E Diel, 1 Nëntor 2026

Efektet e krizës - panik apo justifikim?

ADRIAN CIVICI 

Lajmet, komentet dhe parashikimet për pasojat negative të frikshme të krizës globale të ekonomisë dhe financave botërore na kanë pushtuar totalisht. Gazetat, televizionet, revistat, diskutimet e politikanëve, analizat e ekspertëve, shqetësimet e çdo qytetari apo biznesi janë prezent çdo ditë e çdo orë. Dhe gjithçka është e justifikueshme dhe normale. Qytetarët, konsumatorët dhe bizneset reflektojnë frikë për vendet e punës, paratë dhe investimet e tyre, ndërkohë që nga politika dhe qeveria kërkohet përgjegjshmëri e performancë maksimale në trajtimin e krizës dhe efekteve të saj jo vetëm ekonomike, por sidomos ato sociale. Duket sikur jemi mbërthyer nga një darë e frikshme pesimizmi dhe presim nga çasti në çast të ndodhin “katastrofa” ekonomike, financiare e sociale.
Natyrisht, humbjet globale nga kjo krizë janë kolosale. Ekspertë dhe analistë të ndryshëm japin shifrën e 30 mijë miliardë dollarëve si treguesin më sinjifikativ të humbjeve në shkallë planetare. Shkallë-shkallë kriza preku gjithë botën. Fillimisht dhe me intensitet më të lartë vendet e zhvilluara kapitaliste, që në një farë mënyre ishin dhe vatra e origjinës së saj. Më vonë u përhap kudo duke shuar gradualisht edhe shpresat e vendeve në zhvillim, atyre të Evropës Qendrore e Lindore apo dhe vendeve me ekonomi emergjente të tilla si Kina, Rusia, India e Brazili, se mund t’i rezistonin kësaj vale shkatërruese. Tashmë duket miopi dhe mundim i kotë përpjekja e kujtdo analize, qeverie apo vendi që të thotë se nuk jemi prekur nga kriza.
Por, në morinë e analizave, komenteve dhe specifikimeve që ju bënë e vazhdojnë t’i bëhen krizës, spikat dhe një element thelbësor, që duhet mbajtur maksimalisht në konsideratë në përpjekjet për të përballuar apo mos-shumëfishuar efektet reale të saj: frikën, pesimizmin, panikun dhe justifikimin e çdo elementi negativ në rezultatet ekonomike e financiare. Eksperienca e mjaft krizave të mëparshme, megjithëse në intensitet dhe shtrirje më të reduktuar se kjo e sotmja, ka dëshmuar se, si, rënia në pesimizëm si e qeverive ashtu dhe e biznesit apo qytetarëve, ashtu dhe veprimet nën panikun e pasojave të saj, kanë qenë po aq të dëmshme sa dhe vetë shkaqet reale të krizës. Rëniet e blerjeve apo kufizimi i shitjeve, si dhe reduktimi drastik i kërkesës në ndikimin e psikologjisë se “nuk i dihet se çdo bëhet...., të presim njëherë përpara se të bëjmë shpenzime apo investime..., t’i tërheq paratë nga banka se mos më humbin..., kushedi se çfarë pritet të ndodhë deri sa të gjithë po ankohen..., pse nuk po merr masa ekstreme anti-krizë qeveria..., kriza po falimenton gjithë bizneset etj., etj.”, janë faktorë plus, që vetëm e rëndojnë situatën dhe nuk ndikojnë aspak në përballimin e krizës.
