 16 mars autori i krimit, në gjendje të pirë kishte dëmtuar tavolinat dhe karriget në një nga lokalet në fshatin Shëmri. Për këtë veprim pronari i lokalit ka lajmëruar policinë dhe të dy punonjësit Dobrushi dhe Hila me detyrë punonjës policie në seksionin e qarkullimit rrugor, por që kryenin dhe detyrën e inspektorit të rendit, kanë ndërhyrë duke e nxjerrë nga lokali për ta qetësuar. Por, në atë kohë Hasanaj arriti t’u shpëtonte efektivave të policisë. Që nga kjo datë Hasanaj ishte shpallur në kërkim për veprat penale të kundërshtimit me dhunë të forcave të rendit dhe shkatërrim të pronës. Ditën e nesërme, në prokurorinë e Kukësit mësohet se ishte regjistruar kallëzimi i dy inspektorëve ndaj Hasanit. Dyshohet se ky konflikt të jetë shkaku që ka nxjerrë jashtë kontrollit Hasanajn, i cili natën e së hënës ekzekutoi të dy punonjësit e policisë. Për grupin hetimor nuk ka dyshime se atentatori u ka zënë pritë pikërisht dy policëve që e denoncuan, duke i rrezikuar atij arrestimin e më pas burgun. Disa orë ka qëndruar grupi hetimor në vendin e ngjarjes, duke marrë dëshmi nga personat që kanë parë në momentet e fundit dy viktimat. Sipas dëshmive, vetëm 10 minuta para krimit, ata kishin kaluar, kur kanë parë inspektorët e rendit vetëm në lokal. Brenda pak çastesh breshëritë e automatikut prishën qetësinë e fshatit Shëmri.
Trupat e policëve të vrarë kanë qëndruar deri në orët e para të mëngjesit në lokalin ku u vranë derisa nga Tirana kanë mbërritur ekspertët mjeko-ligjorë për të bërë ekspertizën e tyre. Viktimat janë përcjellë për në morgun e spitalit të Kukësit e prej andej në shtëpitë e tyre në fshatin Shëmri, për t’u përcjellë për në banesën e fundit në të njëjtën kohë. Pak minuta më parë, forcat speciale kishin arrestuar autorin e krimit të dyfishtë, duke i dhënë fund një ndjekjeje disaorëshe që pas identifikimit të tij.
Kukës, shënohen 100 policë të vrarë
Dy efektivët e policisë që u ekzekutuan në Shëmri të Kukësit e çojnë në 100 numrin e forcave të rendit të vrarë. Vetëm në qarkun e Kukësit janë vrarë gjashtë punonjës të policisë së shtetit, dy prej të cilëve në Tropojë dhe katër viktima janë shënuar në Kukës. Në listën e policëve të vrarë në dikasterin e brendshëm janë emrat e Shaqir Hoxhës dhe Selami Memisë të vrarë në Tropojë. Ndërsa në Kukës rezultojnë të vrarë dy efektivët e policisë, Selim Halili dhe Rusem Goçi. Viktimat e fundit në radhët e policisë në Kukës janë efektivët Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrusha.
Topi: Reagim i shpejtë ndaj krimit
Kreu i shtetit kërkoi reagim të shpejtë ndaj krimit, pak orë pasi dy policët mbetën të vrarë në Kukës. Në një telegram ngushëllues për familjet, kreu i shtetit theksoi se, “si President i Republikës, por edhe si qytetar, nxis të gjitha strukturat shtetërore që të vendosin sa më parë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarje që tronditi mbarë opinionin. Reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi të pashembullt do jetë përgjigjja më e mirë që i jepet çdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës, por edhe mirënjohja për ata që u flijuan teksa e kryenin këtë detyrë”.
Mesazhi i Berishës
Kryeministri Berisha u ka dërguar një mesazh ngushëllues familjeve të Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës, të cilët u vranë një ditë më parë në Kukës. “Inspektorët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila u martirizuan dje për të fituar pavdekësinë, në altarin e të rënëve të kombit, i cili do t’u jetë atyre përjetë mirënjohës. Ndërsa ai që shkrehu mbi ta zjarrin vdekjeprurës, do të marrë ndëshkim shembullor dhe të merituar për aktin e tij makabër”, thuhet në mesazhin e kreut të qeverisë.
