E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konvertimi i lejes së qëndrimit për punë

SHKRUAN: Jonida Tashi 14-01-2011 13:18

Përveç hyrjeve për punë, dekreti i flukseve ka parashikuar mundësinë e konvertimit të 11500 lejeqëndrimesh në po aq leje për punë

Personat që kanë një lejeqëndrimi për studime, për formim profesional/stazh dhe ata që kanë leje qëndrimi CE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga shtete të tjera të Bashkimit Europian, mund të kërkojnë konvertimin e lejes së tyre në lejeqëndrim për punë të varur. Edhe ata që kanë leje për punë sezonale mund të kërkojnë konvertimin, por vetëm duke filluar nga cikli i dytë i punës sezonale, pra nga lejeqëndrimi i dytë për punë sezonale. Për të kërkuar konvertimin para së gjithash duhet që lejeqëndimi i personit të jetë i vlefshëm, pra të mos ketë skaduar. Duhet bërë dhe kërkesa për ekzistencën e kuotës përkatëse. Kërkesa paraqitet duke dërguar në rrugë telematike modularët e posaçëm, por duhen pritur sqarimet që do të japë për këtë Ministria e Brendshme. Në kërkesë do të jepen të dhënat e lejeqëndrimit, të dhënat e kërkuesit, të punëdhënësit që ka propozuar punësimin dhe kontrata që do të aplikohet. Pasi të dërgohet kërkesa, Drejtoria Provinciale e Punës, do të verifikojë ekzistencën e kuotës përkatëse. Në rast rezultati pozitiv, i huaji do të thirret pranë Sportelit Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit dhe më pas, nëpërmjet zyrës postare, do të dërgojë kërkesën për lejeqëndrim. E rëndësishme: studentët jokomunitarë që kanë lejeqëndrim për studim e që janë diplomuar në Itali, qoftë në kursin e shkurtër universitar, ashtu dhe ata që kanë mbaruar ciklin e mëtejshëm të specializimit, nuk kanë nevojë të hyjnë në kuotat e flukseve dhe nuk duhet të paraqesin kërkesë për ekzistencën e kuotës. Për të konvertuar lejeqëndrimin për studim në lejeqëndrim për punë të varur, ata duhet të përpilojnë një modular tjetër, duke specifikuar të njëjtat të dhëna. Dekreti parashikon shprehimisht që vetëm shtetasit jokomunitarë që kanë një lejeqëndrim afatgjatë CE, të lëshuar nga një shtet tjetër i Bashkimi Europian, mund të konvertojnë lejen e tyre edhe për punë të pavarur. Përveç hyrjeve për punë, dekreti i flukseve ka parashikuar mundësinë e konvertimit të 11500 lejeqëndrimesh në po aq leje për punë, të ndara si në vijim. Mund të konvertohen në leje për punë të varur: 3000 lejeqëndrime për studim; 3000 lejeqëndrime për përgatitje profesionale/stazhe; 4000 lejeqëndrime për punë sezonale; 1000 lejeqëndrime CE për qëndrues afatgjatë, të lëshuara nga shtete të tjera të Bashkimit Europian. Mund të konvertohen në leje për punë të pavarur 500 lejeqëndrime CE afatgjata, që i janë lëshuar shtetasve jokomunitarë nga shtete të tjera të Bashkimit Europian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›