E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropoja si bast politik

Gëzim Podgorica 

Një vend mes malesh, i harruar si shumë të tjerë në këtë atdheun tonë të vogël, ditët e fundit ka zënë faqet e para të gazetave dhe të gjitha edicionet e lajmeve. Një ekskursion politik i liderit të opozitës e solli në qendër të vëmendjes qytetin e kthyer në paranojë për Berishën dhe bast politik për të gjithë të tjerët. Edhe vetë tropojanët mes halleve të shumta që i ka kapur koha e mbijetesës së vështirë nuk po arrijnë të kuptojnë rëndësinë kyçe që ato paskan në rrjedhën e ngjarjeve elektorale. Sigurisht për zgjedhjet është fjala, pasi as lideri aktual i opozitës që ka plot 11 vjet në politikë, as Berisha që përgjërohet nga Tirana, as disa liderë të tjerë vocërrakë televizivë nuk janë kujtuar të shkojnë në qytetin që konsiderohet tabu në një vizitë normale pune pas zgjedhjeve. Përpara po, Rama këto kohët e fundit e Berisha këtu e 12 vjet më parë! A nuk jua ka mbajtur, a nuk jua vret fare për këtë, nuk di ta them, por që nuk kanë vënë këmbën njëherë njerëzisht në atë vend e për të takuar një popull që spekulativisht konsiderohet si i panënshtruar ndaj ligjit dhe rregullit, këtë më mirë se kushdo e dinë vetë ata. Në fakt, Tropoja është e panënshtruar ndaj hipokrizisë dhe demagogjisë së përsëritur dhe abuzohet keqas deri në shpërdorim pervers të traditave të spikatura. I vetmi që ka shkelur në Tropojë jashtë fushatës elektorale dhe për arsye të mirëfillta pune, është Meta, i cili në debatin e panevojshëm dhe fyes me mediatizimin e tepruar të një vizite atje, ka preferuar të heshtë. Mirë bën, pasi njerëzisht nuk ka pse t’i bihet gjoksit e të sensibilizohet opinioni në këtë farë feje për një vizitë brenda Shqipërisë, në një pjesë të territorit të këtij vendi ku ka normalitet dhe përpjekje njerëzore jo për të dëbuar njerëz, por përkundrazi për t’i mirëpritur e dëgjuar ndryshe nga ankthi i frikës së ndodhisë së papritur. Edhe Rama besoj se do të jetë çuditur se sa lehtësisht ka hyrë në Tropojë, sa qetësisht e kanë dëgjuar, sa miqësisht ia kanë ofruar kafenë. Krejt ndryshe nga propaganda gri që bëhet këtu për qytetin e “frikshëm”, aq sa tani ai mund ta vendosë në axhendën e tij të ardhshme politike vizitën e radhës pa shumë sforcime e dhënies së garancisë së të fortëve. Por megjithatë, edhe pse vizita në këtë vend është e njëllojtë si kudo tjetër dhe e panevojshme për t’u konsideruar si një rast i veçantë, ajo nuk po i shpëton këtij fenomeni, duke u konsideruar si precedent. Me përkujdesjen e tepruar mediatike për ta paraqitur vizitën në Tropojë si një ngjarje të pazakontë dhe një bast politik të fituar, më shumë se çdo gjë fyhet në ndenjën e vet dhe në integritet populli i atij vendi që nuk ia ka aspak ngenë sherrnajës së pafundme që gatuhet në Tiranë, por edhe atë të standardit të pavërtetë dhe jo pak denigurues që vazhdojnë ta konsiderojnë segmente të ndryshme të politikës. Tropoja nuk është Somalia vëllezër! Në Somali po, kush kalon buzë brigjeve jeton me tensionin e marrjes peng, të jetës në fije të perit, të situatave të pasigurta, ku edhe forcat e NATO-s shpesh nuk japin garanci. Nëse del pa probleme nga brigjet somaleze ku mbijnë në çdo orë të ditës e të natës piratët po, kjo përbën lajm, bile të gëzuar dhe që duhet shpërndarë. Po që do të nisesh brenda kufirit të vendit tënd, në një pjesë bile nga më të bukurat përsa i takon bukurive natyrore e nga më të veçantat përsa i takon traditave, kjo nuk ka pse të shoqërohet me tam-tame propagandistike, me headline që zënë pothuaj të gjitha faqet e para të gazetave ende pa arritur atje dhe të veshësh kostumin e fitimtarit e sfidantit trimosh.