Këtë radhë, më shumë se asnjëherë tjetër, qëllimi i masave drastike të mjaft qeverive, institucioneve ndërkombëtare, bankave qendrore e liderëve politikë të botës, ishte veç të tjerave edhe për “largimin e frikës dhe eliminimin e panikut”. Shumë banka e tregje financiare në mjaft vende të botës u shpëtuan pikërisht nga politikat dhe veprimet “anti-pesimizëm e anti-panik”. Në shumicën dërrmuese të fjalimeve e paketave anti-krizë të Barak Obamës, Xhorxh Bushit, Anxhela Merkelit, Silvio Berluskonit, Nikolas Sarkozisë, Gordon Braun, Dominik Straus Khan,  Jean-Claude Trichet, Ben Bernanke, deklaratat e BE, G8, G20 etj., mbizotëronin fjalët “besim”, “pesimizmi është po aq i dëmshëm sa edhe vetë kriza”, “masa të menjëhershme”, “veprime drastike”, “ndërhyrje masive në tregjet financiare dhe në ekonomi”, “mbështetje e fuqisë blerëse”, “ruajtje e nivelit të jetesës”, etj. Ishte ky mobilizim total që mesa duket i vuri fre një katastrofe të paralajmëruar kohë më parë nga ekonomistët. Dalëngadalë, në mass-media, por dhe në mjaft dalje publike të ekspertëve apo protagonistëve të luftës ndaj krizës, po shfaqen aty-këtu shenjat e para të optimizmit, se tashmë “situata është disi nën kontroll”, “se efektet e ndërhyrjes energjike e në shkallë të gjerë po fillojnë të ndihen”, se, siç shprehet ekonomisti i shquar Nuriel Roubini: “Në fund të tunelit po fillon të duket pak dritë”, etj. Edhe Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Jean Claude Trichet jep shenja inkurajimi kur gjatë takimit të Bankave Qendrore të G10 shprehet se, “rritja ekonomike botërore do të jetë pothuajse zero në 2009, ndërkohë që ne mund të parashikojmë një rritje të saj në 2010”. Në të tilla pozicione, megjithëse më pak optimiste janë dhe FMN e Banka Botërore. Pse është i rëndësishëm ky aspekt? Në radhë të parë për vetë ekonomitë dhe financat e vendeve të zhvilluara, në të cilat kriza lindi, por ku duhet të shënojë dhe fundin e saj; në radhë të dytë për vendet e tjera qofshin këto në zhvillim, të varfra apo me ekonomi emergjente, të cilat janë shumë të ndikuara nga ecuria e ekonomive të SHBA, BE, Japonisë, etj.
Ekonomistë dhe ekspertë të ndryshëm po e vlerësojnë gjithnjë e më shumë faktin se, “paketat dhe politikat anti-krizë të mjaft vendeve”, përfshirë këtu dhe vende si Shqipëria, “duhet të mos bien në tre lloj gabimesh: së pari, të mos përpiqen të kopjojnë verbërisht masat e politikat e vendeve shumë të zhvilluara, sepse ato ndërmerren e zhvillohen në një kontekst tjetër, ndërkohë që janë edhe mjaft të kushtueshme financiarisht; së dyti, të mos mbyllen në vetvete duke kërkuar zgjidhje emergjente të momentit apo akoma më keq t’i bëjnë trajtim krejtësisht të brendshëm politik krizës, por të analizojnë me kujdes defektet e ekonomive të tyre që kjo krizë ua nxori akoma më shumë në dukje; së treti, të mos t’i lidhin të gjitha problemet që kanë aktualisht ekonomitë dhe financat e tyre vetëm me efektet e krizës, duke anashkaluar dobësitë e tyre qeverisëse e strukturore”.
Vendeve në zhvillim dhe atyre me ekonomi emergjente iu këshillohet të ndjekin me kujdes “fazat e ciklit” të ekonomisë botërore të globalizuar si dhe të kuptojnë thelbin dhe përmbajtjen e masave dhe reformave strukturore “anti-krizë” që po propozohen apo aplikohen në rang botëror, sidomos reformat afatgjata me efekte post-krizë. Ekspertët vlerësojnë se “po aq të rëndësishme sa masat emergjente për të përballuar dhe reduktuar efektet e krizës... janë gjithashtu dhe përgatitja për masat dhe politikat e zhvillimit “post-krizë”. Politikat buxhetore, monetare, ekonomike e financiare, tregtare e sociale duhet të fillojnë të përmbajnë dy aspekte themelore: së pari, të reduktojnë sa më shumë që të jetë e mundur efektet aktuale të krizës; së dyti, të kenë hapësirën e nevojshme për t’i paraprirë situatave dhe zhvillimeve “post-krizë”, që sipas parashikimeve pritet të shfaqen që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010. Tipike në këtë drejtim