E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi në internet Procedura e nisjes së kërkesës

SHKRUAN: Jonida Tashi 14-01-2011 13:20

Procedura e nisjes së kërkesës do të jetë shumë e ngjashme me atë të vitit 2007. Dallimet e pakta kanë të bëjnë me futjen e lehtësimeve teknologjike. Kështu, nuk do të nevojitet të shkarkohet në kompjuterin e shtëpisë software i ministrisë së Brendshme Italiane. Këtë herë do të jetë e mundur që kërkesa të përpilohet drejtpërdrejt nga faqet e internetit të Ministrisë së Brendshme Italiane, e cila menjëherë do të japë konfirmimin e marrjes së kërkesës (nuk parashikohet më nisja e një e-mail-i konfirmimi në adresën e postës elektronike). Nga data 17 janar, në faqen e internetit të ministrisë së Brendshme Italiane, do të vihet në dispozicion programi për përpilimin e formularëve, që duhet të nisen në datat e paracaktuar (dhe jo më parë) dhe do të ofrohet asistencë telematike me Help Desk.

Kujdes! Është shumë e rëndësishme të përdoret moduli i duhur, pasi në rast gabimi nuk do të ketë mundësi korrigjimi dhe pasoja e vetme do të jetë hedhja poshtë e kërkesës.

Punëdhënësi, italian ose jokomunitar, banues i rregullt në Itali, mund të paraqesë kërkesën për autorizim (nulla osta) për punë të varur për një qytetar jokomunitar me banim jashtë vendit ose që ndodhet në Itali, por që nuk mund të punësohet drejtpërdrejt, sepse nuk ka asnjë lloj lejeqëndrimi, ose që ka një lejeqëndrim jo të vlefshëm për punësim të drejtpërdrejtë. Punëdhënësi duhet të ketë mundësi të caktuara ekonomike, të cilat ndryshojnë sipas llojit të kërkesës (për punësimin e një bashkëpunëtori familjar apo të një punonjësi të varur-jo shtëpiak, si për shembull një murator, mekanik etj.). Punëdhënësi duhet të dëshmojë se ka të ardhura vjetore të barabarta ose më të mëdha se të paktën dyfishi i pagës, plus kontributet përkatëse, që i takon punonjësit që dëshiron të marrë në punë. Për të punësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë një punëtor për punë të varur, punëdhënësi duhet të paraqesë kërkesën pranë Sportelit Unik për Emigracionin në Prefekturën ku banon ose në rast ndërmarrjeje ose shoqërie, atje ku e ka selinë ose ku do të zhvillohet aktiviteti i punës. Kërkesa është telematike dhe bëhet fjalë për dërgimin e një modulari, që mbushet on-line, i cili përmban propozimin e kontratës së qëndrimit ku do të jepen të dhënat që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës që dëshirohet të krijohet (të ardhurat, pagesa, kontrata kolektive që do të aplikohet sistemi i banimit e kështu me radhë). Pas marrjes së kërkesës, Sporteli Unik do t’ia dërgojë kërkesën Kuesturës për verifikimin e dëbimeve ose dënimeve të mundshme të punonjësit. Në rast aprovimi, vetë zyra e përcjell kërkesën pranë Drejtorisë Provinciale të Punës për të verifikuar nëse ka ende kuota në dispozicion, të aftësisë ekonomike të punëdhënësit dhe të respektimit të kushteve minimale të punës. Më pas mund të kërkohen dokumente plotësuese. Nëse verifikimet përfundojnë pozitivisht, punëdhënësi thirret për nënshkrimin e kontratës së qëndrimit dhe për lëshimin e autorizimit (nulla-osta) për punë, i vlefshëm për 6 muaj nga data e lëshimit. Punëdhënësi duhet t’ia dërgojë këtë nulla-osta punonjësit të huaj. Ky i fundit, me këtë dokument origjinal dhe me pasaportën të vlefshme, duhet të shkojë në Konsullatën Italiane për të kërkuar vizën e hyrjes për punë në Itali. Vetëm pasi të ketë marrë vizën, shtetasi jokomunitar mund të vijë në Itali. Brenda 8 ditëve nga hyrja në territorin italian, ai duhet të paraqitet në Sportelin Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit. Më pas mund t’i bëjë Kuesturës kërkesë për lejeqëndrim punë, duke përdorur kompletin postar të formularëve.

Qarkorja

Më 31 janar, nga ora 08:00, duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin e punonjësve, nga vendet që kanë lidhur marrëveshje me Italinë, dhe që renditen në nenin 2 të dekretit të flukseve. Në këtë datë, punëdhënësit duhet të paraqesin kërkesat për 4.500 shqiptarët me banim në Shqipëri që parashikon dekreti.

Më 2 shkurt, nga ora 08:00, duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin si bashkëpunëtorë shtëpiakë të punonjësve nga vendet që nuk kanë marrëveshje me Italinë (sipas nenit 3 të dekretit).

Më 3 shkurt, nga ora 08:00, duhet të nisë paraqitja e të gjitha kërkesave të tjera të parashikuara në nenet 4, 5 dhe 6 të dekretit të flukseve. Me këtë sqarim, bien edhe dyshimet mbi datën e paraqitjes së kërkesave për konvertim të lejeve të qëndrimit të imigrantëve me prejardhje nga vendet me kuota të rezervuara: kërkesat për konvertimet duhet të paraqiten të gjitha më datë 3 shkurt 2011. Kështu, shqiptarët që jetojnë në Itali me një lejeqëndrim çfarëdo e që kërkojnë konvertimin në lejeqëndrim për punë, sipas nenit 4 të dekretit të flukseve, duhet të paraqesin kërkesë më 3 shkurt 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›