Ngushëllimi i Ramës
Edi Rama mësoi me keqardhje lajmin e hidhur për vrasjen e dy policëve në fshatin Shëmri të Kukësit. Në një mesazh ngushëllimi dërguar familjarëve të policëve të vrarë, kreu i Partisë Socialiste shprehu hidhërimin për ngjarjen e ndodhur dhe solidaritetin ndaj të afërmve të viktimave. Rama ka theksuar se, ngjarja e mbrëmshme ishte një goditje për të gjithë, ndaj të gjithë duhet të bashkohemi kundër krimit. “Mbrëmë u vranë dy shërbëtorë të shtetit. Përballë kriminelëve duhet të jemi të gjithë një familje”, është shprehur kreu socialist.
Topalli: Shteti, ndihmë fëmijëve të policëve që ranë në detyrë
KUKES – Me nderime nga kolegët e tyre, nga drejtuesit e policisë e parlamentarë u përcollën dje për në banesën e fundit dy inspektorët e rënë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. Ceremonia e varrimit u bë rreth orës 15:00, në fshatin e tyre të lindjes, Shëmri të Kukësit, aty ku dhe humbën jetën nga plumbat e një automatiku. Në këtë ceremoni përcjellëse merrte pjesë dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u shprehi ngushëllimet në emër të Parlamentit dhe të saj personalisht, familjarëve të policëve të vrarë për shkak të detyrës. “Ngjarja që ndodhi mbrëmë është shumë e rëndë jo vetëm për ju, qytetin e Kukësit, por për të gjithë Shqipërinë.
Shteti ka humbur dy policë, djem të rinj, që punonin me besim për shtetin, dhe ne të gjithë vlerësojmë maksimalisht sakrificën e tyre. Natyrisht kapja e autorit të vrasjes nuk e lehtëson dhimbjen, por ju premtoj që shteti do të mendojë për fëmijët e Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, sepse ata janë fëmijët tanë”, pohoi Topalli, duke shprehur premtimin që shteti dhe qeveria do të kenë për fëmijët e tyre. Ajo falënderoi forcat e rendit për reagimin e menjëhershëm, duke bërë të mundur arrestimin brenda pak orësh, të autorit të kësaj ngjarje të rëndë. Në ceremoni ishte i pranishëm dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Tronditet familja e Shkëlzenit
KUKES
Vetëm 3 vjet më parë ishte bërë pjesë e uniformave blu të Kukësit. Djali i vetëm i familjes Dobrushi, Shkëlzeni, kishte realizuar pasionin e tij: që të mbronte rendin e qetësinë publike, pikërisht në zonën ku kishte lindur e rritur. Shkëlzen Dobrushi, vetëm 29 vjeç, la jetimë dy fëmijë të mitur. Ai ishte djali i parë e i fundit në familjen e Destan Dobrushit, në fshatin Shëmri të Kukësit. Prej kohësh kishte vendosur se donte të vishte uniformën e policisë dhe kjo iu realizua para 3 vjetësh, kur emri i tij u vendos në listën e efektivave të policisë së Kukësit. Nisur nga fakti se ishte banor i fshatit Shëmri, pikë kyçe përgjatë rrugës nacionale që lidhte Kukësin, Peshkopinë me Pukën e më tej me Kosovën, ai ishte caktuar që të kryente shërbimin në këtë zonë. Me gradë Inspektori, Shkëlzen Dobrushi, u vendos që të zbatonte detyrën e punonjësit të policisë në seksionin e policisë rrugore. Për shkak të numrit të pakët të efektivëve në postën e policisë së Shëmrisë, 29-vjeçari kryente dhe detyrën e inspektorit të rendit në zonë, duke raportuar çdo ngjarje, jo vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit, por dhe kur cenohej jeta apo prona e bashkëfshatarëve të tij. Për t’u përmirësuar në pozicionin e tij, Shkëlzeni i ishte përkushtuar shkollimit të lartë. Burime nga policia e Kukësit bënë të ditur dje, se Shkëlzen Dobrushi ndiqte së fundi dhe studimet part-time në Fakultetin Juridik në Prishtinë, me specializim në fushën e kriminalistikës. Ai ishte martuar prej pak vitesh, duke u bërë shpejt baba i 2 fëmijëve të mitur. Prindërit, gruaja e fëmijët janë pushtuar nga dhimbja e pamasë, pasi plumbat e automatikut i morën jetën njeriut që donin më shumë. Bashkë me kolegun e tij të punës, Shkëlzen Dobrushi u përcoll për në banesën e fundit, shoqëruar me batare automatikësh nga kolegët e tij. Drejtori i policisë së Kukësit, Muharrem Furriku dhe ai i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi kujtuan dje përkushtimin gjatë detyrës nga ana e Shkëlzenit, i cili dha jetën kur ishte vetëm 29 vjeç. Pa mundur të përfundojë shkollën e nisur me pasion e pa mundur të rrisë fëmijët në zonën ku ai ishte betuar se do të punonte e ruante nga çdo cenim i saj prej personave të papërgjegjshëm, prej të cilëve ra vetë viktimë.