janë politikat që po ndiqen në shumë vende të botës ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm. Po bëhet gjithçka që këtij biznesi mos t’i mungojnë mundësitë për kreditim, për investimet e nevojshme dhe garantimi i shitjeve, për lehtësimin e detyrimeve tatimore e fiskale, por në asnjë rast këto biznese nuk po “merren tërësisht nën sqetull” thjesht që të mos falimentojnë. Në mjaft vende, po merren nën përgjegjësi e kosto publike humbjet e mjaft bizneseve, por kjo për një kohë të shkurtër dhe nën kërkesën e rreptë të modernizimit të planit të biznesit dhe strategjisë afatmesme e afatgjatë të zhvillimit të tyre. Vendet me deficit të theksuar tregtar apo siç quhen ndryshe “strukturalisht importuese”, ku bën pjesë dhe Shqipëria duhet të stimulohen maksimalisht që të rrisin prodhimin e brendshëm, qoftë edhe thjesht për tregun e brendshëm, si dhe të ideojnë e aplikojnë politika efektive pro-eksport, duke ekuilibruar sa më shumë që të jetë e mundur llogaritë e tyre korrente dhe bilancin e pagesave; ndërkohë që vendeve tipike strukturalist eksportuese si p.sh., Kina, Japonia etj., iu rekomandohet fillimi i politikave të qëndrueshme “të rritjes së kërkesës dhe konsumit të brendshëm”. Shumë vendeve që “tremben” të bëjnë shpenzime dhe ndërhyrje të mëdha publike “anti-krizë” nga frika e rritjes së deficitit buxhetor apo borxhit publik, iu sugjerohet të “mos tregohen maksimalisht ortodoksë” në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë e financiarë, por të veprojnë shpejt për ngushtimin e shtigjeve të përhapjes së krizës dhe neutralizimin e saj. Por “kushti” bazë i këtij sugjerimi është përdorimi me përparësi i fondeve publike në tre drejtime kryesore: garantimi dhe rritja e punësimit, mbështetja e kërkesës së brendshme dhe politikat sociale ndaj shtresave të varfra dhe atyre në rrezik. Theks i veçantë i vihet politikave që sigurojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme, politika që diversifikojnë burimet mbështetëse të rritjes ekonomike, që garantojnë qëndrueshmëri shumëvjeçare të tyre, që i përgjigjen kërkesave të ekonomive të integruara e globalizuara në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, në takimin e 2 prillit të G20, më të rëndësishmin e planetit në lidhje me politikat dhe masat për daljen nga kriza dhe njëkohësisht për rënien dakord të masave fondamentale strukturore që kriza të tilla të mos përsëriten më, vend i veçantë pritet t’i kushtohet “ndërtimit të një arkitekture të re financiare globale” dhe detyrimeve të çdo vendi të veçantë për t’u bërë pjesë e saj. Roli i ri i bankave qendrore, thellimi dhe zgjerimi i mbikëqyrjes prudenciale, heqja e sekretit bankar, eliminimi i parajsave financiare, normat e reja të transparencës së tregjeve financiare dhe bankave etj., do të jenë në qendër të analizave e propozimeve.
Më shumë se sa të mbetemi vetëm brenda rrethit vicioz “kemi apo nuk kemi krizë në Shqipëri... po ndërmarrim apo nuk po ndërmarrim paketa e politika anti-krizë?”, është e nevojshme të shohim pak përtej këtij skenari. Optimizmi i pabazuar dhe paniku i shumëfishuar apo ndjellur vend e pa vend, mund të na pengojë që të shohim pak më përtej se konturet politike e dilemat tona, që me afrimin e datës së zgjedhjeve të qershorit sa vijnë e bëhen thjesht më elektorale. Në shumë vende të botës po shfaqen shenjat e para të një optimizmi të moderuar të daljes nga kriza, optimizëm që po i bën të shohim e mendojnë shumë qartë se ekonomia dhe financat e 2010 apo 2011 do kenë shumë ndryshime në mënyrën e funksionimit dhe kërkesave të tyre. Reformat strukturore që po ideohen e ndërmerren po ia kalojnë ndjeshëm në sasi dhe impenjim paketave e masave emergjente “anti-krizë”. Pesimizmit dhe justifikimeve të situatave të vështira apo dështimeve vetëm në emër të krizës po iu vjen fundi. Periudha e analizave, politikave dhe strategjive të post-krizës duket se do fillojë së afërmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›