E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis rritja e kredisë, dominon biznesi

Biznesi po tërheq rritjen e kredisë. Në dy muajt e fundit të vitit që shkoi, segmenti i kredisë për biznes, që zë edhe peshën kryesore, njohu rritjen më të lartë në tre vitet e fundit, me mbi 4% në një muaj. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë, thanë se, rikthimi i kreditimit të lartë të biznesit është sinjal shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Të dhënat deri në fund të muajit nëntor treguan se është pikërisht biznesi, motori i rritjes së kredisë, ndërkohë që kredia për individë ende mban ritme të moderuara. Për më tepër, rritja e kreditimit ka qenë e shpërndarë në pesë apo gjashtë sektorë të ekonomisë. Kjo tregon se kreditimi është i ekuilibruar dhe nuk është i lidhur me sektorë të veçantë, apo me faktorë të përkohshëm. Ndërsa Ilir Zhilla, Kryetar i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, tha se rritja e kreditimit, veç të tjerash, pasqyron edhe një qëndrim të ri të biznesit, që duket se po braktis sektorët tashmë sterilë të ekonomisë, për të kërkuar rrugë të reja investimi. Nga ana tjetër, përfaqësues të sektorit bankar, u shprehën se shumë biznese kanë nxjerrë mësimet e duhura nga kriza dhe po ristrukturojnë aktivitetet e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›