Hila u plagos kur ruante ndihmat për kosovarët
KUKES – Katër vajza jetime la pas vdekjes së papritur punonjësi i policisë, Ramadan Hila. Inspektori i policisë së Kukësit, i caktuar për të punuar në sektorin e qarkullimit rrugor, humbi jetën nga një plumb kallashnikovi në kokë. Autori e kishte shënjestruar, duke mos i dhënë asnjë shans jete 44-vjeçarit. Prej 12 vitesh ai i ishte përkushtuar punës në fshatin e tij të lindjes, aty ku dhe banonte Shëmri. Një fshat sa problematik e shpesh i bllokuar nga bora. Çka e bënte pozicionin e Hilës tepër të vështirë e në çdo kohë e mbante në gatishmëri. Ditët e fundit e kanë angazhuar akoma më tepër Hilën, bashkë me kolegun e tij, Dobrushin, me të cilin punonte në patrullë vitet e fundit. Prej krijimit të postës së policisë në fshatin Shëmri, në vitin 1999, Ramadan Hila ishte vendosur që të kryente shërbimin në këtë zonë, ku dhe jetonte familja e tij. Fshati Shëmri është qendër e komunës Malzi në Kukësit, i cili shtrihet buzë rrugës nacionale. Për këtë arsye, detyra kryesore e postës së policisë ishte shoqërimi i makinave të udhëtarëve drejt Kosovës ose në kthim. Ditët e fundit, Hila ishte angazhuar me kolegë të tij për të hapur rrugën e bllokuar nga bora, që paralizonte lëvizjet e udhëtarëve të shumtë. Nga burime të policisë së Kukësit mësohet se 44-vjeçari kishte qenë plagosur 10 vite më parë. Pikërisht në vitin 1999, gjatë krizës kosovare, Hila ishte pjesë e forcave që mbronin ndihmat e UNHCR-së. Plaga nuk ishte me probleme jetike, duke bërë që brenda një kohe të shkurtër, babai i 4 fëmijëve të rikthehej sërish në detyrën e tij. Numri i pakët i efektivëve të policisë së Kukësit bënte që Hila të ishte shpesh në krye të detyrës, duke u përballuar me persona që ishin kontigjentë apo që kishin pasur probleme me drejtinë. Një prej tyre ishte dhe Afrim Hasani, i cili një konflikt për motive banale, e ktheu në plumba ndaj dy bashkëfshatarëve të tij. Ramadan Hila u quajt nga kolegët e tij si person që kishte kryer detyrën e tij në radhët e uniformave blu me devotshmëri të lartë gjatë 12 viteve. Për 4 fëmijët e tij të lënë jetimë, kryeparlamentarja Topalli shprehu premtimin dhe angazhimin e qeverisë se ata do të kishin ndihmë financiare për të përballuar të ardhmen. Hila u varros dje në një kohë me kolegun e tij, me të cilin kishin ndarë vite pune për të kryer me nder detyrën që iu caktua.