Eshtë një guxim i tepruar dhe përçudnim i realitetit, është një fyerje e ndjenjave dhe i zakoneve që kanë ata njerëz ta trajtosh problemin deri në këtë pikë. Ta konsiderosh fitore politike dhe morale, trimëri dhe guxim vizitën në një qytet të vendit tënd, në një qytet ku ka normalitet e një jetë të qetë, në një qytet ku për fat të mirë është ndërprerë spiralja e rëndë e vrasjeve të shumta të iniciuara në mënyrë tinzare, është një lojë e rëndë me ndjenjat e malësorëve që tani më së paku se çdo gjë i kanë ngenë basteve të politikës. Më shumë se për çdo gjë jam i bindur se Tropoja edhe politikisht do të fitohej më shumë pa zhurmë e bujë mediatike, pa sfilata regjisoriale mbi kurrizin e trageteve, pa kamerat e shumta të televizioneve që do sillnin në Tiranë hiçgjë tjetër, veçse pamje të përsëritura mitingjesh e fjalë të ridëgjuara njëlloj si në Skrapar, Korçë, Shkodër apo diku tjetër. Por Tropoja fitohet shumë më tepër kur mungojnë kundërbatutat që synojnë të kthejnë konfliktin personal të politikanëve në një frëngji nga ku mund të goditet pa dhimbje për plagët që shkaktohen. Aq më shumë kur këto batuta nisen nga Tirana dhe nga personazhe që Tropoja duhet t’u dhëmbë më shumë se çdo gjë tjetër si vendlindje. Të paktën kështu ndodh tek të gjithë ata që e konsiderojnë të shenjtë, pavarësisht se ku e nga, vendin që i ka lindur.
Në Tropojë duhet shkuar sigurisht, madje më shumë se në mjaft vende të tjera, pasi problemet sociale dhe ekonomike janë më të mprehta se në shumicën e qyteteve apo të komunave të Shqipërisë, duhet shkuar, por jo se duhet edhe vota e tyre dhe se ajo përbëka një sfidë. Duhet shkuar se atje ka një humbje besimi të përsëritur dhe ka nevojë që të rriten garancitë e shpresës për një jetë ndryshe e zhvillim. Por këto garanci nuk i rrit dot fjala nëse mungojnë projektet, nëse nuk janë të detajuara planet e perspektivat e realizueshme të një treve ku ka burime të pashfrytëzuara. Për të votuar e dinë vetë ata pastaj se si e japin votën, pasi për ata që mund të kenë harruar sjell në kujtesë vitin 1991, kur Tropoja sillte në Kuvendin e Shqipërisë socialistin Lush Përpali, më pas personazhe me integritet nga e djathta, por pa bërë asnjëherë sherr politik në mes vetes. Tropoja është bastion i vetes dhe i askujt tjetër dhe alibitë e ngritura për tokën e panënshtruar e të vështirë janë vetëm pjesë tinzare e politikës.
Abuzivizmi me Tropojën, apo krahina të tjera duke i konsideruar si bastione jo vetëm të politikës, por edhe si oaze jashtë ligjit dhe rregullit në vendin që aspiron integrime e fjalor të kësaj natyre bombastik politik, vetëm se shton dozat e demagogjisë për zemërdhembshurit ndaj kësaj krahine. Askush nuk mund të fitojë as Tropojën, por as edhe Vlorën apo Lazaratin e vështirë nëse vazhdohet që ata të paragjykohen padrejtësisht si bastione që mund të  shpërdorohen prej politikës. Ata nuk janë dhe as mund të jenë pjesë e rreshtimit militantist, aq më tepër pjesë e segmenteve blu apo rozë që përdoren vetëm në kohë fushatash. Periudhë kjo që sa vjen e po harrohet, duke kaluar në ballafaqimin e programeve dhe alternativave të certifikuara përmes personazhesh, CV-ja politike e të cilëve ka mbi të gjitha integritet civil dhe jo demagogji e mbështetur mbi mitingashë të paguar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›