E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, hiqen vizat mes Shqipërisë e Bosnjës

 

Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e regjimit të vizave mes tyre. Marrëveshja u nënshkrua dje në Sarajevë gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në vendin fqinj. Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Nikola Spiriç, kreu i qeverisë shqiptare tha se, “ne nënshkruam sot Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë dhe shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës të vizitojnë Shqipërinë këtë verë, ku do të gjejnë një klimë të ngrohtë. Të dyja vendet janë në procesin e integrimit. Në prill, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Ne mbështesim plotësisht integrimin e Bosnje- Hercegovinës në NATO”. Ndërsa sipas kryeministrit boshnjak, “heqja e vizave ndërmjet dy vendeve tona do të jetë shumë e dobishme për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit dhe shkëmbimeve tregtare midis vendeve”. Gjatë vizitës dyditore në Bosnje, kreu i qeverisë shqiptare u takua me kryetarin e Parlamentit, Beriz Belkiç, nënkryetarin Niko Lozançiç dhe kryetarin e Dhomës së Popullit, Ilia Filipoviç. Kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës vlerësuan marrëveshjet e nënshkruara dje mes dy vendeve, të cilat sipas tyre do t`u japin vrull marrëdhënieve mes dy vendeve dhe këto përbëjnë një bazë për nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera në fusha të ndryshme si ekonomia, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, në arsim etj. Gjatë ditës së djeshme Berisha u takua edhe me përfaqësuesit e Presidencës trepalëshe të Bosnje- Hercegovinës, kryetarin e radhës së Presidencës, Nebojša Radmanovic, si dhe dy anëtarët e tjerë Haris Silajdžic dhe Željko Komšic. Përveç marrëveshjes së heqjes së vizave, mes dy vendeve u firmosën edhe 3 marrëveshje të tjera: marrëveshja për kooperimin e policisë; marrëveshja “Për ripranimin e personave” dhe marrëveshja për doganat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›